Home Slideri Teuta fiton sërish, vazhdon të ndjekë Skënderbeun

Teuta fiton sërish, vazhdon të ndjekë Skënderbeun

mancaku Teutës i ka mjaftuar një gol i Bledar Mancakut për të mundur Besën e Kavajës, duke ruajtur në të njëjtën kohë hapin e kryesuesve. Veterani i “djemve të detit”, Mancaku, që në minutën e 5-të i ka kaluar të tijtë në epërsi, gol që ka mbetur i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Por ky i fundit do të bëhej edhe protagonist për të keq, teksa në minutën e 70-të do dilte nga fusha me karton të kuq, duke i lënë të tijtë për më shumë se 20 minuta me një lojtar më pak. Gjithsesi verdhezinjtë nuk gjetën forca për të reaguar, teksa bregdetarët e Maganit ruajtën vendin e dytë, një javë para supersfidës me Flamurtarin e vendit të tretë në Vlorë. Bledar Mancaku nuk kishte si të shpëtonte pa u bërë protagonist në këtë derbi. Sulmuesi, përveçse shënoi golin e vetëm të ndeshjes, e la skuadrën e tij për rreth 20 minuta me dhjetë vetë. Gjithsesi, Teuta fitoi dhe ai është mjaft i lumtur. “Jam shumë i kënaqur që arrita të shënoja dhe që me golin tim skuadra mori fitoren. Por, në të njëjtën kohë, më vjen shumë keq që mora karton të kuq. Ishte një ndeshje mjaft e tensionuar, sikurse është një derbi, mirëpo për fat gjithçka përfundoi në favorin tonë. Golin ua dedikoj tifozëve të Teutës, të cilët nuk pushuan për asnjë moment së ndihmuari skuadrën”, – tha sulmuesi. Kujtojmë që ai ka qenë deciziv me golat e tij edhe në takimin ndaj Vllaznisë, pasi edhe në atë rast i pat dhënë tri pikë të arta Teutës. Sa i përket takimit të djeshëm ai ishte disi special për të, pasi luante ndaj ish-skuadrës së tij. Nga sezoni 2007 deri në 2010 ai mbajti veshur fanellën e Besës. Madje, edhe në gjysmën e sezonit 2010-2011 Mancaku luajti për verdhezinjtë duke shënuar në total 19 gola për këtë skuadër. Por dje sulmuesi, tashmë në krahun tjetër, u bë protagonist duke shënuar golin e vetëm të takimit dhe duke lënë në vendnumëro në renditje skuadrën kavajase. Ndërsa  trajneri i Teutës, Gugash Magani, në fund të takimit u shpreh i kënaqur nga interpretimi që të tijtë i bënë lojës në këtë ndeshje mjaft të rëndësishme dhe të vështirë. “E kisha përsëritur shpesh se kjo do të ishte ndeshja me delikate që nga koha kur unë kam marrë drejtimin e skuadrës. Kishim punuar shumë për këtë përballje dhe si përfundim u shpërblyem. Ishte një ndeshje e vështirë, por që ia dolëm mbanë duke e fituar. Jam shumë i kënaqur nga lojtarët, pasi kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë. Fakti që arritëm të shënonim shpejt ndikoi pozitivisht, ndërsa tensioni kaloi në anën e kundërshtarit. Besoj se e merituam fitoren. Zhvilluam një lojë të thjeshtë dhe pa gabime, por i rëndësishëm është trepikëshi”, – pohoi peqinasi, i cili regjistron tri fitore dhe një barazim në krye të pankinës bregdetare. Takimin tjetër Teuta e Maganit do të jetë mysafire në Vlorë kundër Flamurtarit të vendit të tretë.

Previous articleCheryl Cole “humb” , një performancë e nxehtë para publikut
Next articleVolejboll meshkuj/ Teuta e para në Top Volej Liga