Home Kosova Tensionet Kosovë-Serbi/ Hill: Të përfundohet Asosacioni dhe më pas propozimi franko-gjerman

Tensionet Kosovë-Serbi/ Hill: Të përfundohet Asosacioni dhe më pas propozimi franko-gjerman

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill ka thënë se fillimisht duhet që të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman. Mediate korosvare raportojnë se, këto deklarime Hill i ka bërë në muzeun “Nikola Tesla” pas nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe USAID-it. Sipas diplomatit amerikan, një herë duhet të përfundohet Asociacioni dhe më pas të vazhdohet me propozimin franko-gjerman.

“Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, ka thënë Hill.

Propozimi evropian parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Diplomatët sërish vunë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Autoritetet në Prishtinë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se nuk mund të bëhet një mekanizëm një etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së vendit. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar për Kosovën dhe duhet të zbatohet. Qeveria e Kosovës ritheksoi se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme, por nuk komentoi kërkesën e vendosur për Asociacionin, themelimi i të cilit për Beogradin është kusht që serbët në veriun e Kosovës të kthehen në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar mes tensionesh lidhur me përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Previous articleRevoltohet opozita: Rama dhe PS po na marrin dhe Luiz Ejllin
Next articleBraçe për grumbulluesit: Japin para me fajde! Kanë rrjepur bujqit dhe pa pikë turpi duan të hyjnë në politikë