Home Slideri Teuta, fitorja me Bylisin i jep shpresë durrsakëve për të dalë nënkampionë

Teuta, fitorja me Bylisin i jep shpresë durrsakëve për të dalë nënkampionë

teuta_1Teksa kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e kampionatit, në kampin durrsak besojnë ende se do ta arrijnë vendin e dytë. Gugash Magani, trajneri i Teutës, pas fitores në Ballsh ka theksuar se kampionati nuk ka përfunduar ende. “Në Ballsh nuk është fushë me lule, pasi Bylisi është një skuadër e fortë dhe me karakter, gjë që e tregoi edhe ndaj nesh. Natyrisht që ne erdhëm për fitore në Ballsh, por e arritëm atë me vështirësi. Gjithsesi, tri pikët e marra na kënaqin jashtë mase. Normalisht kemi dhe dy ndeshje për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pasi matematika nuk na lejon ende të jemi të sigurt. Duhet të luftojmë fort për të arritur dy fitore në dy ndeshjet e fundit, pasi vetëm kështu do ta arrijmë objektivin, edhe pse Flamurtari u ndal. Fitorja ndaj ballshiotëve ishte e rëndësishme dhe mjaft e vlefshme për ne. Ky ishte dhe fryti i punës së të gjithë djemve, të cilët dhanë shpirtin në fushë për të fituar këtë përballje. Nuk kishte si të shkonte kot gjithë ai mund”. Ndërkaq autori i njërit prej golave të shënuar në Ballsh Bledar Hodo ka pohuar se skuadra e tij nuk ka hequr dorë nga pretendimi për t’u rishpallur nënkampione. Hodo ka theksuar se durrsakët nuk do të dorëzohen dhe se do të luftojnë deri në momentin e fundit për ta arritur këtë objektiv: “Morëm një fitore mjaft të rëndësishme në Ballsh, e cila së pari në afroi më shumë me Europën, por në të njëjtën kohë na mban ende në lojë për të kapur vendin e dytë. Jemi vërtet të lumtur për fitoren, por fatkeqësisht kundërshtari ynë direkt Kukësi bëri detyrën, duke fituar thellë ndaj Flamurtarit, e për pasojë renditja nuk ndryshoi dhe këtë javë. Gjithsesi, janë akoma edhe dy ndeshje gjer në mbyllje të kampionatit dhe loja për të zënë vendin e dytë qëndron e hapur deri në momentet e fundit. Ne kemi një kalendar me të lehtë në letër se kundërshtari, ndaj jemi të bindur se i kemi të gjitha mundësitë për ta realizuar objektivin. Megjithatë, duhet ta shijojmë fitoren, pasi në sajë të këtij trepikëshi skuadra thuajse ka siguruar një biletë për në Ligën e Europës. Tashmë jemi përqendruar te dy ndeshjet e fundit, të cilat kemi besim se do t’i kalojmë me sukses”. Mesfushori Bledar Hodo i ka dhënë më shumë rëndësi fitores, e cila, sipas tij, kishte vlerën e një bilete për në Kupat e Europës. “Me këtë fitore skuadra thuajse e ka prerë biletën për të luajtur në Europë dhe kjo do të thotë shumë për ne, pasi jemi munduar gjatë gjithë kampionatit për një gjë të tillë. Ndaj Bylisit ne treguam karakter dhe fatmirësisht morëm atë për të cilën ishim përgatitur. Me ndalimin e Flamurtarit dhe Tiranës, kjo fitore merr vlerë të dyfishtë, sepse tashmë na duhet vetëm një pikë për të prenotuar një biletë për në Europë. Për t’u treguar të sinqertë, ky kapitull është mbyllur për ne, ndërsa tashmë jemi përqendruar tek objektivi tjetër, i cili është vendi i dytë. Janë edhe dy takime për t’u luajtur dhe ne kemi si synim t’i fitojmë që të dyja, ndërkohë që presim vetëm një gabim të Kukësit për t’u shpallur sërish nënkampionë”, – përfundoi Hodo.

Previous article180 minutat e fundit të sezonit do të vendosin nëse Teuta do të luajë në Evropë
Next articleMos u ngutni në vendosje rregullash… Parimi të jetë: Gjuhë sa më të thjeshtë e të lehtë