Tesla ka publikuar performancën për tremujorin e dytë, me të ardhura neto sipër projeksioneve, falë shitjeve më të mëdha të makinave elektrike, ndërkohë që rriti çmimet e makinave dhe shkurtoi kostot. Megjithatë, ekzekutivi Elon Musk, tha se mungesa e mikroçipeve në botë ka sjellë mbyllje të përkohshme të fabrikave dhe se çështja qëndron serioze. Kompania ka raportuar të ardhura neto prej 1.14 miliardë dollarë, duke shënuar herën e parë që kalon 1 miliardëshin, dhe në rritje me 10-fish nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Për të parën herë që prej fundit të 2019-s, fitimet e Tesla nuk u varën nga shitjet e krediteve mjedisore ndaj prodhuesve të tjerë të makinave, ç’ka tregon për përmirësimin e pozitës financiare. Aksionet e kompanisë me vlerën më të madhe në botë të makinave, u rritën me rreth 2% pas publikimit. Tesla bëri të ditur se ka vonuar nxjerrjen në treg të programit të kamioncinave në vitin 2022, për t’u përqëndruar tek fabrikat dhe për shkak të disponueshmërisë së limituar të qelizave të baterisë dhe pjesë të tjera për këtë vit.