Tirana mundi më shumë veshtirësi me një gol ne minutën e 100 në transfertë ndaj Kastriotit në ndeshje mjaft të tensionuar.
Në minutën e 13-të, edhe me ndihmën e VAR, kryeqytetasit fituan një penallti teksa nga pika e bardhë Florent Hasani gaboi. Sulmuesi u hipnotizua nga portieri Sali që kuptoi krahun dhe shpëtoi skuadrën e tij nga goli. Në vijim të dyja skuadrat kërkuan me ngulm golin por pa mundur të konkretizonin në portat respektive.
Në fund, të dyja ekipet e mbyllën ndeshjen me 10 vetë pasi në të 80-tën, me Çelën që i vendosi duart në fyt Hasanin me sherrin që përfshiu të dyja kampet. Në fund, Çela dhe Aleksi dolën me të kuq me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund. Goli vendimtar i sfidës u realizua në minutën e 100 nga Nikqi me kokë, duke dëshpëruar tej mase krutanët që zhyten në vendin e fundit. Pas kësaj ndeshje, Tirana ruan kryesimin me 38 pikë ndërsa nga ana tjetër, Kastrioti mbetet në vendin e fundit me 21 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Vllaznia ngec në një barazim pa gola në transfertë ndaj Egnatias. Pas triumfit me Tiranën, shkodranët nuk ia dolën të ruajnë vazhdimësinë dhe në Rrogozhinë nuk mundën të konkretizonin ndërsa vendasit patën gjithashtu mundësi për të fituar teksa Jackson u ndal nga shtylla. Në fund, kuqeblutë duhet të kënaqen me një pikë teksa ruajnë vendin e tretë me 35 pikë ndërsa Egnatia mban vendin e katërt me 31 pikë.