Teuta ka mundur në “Niko Dovana” Luftëtarin ku kanë mjaftuar dy gola të sulmuesit Danjel Xhafaj që Teuta të hipotekonte tri pikët. Vlonjati bëri një paraqitje mjaft të mirë, ndërsa shënoi në minutën e 56-të dhe 82 të takimit. Teuta zhvilloi një lojë të thjeshtë dhe pa gabime, ndërsa nuk la pa shfrytëzuar rastet e ofruara. Gjirokastritët, të cilët kishin ardhur në Durrës me idenë për të marrë qoftë edhe një pikë, nuk mundën ta përballonin presionin e vendësve, që krijuan mbi 5 raste të pastra për shënim, duke kthyer në gol dy prej tyre. Daniel Xhafaj, edhe pse sigloi dopietën e dytë radhazi (shënoi dy gola edhe javën e shkuar ndaj Shkumbinit), fitoren ia dedikon trajnerit Magani. “Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Synimi kryesor ishte që në këto dy ndeshje radhazi që kishim në shtëpi të merrnim pikët e plota. Luftëtari na vuri shumë në vështirësi, por gjithsesi arritëm ta zgjidhnim takimin në mënyrën më të mirë. Kam bindjen se do të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme. Ardhja e trajnerit Magani më ka motivuar akoma më shumë. Është një trajner, të cilin e kuptoj shumë mirë. Teuta ka një grup cilësor, 4-5 lojtarë me shumë eksperiencë dhe të ndërthurur mirë me elementin e ri. Jam i kënaqur për shënimin e dy golave por ajo që më gëzon më shumë janë pikët që kemi marrë. Ne si Teutë do të luftojmë fort për objektivat që kemi në kampionat, ku do të përpiqemi të japim maksimumin në çdo sfidë. Arritja e kryesuesve nuk është e pamundur edhe pse është shumë e vështirë. Pas kësaj fitoreje do nisim të mendojmë për Tiranën, sfidë që është shumë e rëndësishme për objektivat e ekipit durrsak. Golat? Kam shënuar 7 deri tani, por premtoj se do të vazhdoj me këtë ecuri, duke ndihmuar skuadrën drejt objektivave që kemi. Nuk na intereson se çfarë bëjnë kundërshtarët, e rëndësishme është që të fitojmë ndeshjet tona. Për momentin mendoj se jemi brenda objektivave”, – përfundoi sulmuesi. Ndërsa trajneri i Teutës, Gugash Magani, edhe pse ka fituar, nuk ka nguruar t’i kritikojë lojtarët e tij për lojën sidomos në pjesën e parë. “Skuadra nuk u paraqit mirë përballë Luftëtarit, ku shfaqi shenja nënvlerësimi. Por rezultati i arritur na gëzon dhe na motivon për të mbajtur ritmin që kemi nisur. Kampinati do të jetë i vështirë për të arritur objektivat, por nisja e fazës së dytë është pozitive për Teutën. Po të nisemi nga rezultati, do të thosha që është i pastër, por unë nuk jam i kënaqur me lojtarët, pasi nuk e interpretuan mirë lojën. U kisha kërkuar për gjatë gjithë javës që të futeshin në fushë si të barabartë, mirëpo kjo nuk ndodhi. Ata hynë në fushë me superioritet dhe me një eufori të madhe, e cila në shumë raste ndikon negativisht. Gjatë pjesës së parë skuadra nuk mundi të depërtonte në zonën kundërshtare, pasi bëmë një lojë mjaft të lexueshme dhe si pasojë nuk e vumë në vështirësi serioze kundërshtarin. Ndërsa në pjesën e dytë kryem disa zëvendësime, të cilat rezultuan efikase, pasi ndryshuan komplet lojën. Besoj se ishte një fitore e merituar dhe shpresojmë të ecim me të njëjtin ritëm edhe në javët e ardhshme”.