Edhe pak ditë dhe ethet e lëvizjeve të merkatos së janarit do të përfundojnë. Lëvizje të rëndësishme, shumë qarkullime e ndonjë rikthim në kampionatin shqiptar si ai i Jahmir Hykës. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare është zyrtarisht futbollist i Teutës.
Klubi durrsak e ka konfirmuar në rrjetet sociale afrimin më të fundit. Lojtari është prezantuar në ambientet e “Stadiumit Niko Dovana” dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën durrsake.
Një mungesë pothuajse 12-vjeçare, ishte sezoni 2010-2011 kur mesfushori i majtë ishte pjesë e Tiranës e më pas karriera e tij kaloi mes Zvicrës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Kinës. Një afrim me peshë duke parë kualitetet që disponon 33-vjeçari por edhe sepse do ti japë një dorë objektivave të Teutës siç është pjesëmarrja në Kupat e Europës.