Nuk është sekret që shumë njerëz janë të fiksuar me blerjet online. Ky fiksim rritet edhe më shumë gjatë periudhës festive kur krahas blerjeve personale, jemi të prirur të zgjedhim dhe dhurata për njerëzit tanë të afërt.
Për shumë arsye blerjet arrijnë të kthehen në një problem të vërtetë. Sipas studimeve 5% e të rriturve vuajnë nga fiksimi për blerjet, që rezulton një çrregullim dhe njihet ndryshe si “BSD”. Sipas kërkimeve të fundit po mendohet që ky lloj çrregullimi të njihet zyrtarisht si sëmundje që lidhet me shëndetin mendor. Kjo për faktin se është një fenomen që ndikon në jetën e njerëzve. Sipas një studimi të publikuar së fundmi, problemi është zhvendosur plotësisht tek blerjet online.
BSD që quhet ndryshe edhe “blerje impulsive” është një miksim i çrregullimit të fiksimit dhe impulsit. Ky çrregullim shoqërohet nga një shqetësim i vazhdueshëm për të bërë blerje. Pjesa më e madhe e blerjeve që bëjnë këto njerëz janë gjëra krejtësisht të panevojshme, madje shpeshherë shpenzojnë më shumë se mund të përballojnë.
Impulset për të blerë janë vërtetë të pakontrollueshme por ajo që është më e dëmshme janë goditjet pasi bëhen blerjet. Këto të fundit shoqërohen me ndjesinë e vazhdueshme të pendesës dhe fajit. Më e mira që mund të bëjnë këta njerëz është të kërkojnë ndihmën e një specialisti. Gjithashtu për t’u shëruar nga ky çrregullim duhet të fokusohen në pasione dhe dëshira të tjera. |Bulevard News|