Home Aktualitet Teatri i Durrësit në zi, ndahet nga jeta aktori i njohur Lutfi...

Teatri i Durrësit në zi, ndahet nga jeta aktori i njohur Lutfi Hoxha: Kinemaja të bën të njohur dhe të kamur, teatri të jep jetë

Ndahet nga jeta në moshën 89 vjeçare ‘Mjeshtri i Madh’, Lutfi Hoxha, aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe kinematografi.

Lutfi Hoxha e ka sfiduar moshën vetëm përmes emocioneve të skenës. Ai ishte pjesëmarrës në disa nga premierat e fundit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, pikërisht aty ku hodhi hapat e parë të profesionit në vitin 1953.

Në 66 vjet jetë artistike si profesionist ai ka “bashkëjetuar” me 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.

Ne vitin 2018 ai interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.

Lutfi Hoxha ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend. Lutfiu kishte intepretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës. Lutfi Hoxha ka realizuar figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj. Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro çomorës; “Martesa” e Gogolit; “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit. Pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, Valsi”, për të mbërritur te filmi “Ne dhe Lenini”. Rolet e karaktereve gjetën te Luti një interpret shumë të aftë, ndërsa kolegët e tij aktorë dhe regjisorë ndjeheshin mirë përkrah djaloshit, që do të thinjej në skenë. Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjaçarë radhazi dhe komedia ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e Stefanit dhe aktorëve të tjerë pjesmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.

Intervista e fundit dhënë për bulevard news/ Mjeshtri i madh Lutfi Hoxha: Kinemaja të bën të njohur dhe të kamur, teatri të jep jetë

