Nuk ka fitues në stadiumin “Niko Dovana”, të qytetit të Durrësit. Vendasit nuk kanë arritur të marrin tri pikët, dhe humbasin kështu mundësinë për tu shkëputur nga vendi i tretë dhe për të hedhur një hap të sigurtë në luftën për një vend në Europë. Të besuarit e teknikut Magani, nuk janë treguar të qartë në lojën e tyre, ndërsa është ndierë së tepërmi mungesa e pesë titullarëve, ku nuk kanë qenë të gatshëm Xhafaj, Nika, Veliaj, Hyshmeri dhe Da Silva. Protagonist bëhet ndërkohë dhe gjyqtari Lorenc Jemini, i cili nuk arkordon një penallti të pastër për Teutën. Ndërkaq në 20 minutat e fundit, ekipi mik kthehet i tëri në mbrojtje, duke kërkuar të mbrojë rezultatin, por rastet nuk mungojnë për Prognin, dhe për Hoxhën. Në fund të ndeshjes, në momentin kur dukej se kuksianët e kishin marrë tri pikëshin, është Jakupi, që mendon ndryshe dhe shënon golin e barazimit, duke i dhënë një pikë mjaft të vlefshme ekipit të tij. Sipas Maganit pas këtij barazimi ndeshja e rradhës në Shkodër është kthyer në jetike për Teutën: “ Vinim në këtë ndeshje me shumë mungesa, ku mungonin plot pesë titullarë, megjithatë kjo nuk duhet të përbëjë justifikim. Bëmë lojën tonë, dhe goli i herët i Kukësit na vuri disi nën preison. Reaguam, por reagimi erdhi me vonesë. Nuk jam i kënaqur me lojën, pasi tashmë çdo ndeshje është finale, dhe si finale, kjo me Kukësin duhej fituar. Tani shkojmë në një ndeshje të vështirë përballë Vllaznisë, në Shkodër, ku duhet medoemos të marrim fitoren, për të shpresuar në një vend në Europë. Mendoj se gara është ende e hapur.