Home Sport Teuta, lojtarët e merkatos bindin në miqësore

Teuta, lojtarët e merkatos bindin në miqësore

teuta  Në Durrës, në njërën prej fushave të aneksit të stadiumit “Niko Dovana”, Teuta dhe Kukësi kanë zhvilluar dje një ndeshje miqësore, ku kanë barazuar me rezultatin 2-2. Në këtë ndeshje kanë shënuar disa prej lojtarëve, të cilët janë në provë si te “Djemtë e detit”, ashtu edhe te verilindorët. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Gentian Begeja ka shënuar kosovari Murriqi, i cili është ende në provë, dhe Veliaj, kurse për ekipin e drejtuar nga trajneri Armando Cungut ka shënuar Enzo Malindi dhe Serxhio Abdurrahmani. Ky i fundit i është bashkuar Kukësit në 24 orët e fundit dhe dje ka shënuar një gol të bukur. Me shumë gjasa Abdurrahmani, që vjen nga Greqia, mund të qëndrojë te kjo skuadër. Në pjesën e parë kanë zbritur në fushën e lojës formacionet më të mira të mundshme, ndërsa në të dytën u është dhënë hapësirë lojtarëve, të cilët kanë ardhur për provë. Te skuadra durrsake janë afruar në këtë periudhë Tepshi, i cili ka firmosur me Teutën, ndërkohë që është rikthyer Stafa, edhe pse ende nuk ka firmosur. Në skuadrën bregdetare është provuar edhe një futbollist brazilian, ndërsa te verilindorët është provuar një sulmues boshnjak. Pas përfundimit të takimit trajneri i Teutës, Gentian Begeja, u shpreh i kënaqur nga loja e të besuarve të tij. Begeja theksoi se dy lojtarët e ardhur për provë i kanë lënë përshtypje të mira. “Kjo përballje ishte një test për të provuar forcën e skuadrës. Pavarësisht rezultatit, kam përshtypjen se zhvilluam një ndeshje relativisht të mirë. Gjithashtu, një përshtypje të mirë më lanë edhe dy lojtarë që kanë ardhur për provë, pikërisht kosovari dhe braziliani. Falë gjatësisë të tij, Muriqi tregoi se ka aftësi shumë të mira, sidomos në mbrojtjen e topit. Edhe braziliani më pëlqeu. Do më pëlqente që të dy këta lojtarë t’i kisha pjesë të skuadrës”, – përfundoi kreu i pankinës durrsake, Begeja. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, kishte paralajmëruar se te “djemtë e detit” do të vinin lojtarë të rëndësishëm për provë, dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Në takimin me Kukësin  kanë shkëlqyer pikërisht dy lojtarët e ardhur për t’u testuar. Bëhet fjalë për sulmuesin  nga Prizreni, Vedat Muriqi, si dhe brazilianin Fonseka. I pari tregoi se ka aftësi të mira në kontrollin dhe mbrojtjen e topit, duke mos gabuar asnjë pasim gjatë gjithë minutave që ishte në fushë. Braziliani gjithashtu spikati me lojën e tij të shpejtë në sulm, pozicion në të cilin u aktivizua. Lojtarët kanë marrë miratimin e teknikut, ndërsa pritet të ketë bisedime mes palëve. Sakaq, nga ekipi përveç Enio Petros, është larguar edhe Albano Çaushaj, duke qenë se nuk po gjente hapësira për të luajtur te Teuta. Ditët e fundit ekipi është vizituar nga dhjetëra lojtarë, të cilat kërkojnë që të provohen dhe të veshin fanellën durrsake. Ata do të vëzhgohen për disa ditë, më pas do të marrin verdiktin final. Vetë trajneri Begeja u shpreh se djemtë janë të talentuar dhe se po i ndjek me shumë vëmendje. Ndërkaq, në kampin durrsak qarkullojnë fjalë edhe për afrimin e një mbrojtësi. Ndoshta mund të jetë Tefik Osmani, për të cilin flitet pa pushim për një rikthim te “djemtë e detit”. Nëse do të ndodhte kjo, për teknikun Begeja do të ishte një fitore e madhe, pasi korçari sezonin e shkuar bëri një paraqitje mbresëlënëse dhe me ardhjen e tij mbrojtja e nënkampiones do të “blindohej”.

Previous articleGenta dhe Leonora, si dy beqaresha bukuroshe
Next articleKrenaria jonë kombëtare