Jeta e çdo aktori është sa tërheqëse edhe mbresëlënëse. Ndërsa mendon se i ka thënë të gjitha, shpalosen të tjera ndodhi dhe episode interesante të përjetuara në skenë. E tillë është edhe jeta e artistit, Mjeshtrit të madh, Lutfi Hoxha. Aktori i karaktereve të forta komike e satirike si dhe protagonisti në role të spikatuara në shumë filma, e nisi karrierën në moshën 17-vjeçare. Vetëm dy vite aktivitet artistik i kanë mjaftuar për të tërhequr vëmendjen si talent. Artisti ka përjetuar gëzimin e rrallë ngase së bashku me emrat e mëdhenj të teatrit themeluan trupën profesioniste të Durrësit në maj të vitit 1953. Edhe pse vetëm pak orë e ndajnë nga festimi i 80-vjetorit të lindjes, aktori ka vendosur të qëndrojë në skenë; energjik, i kthjelltë dhe plot besim. Janë mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 25 të tjerë në kinematografi. Por ende nuk e ka shuar etjen që ndien për skenën. Një vit më parë, në moshën 79-vjeçare u bë protagonist kryesor në rolin e Tezeut tek “Ëndërr e një nate vere” e Shekspirit. E kishte pritur gjithë jetën të takohej me tragjedianin e madh, ai dhe trupa e Durrësit. Aktori është galeri e madhe, ekspozitë e pashterrshme, revistë me shumë faqe të mbushura plot përjetime. Mjeshtri i madh nuk e fsheh adhurimin e madh që ka për teatrin krahasur me kinemanë. Gjithandej në biseda dhe intervista dëshmon se është ndier shumë më mirë dhe më pranë publikut teksa ka qenë në skenën e teatrit. I pëlqen ta shohë e ta ndiejë publikun pranë vetes, të rrokë dorën me të, të komunikojë drejtpërdrejtë, të gëzohet dhe hidhërohet si dhe publiku për fatin e heroit. Bashkëpunoi me regjisor shumë të njohur edhe në teatër, edhe në kinematografi dhe një përvojë të tillë e ka cilësuar si suksesin e tij dhe të trupës.
Teatri
Qenë pjekur të gjitha kushtet. Edhe pse amatorë, protagonistët e skenës në festivale të teatrove amatore dhe estradave pranë ndërmarrjeve institucioneve e shkollave në Durrës kishin gatuar brumin për të gatuar teatrin. Lutfi Hoxha në atë periudhë nuk kishte mbushur të 17 vitet teksa bëhet pjesë e grupit artistike. Klubi i portit në qytetin bregdetar ishte më i miri dhe thuajse gjithnjë fitonte çmim të parë. Kishte disa aktorë amatorë të tillë në ndërmarrje të ndryshme, por në port qenë mbledhur humoristë, instrumentistë dhe aktorë që vetëm dy vite më pas do të jenë edhe themeluesit e estradës dhe teatrit të Durrësit. Një ndër ta qe edhe Lutfi Hoxha i cili do të ftohet për t’u bërë pjesë e teatrit profesionist në qytetin e tij të lindjes. Me 11 janar 1953 legalizohet krijimi i teatrit të Durrësit dhe kjo jo në mënyrë rastësore. Ishte meritë e teatrit amator që hodhi hapin drejt finalizimit, Tre çmime të para të njënjëshme fituan në vitet 1949-51 me “Ishulli i paqes”, “Invadimi” dhe “Urdhnoni në Zvonkovo”. Kjo bindi jurinë dhe asokohe ministrinë se Durrësi meritonte të kishte teatrin e vet profesionist. Vite të tera grupe teatrore amatore në ndërmarje, kantiere, port, shkolla e institucione kishin mundur të gatuanin një numër të mëdhenj artistësh të zellshëm për teatrin ndaj edhe themeluesit ishin të bindur se talentet do të shtoheshin dhe se Durrësi do të konkuronte denjësisht me çdo teatër dhe trupë teatrore në Shqipëri. Sulejman Pitarkës, Nikolin Xhoja, Vanxhel Heba, Teodor Rupi, Vera Uruni,Merope Xhoja, Margarita Gallani, Gaqo Spiru, Spiro Uruni, Semiha Ishmi dhe djaloshi 19-vjeçar Lutfi Hoxha do të jenë përjetësisht emrat e parë që ngritën trupën e re teatrore profesioniste. Me ta qe edhe Lazer Vlashi i cili qëndroi pak kohë pasi u transferua në Tiranë ku u bë pjesë e teatrit popullor. Fill pasi kësaj ngjarje të madhe të shënuar edhe në kalendarin e krijimit të teatrit, Hoxha mobilizohet në shërbimin ushtarak duke u aktivizuar edhe atje në teatrin e ushtrisë. Djaloshi, si gjithë të rinjtë e kohës, qe shtruar në disa sporte si në mundje, not, boks. Në mbresat e tij për vitet e rinisë së hershme aktori Hoxha kujton se së bashku me të rinjë të tjerë qëndronin në det për dy orë dhe sapo pinin një cigare në rërë ktheheshin sërish për të qëndruar po aq sa dhe më parë. Në këtë moshë të re nis e ndihet edhe aftësia e tij për të bërë humor, për të imituar dhe për të dalë në role protagoniste. Vendosi të lërë mënjanë pasionin e madh për sportet për t’ia kushtuar të gjithë vullnetin dhe punën përgatitjes si aktor. Nxitur nga familja dhe mjedisi shoqëror kërkon të marrë dije profesionale. Kështu regjistrohet në liceun “Jordan Misia” në Tiranë dhe e përfundon atë në vitin 1962.

