Nga Artur Llana / Më është dashur këto dy ditë të lëviz në disa zona të Qarkut të Durrësit dhe aq më shumë të marrë kontakte me disa nga kandidatët e mundshëm për deputetë të të dyja partive të mëdha po edhe të atyre që po quhen të vogla po që mund të bëjnë gjëmën e madhe me 23 qershor. Tek të gjithë takimet kam konstatuar se klima që mbizotëron tre muaj para zgjedhjeve është unikale për tu shënuar si njësia më e madhe matëse e terrorit që është instaluar për heshtur. Për të qenë më konkretë, po jap disa fakte. Kam qenë në zonën e Kënetës dhe kam takuar disa persona që janë të djathtë dhe të majtë. Të djathtët nuk më pritën fare dhe më thanë se po t’a merrnin vesh që i kisha takuar do t’i përjashtonin nga partia dhe madje as edhe ata që ishin drejtues nuk do t’i flisnin më me gojë. E kam parë këtë fillimisht si një qëndrim kritik që PD-ja ka mbajtur ndaj qeverisjes dhe pse shumë nga ata që rrahin gjoksin janë ardhacakë të palegalizuar në PD. Po e njëjta klimë ishte edhe kur tentova të takoja të majtë me bindje. Të vetmin takim që bëra u detyrova të fik celularin, pasi personi kishte një lokal dhe e kishin porositur se nëse nuk do të ndihmonte PD-në me 24 të gjente vend për tu futur. Me kaq prapë do të isha i lumtur pasi prej 18 vitesh si gazetar unë e njoh mirë pellazgjishten e pushtetit, e njoh mirë këtë vend ku me një thes miell mund të mbash edhe komunistë në pushtet apo edhe më keq ku me paratë e një jevge si sudja mund të dalësh edhe 120 përqind. Kam tentuar ta kalojë fundjavën në fshat, në atë fshat që e kam nder dhe nuk e kam mohuar kurrë, po njeriu i parë që më doli para më tha se duhet të kisha kujdes pasi kishte ardhur situatë e veshtirë. E ftova për kafe në të vetmin lokal që ka fshati, po më tha se nuk mund të vinte jo nga mungesa e lekëve, po nga prania e frikës. Ishte aq i terrorizuar saqë kur i dhashë një kopje gazete jo vetëm që ju duk si pako droge, po ulëriti duke thënë se ajo gazetë po ma hante kokën. E lashë si rast kalimtar në fshatin ku themelova së bashku me babanë partinë që do të vriste frikën dhe nuk arrija ta kuptoja se kush e kishte kultivuar këtë frikë. Nuk po egzagjeroj asgjë, po nëna më porositi se duhet të kisha kujdes se po shaja PD-në dhe komshinjtë i kishin thënë se mund të më vrsinin. Babai në varr për të qenë të lirë, nëna e gjallë duke më thënë se frika ishte hija që po më ndiqte pas. Kur i shpjegova se kush ishte puna ime dhe se nuk i kasha askujt asnjë borxh, mu përgjigj: këto janë maskarenj ë keqen moma, janë ata që nuk kanë lënë gjë pa bërë për 50 vjet. Kurrë nuk e kisha menduar se komunistët e PD-së ishin bërë kaq të këqij. Pasdite kam ndaluar në zonën e Shkozetit dhe në lokalin e parë që u ula pashë një biznesmen që ka një biznes fason. Desha ta përshendes dhe madje edhe ta qeras, po kur grita kokën kishte ikur dhe kamarieri më tha se porosinë vinte e pinte nesër se po ta shihnin me mua bëhej nami!!!. Ika nga Shkozeti dhe u futa në Durrës, u futa në atë zonë, ku njeriu ka ëndërruar më shumë se kurrë lirinë. Edhe pse lokali kishte pronar durrsakë, klientë ishin ca policë civilë dhe me uniform që nuk e flisnin dot gjuhën durrsakshe. Nuk kam kurrë punë me policët me përjashtim të rasteve kur ata janë miq të mij në kohën e lirë. Mesa duket kishin ata punë me mua. Të vjen ndot kur një titullar policie lëshon nga goja fjalë se do ta shohin socialistët me 24 qershor. E mëshirova atë njeri që nuk mu nda nga sytë dhe kur nuk e kisha më përballë. Kur u nisa për në shtëpi, një kryetar seksioni që kishte marrë dozën fliste pas meje me zë të lartë se fitorja ishte e sigurtë, dhe aq e besueshme ishte kjo sa që kur ai po fliste, i binte zilja. Deputetët e djathtë kanë frikë të takojnë gazetarë se i paragjykojnë, përvec mediave që i paguajnë me taksat e shqiptarëve, deputetët e majtë kanë frikë se ju prish punë, dhe e vetmja gjë për të cilën pyet veten njeriu është si është e mundur pas 22 vjetësh që demokracia të ketë njësi matëse terrorin. Kjo e ka një shpjegim, terrori është përpjekja e fundit për të bindur veten se po dorëzon pushtetin. Ai zgjat deri aty saqë vjen ajo që quhet e nesërmja. Ata që janë bërë garipa dhe cupa me pushtet, do të fshihen ca ditë dhe më pas do të dalin turpsisht për të thënë se kjo ishte jo zgjedhja e tyre po e sistemit. Është njësoj si ajo barcoleta me atë lopën që ishte në një livadh dhe ku tre dema kërkonin të shkonin të bënin seks. I pari që tentoi ngeli në gardh, po ashtu dhe i dyti. Demi i tretë, pra pushtetari i tretë e kaloi gardhin dhe ndërsa ju afrua afër lopës i tha se si e kishte emrin: Shamikuqja tha ajo, po shaminë e kam harruar në stallë! Dhe ndërsa pyeste demin për emrin ai ju përgjigj: bolemadhi, po bolet i lashë te gardhi. Kam frikë se gardhi është 23 qershori!