Home Slideri Teuta vazhdon luftën për vendin e dytë

Teuta vazhdon luftën për vendin e dytë

Teuta-Apolonia-2-1Teuta ka arritur të marrë dje një fitore mjaft të vështirë në fushën e saj ndaj Apolonisë. Goli i Xhafajt, tre minuta përpara fundit, i ka dhënë ekipit të Maganit tri pikë të arta, por edhe vendin e tretë në renditje, duke parë fitoren e Flamurtarit ndaj Skënderbeut. Teuta ka vuajtur shumë ndaj Apolonisë në “Niko Dovana”, ku duhej sulmuesi Xhafaj, që t’i jepte fitoren ekipit bregdetar në minutën e 88-të të takimit. Apolonia shfaqi një futboll befasues në këtë sfidë, duke mos toleruar aspak edhe pse tashmë ata nuk kanë më objektiva konkretë në kampionat. Që në minutën e shtatë të ndeshjes kapiteni Ribaj i merr kohën mbrojtësit Sheta, i cili për ta ndalur ka shkaktuar faull. Gjyqtari Hoxha nuk nguron të akordojë 11-metërsh për miqtë. Ekzekutimin e merr përsipër vetë Ribaj, i cili mposht Rizvanin dhe kalon ekipin e tij në avantazh. Të gjendur në disavantazh, durrsakët përpiqen të organizohen dhe nisin sulmet e njëpasnjëshme drejt portës së mbrojtur nga Cakoviç. Teuta e nisi 45-minutëshin e dytë të ndeshjes atje ku e kishte lënë të parin. Magani freskon skuadrën dhe ndryshon krejtësisht skemën e skuadrës. Durrsakët nuk kanë se çfarë të humbasin dhe zhvendosen në gjysmëfushën e Apolonisë në kërkim të golit, ndërsa pa kaluar as dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë gjejnë barazimin. Mancaku kontrollon mjeshtërisht me gjoks topin në hyrje të zonës dhe futet së bashku me të brenda saj, por pengohet nga mbrojtja vendëse dhe kryesori akordon 11- metërsh. Ekzekuton vetë Mancaku, duke i barazuar shifrat. Tashmë vështirësohen gjërat për fierakët pasi presioni i vendësve, që kërkojnë golin e fitores, rritet edhe më shumë. Por për t’u dhënë fitoren durrsakëve mendon Xhafaj. Tre minuta përpara fundit lojtari me eksperiencë i shpëton bukur mbulimit të dy mbrojtësve dhe me një goditje të saktë e dërgon topin në rrjetë, duke mos i dhënë mundësi Cakoviçit të reagojë. Në minutat e mbetura të ndeshjes, miqtë nuk mund të bëjnë asgjë dhe pajtohen me humbjen, e cila për ta nuk ka vlerë, por për durrsakët do të thotë Europë. Me këtë fitore, Teuta kthehet edhe një herë në luftën për vendin e dytë, ndërsa Apolonia po i bën një mbyllje për t’u vleresuar kampionatit, përsa i përket lojës që kjo skuadër po zhvillon në ndeshjet e saj. Trajneri i Teutës Gugash Magani pas ndeshjes deklaroi se disa lojtarë stonuan: ““Nuk e nisëm mirë ndeshjen, ndaj na u desh të shpenzonim shumë energji për t’i marrë tri pikët. U ndëshkuam shumë shpejt, por fatmirësisht skuadra reagoi në kohën e duhur. Jam shumë i kënaqur për fitoren dhe lojën e zhvilluar, por nuk mund të them të njëjtën gjë për disa prej lojtarëve, të cilët stonuan në këtë ndeshje. Në pjesën e parë, pavarësisht se e kontrolluam të gjithë lojën, nuk mundëm të barazonim, por fatmirësisht goli erdhi menjëherë sapo nisi e dyta. Tashmë kemi edhe tri ndeshje për të luajtur dhe synimi ynë është që t’i fitojmë ato”.

Ndeshjet e mbetura

JAVA 24 (27/04/13)

LUFTËTARI TOMORI
LAÇI SHKUMBINI
BYLIS TEUTA
APOLONIA TIRANA
VLLAZNIA BESA
KUKËSI FLAMURTARI
SKËNDERBEU KASTRIOTI

JAVA 25 (04/05/13)
SKËNDERBEU LUFTËTARI
KASTRIOTI KUKËSI
FLAMURTARI VLLAZNIA
BESA APOLONIA
TIRANA BYLIS
TEUTA LAÇI
SHKUMBINI TOMORI

JAVA 26 (11/05/13)
LUFTËTARI SHKUMBINI
TOMORI TEUTA
LAÇI TIRANA
BYLIS BESA
APOLONIA FLAMURTARI
VLLAZNIA KASTRIOTI
KUKËSI SKËNDERBEU

Previous articleHomazh pêr elitarizmin… (vijon)
Next articleVolejboll Meshkuj/Federata vazhdon penalizimin, Teuta përjashtohet një vit nga aktiviteti