Aktori
Pasioni dhe puna janë dy cilësi që kanë shoqëruar tërë jetën aktorin e madh të teatrit të Durrësit që sot gëzon së bashku me familjen, aktorët dhe dashamirësit e artit 80-vjetorin e lindjes. Lutfi Hoxha, njëri nga nismëtarët e themelimit të teatrit të Durrësit, teatër që mban emrin e aktorit të madh shqiptarë me famë botërore, Aleksandër Moisiu, ka shumë për të thënë për rrugën e gjatë të teatrit, për mbresa e kujtime të pashlyeshme, për miqtë e shokët që nuk i ka pranë. Skena ka qenë jeta dhe familja e tij së cilës i kushtoi vitet e gjata të karrieres. U ngjit në skenë si amator tek klubi i portit pa mbushur të 17 vitet, ndërsa vazdhon të qëndrojë në skenë edhe sot. Më shumë se 60 vite mes artëdashësve. Lutfi Hoxha ka fituar një nga një lavde e tituj që kanë shkuar duke mbajtur fort njëri-tjetrin. Aktori është nderuar me “Mirënjohja e qytetit”, “Nderi i qytetit” të Durrësit, Urdhëri “Naim Frashëri” klasi III, II, I; ka fituar titullin “Artist i merituar” dhe së fundi edhe “Mjeshtër i Madh”. Të gjitha këto vlerësime janë përpjekje dhe punë plot përkushtim të cilat në këtë 80-vjetor të lindjes së tij do të rishfaqen me po atë vlerë dhe nderim si dhe ditën kur u ngjit në skenë për të falenderuar juritë e komisionet që e kanë vlerësuar për merita të veçanta. Shumë interesante në karrierën e tij si artist është fakti se aktori ka mundur të lozë në moshë shumë të re, role të moshës së madhe duke iu përshtatur më së miri. Komikja ka qenë ndër më të spikaturat në galerinë e aktorit, ndërsa me shumë mjeshtëri është shkrirë në dramën kombëtare dhe atë klasike. Hoxha është personazh i skenës dhe kinemasë duke tërhequr paralelisht vëmendjen e regjisorëve dhe simpatinë e shikuesit. Në teatër numërohen më shumë se 100 role, ndërsa në kinematografi mbi 20-25 të tilla dhe në të gjitha rastet në role kyçe. Regjisori i tij i parë është Gjergj Vlashi. Nuk kishin ndonjë diferencë të madhe në moshë, diku 3-4 vite më i rritur ishte regjisori, por aktori kujton se pak kush kishte intuitën dhe kulturën e Vlashin në ato vite. Madje është Vlashi ai që e ka pikasur talentin e Hoxhës dhe ia ka afruar grupit të përzgjedhjes duke sistemuar me kujdes cilësitë dhe veçoritë në karakterin e të riut Lutfi Hoxha në vitet 53. Të tillë opinion do të kenë edhe regjisorët e tjerë me të cilët ka bashkëpunuar protagonisti karaktereve shumë të spikatura në teatër dhe kinematografi. Rolet që kanë lënë gjurmë të forta në teatër dhe të lozura nga Mjeshtri i madh, Lutfi Hoxha janë: “Vatra e huaj”, “Kush asht fajtor”, Dy vëllezër e gjysëm”,  “Martesa”, “ Lugajanët”, “Hija e natës”, “Korbi i bardhë”, “Fejesa e Sofisë”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Revizioni”, “ Dy me zero”, “Parajsa dhe ferri”…Të njëjtin sukses do të korrë edhe në rolet kinematografike në në: “Detyrë e posaçme”, “ Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Nata e parë e lirisë”, “Unë dhe Lenini”… Artisti prej 25 vitesh është në pension, ndërsa nuk është ndarë për asnjë çast nga skena. Madje pikërisht në këtë periudhë të dytë të karrierës ka edhe suksese kulmore.  E kësaj natyre është bashkëpunimi me trupën e Durrësit dhe teatrin kombëtar tek pjesa “Korbi i bardhë” me autor e regjisor Mihal Luarasi, ndërsa kinematografia i ka bërë të njëjtën ftesë nisur nga cilësitë e forta të karakterit si aktor. Rolet e tij komik e satirik në teatër kanë qenë shumë të mirëpritur. Vetëm një vit më parë Mjeshtri i madh është ngjitur në skenë për të lozur rolin e babait që kundërshton dashurinë e së bijës me atë që dashurohet tek vepra Shekspirit “Ëndërr e një nate vere”. Ishte e para herë që trupa e teatrit të Durrësit vendoste në skenë vepër të dramaturgut dhe tragjedianit të madh anglez U. Shekspir, ndërkohë që edhe aktori e kishte pritur me shumë gëzim lajmin. Artisti, mjeshtri i skenës Hoxha gjatë gjithë karrierës së tij nuk kishte pasur kurrë fatin të lozte personazhe të tragjedive shekspiriane ndaj edhe iu përkushtua me shumë seriozitet rolit. Përkushtimi ishte obligim për çdo rol, megjithatë këtë herë kishte brenda shumë