Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare përmbylli punimet e edicionit të 41-të. Sipas organizatorëve, ky edicion i sivjetmë i seminarit arriti ta vazhdojë traditën si kryengjarje e albanologjisë dhe përmbushi misionin e seminarit- afirmimin e shqipes kudo në botë. “Seminari i përvitshëm ka bërë për vete edhe albanologë dhe etnologë nga vende të tjera, duke sjellë emra të njohur ndërkombëtarisht të gjuhësisë.
Prania e emrave të shquar në fushë të studimeve albanologjike dhe shpalosja e rezultateve të tyre shkencore, si dhe interesimi i madh i seminaristëve për ta mësuar shqipen, janë tregues të rëndësishëm të mbarëvajtjes së edicionit të 41-të të seminarit të Prishtinës”, thuhet në faqen e seminarit. Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare vlerësohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe kontributin më të madh në fushën e shkencave albanologjike. Edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajt prej14 deri më 25 gusht 2023, ku nuk munguan dhe gjuhëtarë dhe studiues nga Shqipëria. Temat bosht për sesionet shkencore ishin “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”. Në kuadër të këtij edicioni, përveç aktiviteteve të tjera, u mbajtën nëntë ligjërata shkencore.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i njohur në fillim si Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj, është një takim i përvitshëm dhe i rëndësishëm shkencor e profesional nga fusha e shkencave albanologjike, i cili që nga viti 1974 tradicionalisht organizohet në Prishtinë. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë. Nga viti 2000 seminari vepron sërish në Prishtinë. Me kalimin e kohës, kjo ngjarje është shndërruar në një shkollë të llojit të vet nga fushat e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare si dhe të albanologjisë në përgjithësi.