Në ditën e 17-të tensioneve në veri të Kosovës, Policia ka kërkuar përforcime me mjete policore, ku mësohet se ka nënshkruar një kontratë, që parashihet të kushtojë deri në 124 mijë euro, për marrjen me qira të “makinerive të rënda” nga një kompani private që merret me thyerjen e gurit.
Bazuar në të dhënat e publikuara në platformën e-prokurimi.Kontrata mes Policisë së Kosovës dhe kompanisë private “All Stone Sh.p.k.”, me bazë në Obiliq është lidhur të hënën përmes një procedure urgjente të prokurimit. Sipas kontratës, Policia e Kosovës do të marrë me qira “makineri të rëndë” nga kompania “All Stone Sh.p.k”.
“Të dhënat e publikuara në platformën shtetërore e-prokurimi, nuk tregojnë detaje mbi marrëveshjen mes palëve. Nuk dihet se cilat pajisje “makineri e rëndë” do t’i shfrytëzojë me qira Policia e Kosovës”, raportojnë mediat kosovare, ndërsa kanë publikuar dhe dokumentin e kontratës së nënshkruar nga Policia e Kosovës.
Një ditë më parë një ekip i KFOR-it u sulmua në Zubin-Potok, por fatmirësisht nuk u raportua për të lënduar. Pjesëtarët e KFOR-it, siç bëjnë me dije edhe mediat kosovare janë nga Letonia. Reagime ka patur nga mediat serbe dhe presidentja e Kosovës mbrëmjen e djeshme. Sot KFOR-i ka konfirmuar se janë dëgjuar krisma armësh pranë patrullës e cila ishte duke monitoruar gjendjen. Gjithashtu, njoftohet se lidhur me rastin janë duke u kryer hetime. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi lidhur me rastin duke u shprehur se këto janë lojërat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe instrumentat e tij kriminale po vazhdojnë.