Home Sport Teuta kampione në fair play

Teuta kampione në fair play

Teuta1Sipas verdikteve të sezonit 2012-2013 të Superligës, Skënderbeu ka fituar titullin kampion (i treti rresht i skuadrës korçare), ndërkohë që Kukësi dhe Teuta prenë biletën për në Ligën e Evropës. Por, përveç klasifikimit real të kampionatit, ka dhe një tjetër renditje që monitorohet tërësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit e që ka të bëjë me klasifikimin e ekipeve për treguesin e “Fair-Play”-it apo “lojës së ndershme. Është pikërisht Teuta, skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë dhe kryeson këtë lloj renditjeje me 164 071 pikë. Në vend të fundit renditet Kukësi me 121 464 pikë. Skënderbeu renditet i treti, ndërkohë që interesant është fakti se Luftëtari, Tomori dhe Apolonia, skuadra këto që kanë rënë në Kategorinë e Parë ndodhen respektivisht në vendin e 4-t, 7-të dhe 11-të nga 14 skuadrat e Superligës. Që një skuadër të luajë “fair-play”, duhet të adresohet në atë linjë më së pari nga drejtuesit e vet. Gjë të cilën e ka bërë më së miri këtë sezon Teuta, e cila jo pa qëllim është edhe ndër skuadrat më pak të ndëshkuara. Referuar një deklarate të mbrojtësit të këtij ekipi, Tefik Osmani, dhënë në një emision sportiv te durrsakët gjobitesh nëse proteston pa të drejtë ndaj arbitrave dhe për këtë shkak merr edhe karton të verdhë. Ndoshta do kishte qenë më e udhës që një praktikë e tillë të ndiqej nga të gjithë drejtuesit e klubeve në kampionatin shqiptar. Ekipi që në fund të sezonit del i pari në renditjen “Fair-Play” shpërblehet nga Federata Shqiptare e Futbollit, përveç pllakatit “Ekipi Fair-Play” edhe me një shumë prej 15 milionë lekësh të vjetër. Pllakati është metal i zakonshëm, ndërsa, sipërfaqja e saj është e larë në ar dhe argjend. Forma e vlerësimit dhe kriteret janë të ndryshme. Kur një ekip merr karton të kuq, atij i zbriten 3 pikë, ndërsa për të verdhin 1 pikë nga vlerësimi i përgjithshëm. Loja pozitive kushton 10 pikë, ajo negative 1 pikë. Në përcaktimin “lojë pozitive” merret në konsideratë: taktika sulmuese, më shumë se taktika mbrojtëse; përshpejtimi i lojës, përpjekjet për të fituar kohë, ndjekja e vazhdueshme e objektivave.  Në aspektet negative përfshihen: ngadalësimi i lojës, humbja e kohës, taktika e bazuar në faulle, veprimet në lojë, etj. Këto plotësohen në formularin që plotëson delegati i ndeshjes. Respekti për kundërshtarët vlerësohet me 5 pikë maksimalisht dhe 1 pikë minimalisht, ku përshihen edhe ndihma ndaj lojtarëve të dëmtuar apo sjelljet antisportive. Respekti ndaj gjyqtarëve vlerësohet nga 1-5 pikë. Po me këtë vlerësim është dhe sjellja e publikut: nga 1 deri në 5 pikë. Publiku cilësohet një përbërës i natyrshëm i futbollit.

Previous articleJakupi: Dua të vazhdoj me Teutën edhe sezonin tjetër
Next articleDoli në qarkullim libri “Vështrim historik mbi shëndetësinë dhe Spitalin e Durrësit” i Dr. Ali Sulës (shek XX)