më shumë emocion. Skena ka qenë gjithçka për trupën e teatrit dhe të estradës ndaj aktori ka shumë kujtime. Publiku shumë i etur dhe me dëshira të pashterrshme nxiste regjisorët dhe aktorët të kërkonin sa më shumë modele, karaktere, pjesë, situata, ndodhi dhe episode. Të gjithë së bashku zgjidhnin komedi e drama që plotësosin dëshirat e tyre. Hoxha dhe të tjerë aktorë të teatrit të Durrësit e kanë prekur disa herë lavdinë dhe kjo i shtynte që çdo pjesë që interpretohej të ishte edhe më e arrirë se e para për të mbajtur të mbërthyer publikun pas skenës. Hoxha mban mend se në saj të një programi të detajuar kanë dhënë shfaqje e pjesë edhe në Kavajë, Lushnje, Elbasan, Berat e në shumë qytetë e fshatra pasi në atë kohë nuk kishte trupa të tilla profesioniste në këto qytete të mëdha. Publiku i shikonte si ngjadhënjimtarë, si heronj dhe kjo i motivonte shumë. Vetëm Teatri Kombëtar, Shkodra dhe Korça kishin trupë profesioniste, ndaj trupat e këtyre teatrove së bashku me Durrësin ishin gjithçka për të përmbushur argëtimin e publikut. Në ato vite fare pak familje kishin radio, ndërsa televizorët tregtoheshin me autorizim. Ndaj estradat dhe teatrot si dhe grupet e ndryshme artistike kishin ndikim shumë të madh. Pasioni i shtynte aktorët të ndiheshin të palodhur dhe të gatshëm duke dhënë deri në 4 pjesë të ndryshme brenda jave në qytet me qëllimin e argëtimit sa më të mirë, ndërsa në një vit trupa e Durrësit realizonte 4-5 premiera. Aktori kujton se për të përmbushur detyrime të tilla lypsej jo vetëm punë, por edhe sakrificë.  Burrërimi i teatrit vjen në kohën që trupa shtohet me aktorë të rinj si  Filika Ujkaj, Ali Bega, Haxhi Rama, Mirush Kabashi, Kadri Pirro. Durrësi dhe trupa e “Aleksandër Moisiut” fitoi emër shumë të mirë, vuri në skenë pjesë plot jetë ndaj edhe u bë protagoniste për të fituar vendin e parë në takime kombëtare. Aktorët kishin marrë fizionomi të plotë. Këtu zë fill edhe fitimi i titujve nga një pjesë e konsideruar e trupës e cia arriti majat duke ia shtuar teatrit të Durrësit nderet me “Artist i  merituar” dhe “Artist i Popullit”
Shpërngulja
Lutfi Hoxha rrjedh nga një familje atdhetare dhe patriotike e Dibrës së Madhe. Si klerik, dhe arsimdashës u renditën në anën e përfaqësuesve dhe parisë së vendit të cilët ishin kundër copëtimit të Shqipërisë në vitin 1913. Fryma e tyre nacionalistë u nxorri jo pak telashe dhe për shkak të konfrontimit me administratën e atjeshme turke u shpërngulën nga krahina tyre për t’u sistemuar në Durrës diku rreth viteve 1918. Xhaxhallarët kishin kryer funksione të larta administrative. Abdurrahim Hoxha shërbeu si prefekt në Koplik e në Vlorë, kurse Osman Hoxha prefekt në Burrel.Me shumë kulturë dhe ndikim në shoqëri kishin edhe i ati, Mazllum dhe gjyshi Adem të njohur si përkrahës të Pavarësisë. Rreth 40 kurorë të fisit Hoxha u shpërngulën drejt Durrësit duke çelur një etapë të re sidomos në investimin intelektual për arsimimin e fëmijëve të qytetit të Durrësit. Po nga ky fis ka edhe intelektual të dëbuar forcërisht dhe të internuar nga regjimi. Mithat Hoxha internohet në Mathauzen, kurse Fadil e Astrit Hoxha përhapnin dije. Shumë prej tyre dhe të tjerë kishin studiuar në Kastriot të Peshkopisë dhe që andej në Shkodër, e njohur si vatër e shkollimit fetar dhe profesional. Shkodra kishte shkollën franceskane, atë jezuite, arsimi teknik dhe profesional dhe qe vatra më e madhe e dijes në veriun e vendit që përgatiste të rinj me diploma. Përgjithësisht mësimdhënësit dhe kleri ishin shqiptar të arsimuar në Austri, Poloni, Bullgari, Rumani, Itali… Ndërsa për ta bëhet jo vetëm e vështirë, por deri e pamundur qëndrimi në Dibër të Madhe për shkak të pozicionit që kanë mbajtur disa nga krerët e fisit Hoxha. Edhe degdisja për në viset e largëta turke, ku ishin strehuar shumë familje shqiptare në fundin e shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20 nuk ishte e udhës për të njëjta arsye. Rruga drejt Durrësit qe shumë e vështirë. Largësia që njëra anë. Bashkë me të rritur u detyruar në marrin udhën edhe fëmijë e të moshuar karvani të cilëve kërkonte më shumë vëmendje. Pasi u sistemuan fillimisht si mundën dhe në rrethana disi të vështira, nisën të përshtaten dhe të rehatohen me kalimin e kohës. Nuk shkoi shumë dhe qyteti i vogël me jo më shumë se 8000 banorë në fillim të shekullit të kaluar do të krijojë respekt ndaj tyre.Këtu iu përkushtuan me zell ushtrimit të profesioneve mes të cilave spikat ai mësimdhënës.
Cili mbetet roli më i dashur, më i vështirë, më i përkedhelur?
Vështirë të tregohem thellësisht i saktë. Artisti sapo mëson rolin i përkushtohet tërësisht. Përfshihet nga pasioni, këmbëngulja, guximi për të bërë më të mirën për vete, për trupën dhe për publikun. Çdo sektor kërkon frymë kolektive, por estrada, teatri, kinemaja nuk mund të jetojnë pa të. Kolektiviteti dhe këmbëngulja për të bërë më të mirën e mbajnë gjallë artistin. Para se të dilja në skenë thosha “Këtë rol mund ta bëjë edhe ky, edhe ai, edhe tjetri. Kur dilja në skenë para publikut i thosha vetes: këtë rol nuk e bën askush më mirë se ti, askush”. Premierën e parë në teatrin profesionist e kam lozur në pjesën “Vajza nga fshati” të Fatmir Gjatës me regjisor Pandi Stillo dhe loza rolin e fshatarit. Isha fare i ri dhe me pantallona të shkurtra. Më adhuronin publiku ndërsa aktorët e rritur e me përvojë më shikonin me shumë admirim. Më lartë e kam thënë se kur kam qenë fare i ri kam lozur role që i përkisnin moshës së mesme e të thyer. Kam dalë me sukses.  Në një rol unë jam bërë Babai i aktorit Nikolin Xhoja edhe pse ishte më shumë se 10 vite më i madh sesa unë. Teatri më ka argëtuar dhe gëzuar vitet më të mira të jetës. Në kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak kam luajtur me Teatrin Kombëtar dhe ajo kohë qe përvojë e mirë për mua. Me komedinë e Dionis Bubanit “Bileta e llotarisë”.me rolin e xha Sokratit si dhe me rolin e Skapenit në komedinë klasike “Dredhitë e Skapenit” të Molierit apo  atë të dajës së dy vëllezërve në dramën e Gjergj Vlashit “Dy vëllezër e gjysëm” solla një lojë cilësore. Kam bashkëpunuar me regjisor shumë të pasionuar si: Panajot Kola, Pandi Stillu, Vangjel Heba, Kujtim Spahivogli, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Mihal Luarasi.Të gjitha rolet për mua dhe për çdo aktor është i dashur, i vështirë, i admiruar
Jo pak role e sukses keni prekur edhe në kinematografi.
Kështu ndodh me artistët: edhe në teatër, edhe në estradë, edhe në kinema. Kinemaja qe përvojë shumë e mirë për mua dhe jo vetëm. Edhe të tjerë aktorë këtë mendim kanë.  Në moshën 73 vjeç kam qenë aktor protagonist në filmin “Ne dhe Lenini” dhe që është pritur mjaft mirë nga shikuesit, ndërkohë që jo pak interesim ka ngjallur edhe tek kritika e huaj.  Tek “Ne dhe Lenini” u transformova në plaku Musa, i braktisur nga familja dhe shoqëria dhe që përfundon në një azil. Ky film më dha mundësi të lozë me yjet e kinemasë si Margarita Xhepa dhe Robert Ndrenika. Të punosh me regjisor si Kristaq Dhamo, Femi Oshafi, Gëzim Erebara, Esat Mysliu, Sajmir Kumbaro është detyrim, kënaqësi dhe përvojë me shumë mbresa të pashlyeshme. Ata janë profesionist të niveleve ndërkombëtare dhe çdokush aktor do të pranonte të sakrifikonte pambarim dhe shumë gjëra mjafton të ishte pjesë e bashkëpunimit me ta.
Nëse do vendoseshit përballë alternativës së zgjedhjes mes teatrit dhe kinemasë nga do të shkonit?
Teatri ka mision shumë të lartë. Jep mesazhe të drejtpërdrejta, kultivon shijet, të jep atë që duhet. Teatri e sheh aktorin të gjallë, në skenë, të mishtë, me gjak e nerv. Teatri është jeta ime e vërtetë. Aty je i gjallë përballë një publiku që të ndjek dhe që është shkrirë e tretur me aktorin. Kinemaja të bën të njohur, të bën të kamur, me para dhe të mira materiale. Është e vërtetë. Në kinema aktori është ushtar i bindur i regjisorit, aty bëhen truke, publiku nuk e ndien frymëmarrjen e artistit si në teatër, si në skenë. Kinemaja është industri, biznes. Do zgjidhja teatrin. Jo vetëm unë. Pata fatin t’i provojë të dyja, në shumë role. Më mirë një buzëqeshje në skenën e teatrit sesa protagonist në shiritin e xhiruar të kamerës.

