Home Sport Teuta, edhe pushimet me disiplinë

Teuta, edhe pushimet me disiplinë

TeutaDurrsakët kanë filluar pushimet por edhe ato do të jenë brenda disiplinës dhe rregullave sportive. Pasi ka mbyllur zyrtarisht kampionatin, lojtarët janë shpërndarë, për t’u rikthyer shpejt dhe nisur përgatitjet për Kupat e Europës. Madje nga ana e drejtuesve të klubit është dhënë edhe një ultimatum, i cili konsiston në gjoba, nëse ndonjë prej lojtarëve shton në peshë, apo edhe bie nga forma. Kapiteni Bledian Rizvani është shprehur se kjo është në të mirë të skuadrës, pasi ajo duhet të jetë gati për t’u përballur në Europë. “Mendoj se kemi zhvilluar një sezon të mirë në përgjithësi. Në kampionat skuadra ka bërë një paraqitje të mirë, çka vërtetohet me arritjen e objektivit. Ndërsa kam rezerva sa i përket paraqitjes sonë në kupë, ku u eliminuam përpara kohe. Pas ndeshjes me Tomorin, kemi marrë pushimet, të cilat do të zgjasin deri me datë 3 qershor. Në fakt, nuk do të jenë pushime absolute, sepse të gjithë lojtarët do jenë të angazhuar me përgatitje individuale, në mënyrë që të mbajnë formën aktuale. Për shkak të ndeshjeve në Europë, përgatitësi atletik i skuadrës ka ndarë disa detyra për çdo lojtar, të cilat konsistojnë në aerobi, not, si dhe ushtrime të tjera si vrapime. Do t’i zbatojmë me rigorozitet, pasi në të kundërt do të ketë gjoba (qesh). Nëse ndonjë prej lojtarëve shton, sikurse edhe një kilogram nga pesha e tij, do të gjobitet. Për mendimin tim, kjo është normale, sepse përpara kemi ndeshjet e Europa Ligës dhe duhet që skuadra të jetë gati dhe në një formë jashtëzakonisht të mirë. Dhe e mira është që askush të mos i shkel këto rregulla. Fazën përgatitore mund ta zhvillojmë në Bullgari ose Maqedoni, ende nuk është përcaktuar”, – tha kapiteni. Në fund ai komenton edhe humbjen e pësuar në Berat. “Fakti që arritëm objektivin, bëri që ta merrnim lehtë këtë ndeshje dhe si pasojë dolëm me humbje prej saj. Gjithsesi, jemi të kënaqur për këtë sezon dhe nuk duhet ta mbajmë mendjen te humbja me Tomorin. Por, ajo çka më bën përshtypje, është fakti që u mundëm me rezultat të thellë. Ky kampionat u mbyll dhe tani duhet të mendojmë për sezonin tjetër”, – përfundoi portieri.

Previous articleErald Dervishi fiton turneun ndërkombëtar të shahut “Durrës Open”
Next articleOsmani: Pas ndeshjes me Norvegjinë do të vendos për të ardhmen