Home Aktualitet Tërmeti i fortë në 6 shtete! IGJEUM: Ishte 6 ballë

Tërmeti i fortë në 6 shtete! IGJEUM: Ishte 6 ballë

Tërmeti me intensitet 6 ballësh dhe magnitudë 5.6 të shkallës Rihter shkundi mbrëmjen e kaluar gjashtë shtete. Tërmeti kishte epiqendrën në Follorinë, qytet në veri të Greqisë në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe është ndjerë deri në Kosovë. Shtetet e prekura nga lëkundjet janë: Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit me anë të njoftimit zyrtar bënë të ditur se epiqendra është lokalizuar 40 km në Veri Lindje të Bilishtit, ndërsa intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64.

Tërmeti me thellësi 14.3 km është ndjerë në shumë zona të Greqisë se Veriut, në krahinën e Maqedonisë Perëndimore, Qëndrore deri në Selanik, por edhe me tej në jug deri në qytetet e Trikallas dhe Larisës. Banorë të Follorinës kaluan natën jashtë banesave të tyre pasi kishin frikë për të qëndruar brenda.