Kanë thënë për aktorin

Artisti i Merituar Lutfi Hoxha ka një mënyrë të thjeshtë dhe një stil për të bërë teatër pa qenë kurrë teatral dhe për të mbetur përherë i freskët e pa njohur kurrë fjalën “përsëritje”
Gjergj Vlashi “Artist i Popullit”

Lutfi Hoxha ndonëse i ri në moshë është një nga aktorët më të vjetër në teatër. Gjatë viteve të punës ai ka qenë për mua pasqyrë e njeriut të mirë me zemër të madhe dhe një pedagog i mrekullueshëm në rrugën e mjeshtërisë së aktorit
 Fadil Hasa “Artist i merituar”

Lutfi Hoxha është aktor i shumë fytyrave dhe i shumë planeve. Në qoftë se do të kishte një çmim për njëmijë fytyrat e aktorit, këtë çmim me siguri do ta kishte fituar Lutfi Hoxha
 Haxhi Rama “Mjeshtër i madh i skenës”

Lutfi Hoxha është një ngjyrë e veçantë në trupën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në kuptimin që është një aktor i karaktereve. Dhe duhet kuptuar që një aktor i karakterit përbën në teatër kurorën e profesionistit.
 Mirush Kabashi “Mjeshtër i madh i skenës”

Lutfi Hoxha me veprën e tij e ka regjistruar veten tek ata që përbëjnë krenari kombëtare në artin e skenës dhe ekranit. Një aktor shumëplanësh në lojën e të cilit tragjikja dhe komikja ndërthyren aq mjeshtërisht.
  Bardhyl Agasi, shkrimtar

Lutfi Hoxha = 3 L
Lezeti skenës
Lezeti familjes
Lezeti shoqërisë
Aishe Stari “Artiste e merituar”

Previous articleAksidentohet portieri i Partizanit/ 24-vjeçari përfundon në spital, ja gjendja e tij
Next articleKurti trondit me deklaratën: Disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet në veri ishin anëtarë të grupit Wagner