Home Sport Teuta fiton dhe siguron Evropën

Teuta fiton dhe siguron Evropën

teuta futbollTeuta ka fituar minimalisht ndaj Laçit dhe ka siguruar zyrtarisht një biletë për në Europa Ligë. Ka mjaftuar një gol i mbrojtësit Tefik Osmani në pjesën e dytë të ndeshjes që durrsakët të merrnin këtë trepikësh. Në këtë 90- minutësh skuadrat u shfaqën tepër të kujdesshme, çka bëri që në “Niko Dovana” të zhvillohej një ndeshje nën nivelin mesatar. Trajneri Gugash Magani u gëzohet pikëve që e dërgojnë Teutën në Kupat e Europës, ndonëse për lojën ka pasur rezerva. “Me këtë fitore skuadra preu një biletë për në Europa Ligë, ndaj dhe vlen më shumë se çdo gjë. Jam i lumtur, pasi Teuta u shpërblye për punën e madhe të bërë, ndërsa shpresojmë që skuadra të vijojë me të njëjtin ritëm edhe në vazhdim. Nuk u paraqitëm mirë ndaj Laçit, por fakti që fituam më bën të mos e mbaj mendjen te kjo paraqitje. Tashmë duhet të mendojmë për Europën dhe të përgatitemi që të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion. Kam në dispozicion një grup lojtarësh, që kanë dëshirë të madhe për të punuar e fituar dhe kjo më bën të jem më i qetë. Gjithashtu, fakti që lojtarët janë të ndërgjegjshëm, e bën punën time më pak të lodhshme në drejtim të kësaj skuadre”, – u shpreh Magani. Osmani dhe Hoxha ishin lojtarët, të cilët ranë më shumë në sy dje. Korçari jo vetëm shënoi, por shfaqi siguri edhe në mbrojtje. Ndërsa Hoxha bëri një punë të palodhshme dhe lëvizi shumë në mesfushë. Autori i golit të vetëm të kësaj ndeshjeje, Tefik Osmani, pas saj u shpreh se: “Arritëm të fitonim dhe futemi në Kupat e Europës, ndërsa më gëzon fakti që isha unë që e shënova golin. Tani kemi dhe një ndeshje me Tomorin, ndaj të cilit duam që të kapim vendin e dytë. Ka qenë një sezon i lodhshëm, por fatmirësisht u kurorëzua me sukses. Tashmë duhet të punojmë fort, që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë kompeticion”. Ndërsa Daniel Xhafaj e ka cilësuar një sezon shumë të mirë këtë që po mbyllet. “Kemi zhvilluar një sezon mjaft të mirë, gjatë të cilit, përveç rezultateve, kemi fituar disa lojtarë të rinj, që do jenë e ardhmja e skuadrës. Ndaj Laçit nuk është se bëmë një paraqitje të mirë, por për ne e rëndësishme ishte fitorja. Nuk duhet të ndalemi, por të punojmë dyfishin për t’u paraqitur sa më mirë në Europa Ligë”, – u shpreh sulmuesi vlonjat.

Previous articleMancaku: Pas biletës për në Evropë duam vendin e dytë
Next articleDako uron besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve