Përballje skajesh të renditjes rezervon Java e 23-të e Superligës shqiptare. Skuadrat në garë për titullin kampion masin forcat mes të premtes dhe të shtunës me ata që garojnë për të shmangur rënien nga kategoria.
Dueli më i nxehtë luhet në stadiumin “Kukës Arena”, me verindorët që parafundit që presin Partizanin e vendit të dytë. Dy skuadra me objektiva të kundërta, por me mision të njëjtë, fitoren. Të kuqtë kanë fituar të dy përballjet e fazave të para, me rezultatin identik 2-1.
Po të premten, në orën 13:00 Bylis sfidon Egnatian. Ballshiotët renditen momentalisht më zonën play-off të rënies nga kategoria, gjithsesi fitorja ndaj Laçit ka rritur euforinë dhe ndaj rrogozhinasve do të kërkojnë maksimumin. Edhe rezultatet në këtë sezon flasin në favor të tyre, një fitore dhe një barazim, duke qenë kundërshtari ideal për t’iu larguar zonës së ftohtë.
Përballja e mesit të tabelës luhet në orën 16:00 të së premtes, mes Erzenit dhe Laçit. Dy ekipet ndajnë vendet e pesta dhe të gjashta, me kurbinasit që kanë dy pikë më pak dhe vijnë pas dy humbjeve radhazi. Skuadrat kanë provuar fitoren në dy fazat e para, minimalisht 1-0.
E shtuna rezervon të tjerë 90 minutësha spektakolare. Tirana kryesuese pret në shtëpi Teutën në një duel që premton shumë. Bardheblutë e durrsakët vijnë pas fitoreve në takimet e javës së 22-të, Tirana kërkon shkëputjen, ndërsa Teuta largimin nga zona e ftohtë e renditjes. Bilanci sezonal nuk paraqet rival, pasi të dy ekipet kanë fituar duelet si vendase.
Me tepër interes pritet edhe përballja e stadiumit “Loro Boriçi”, mes Vllaznisë së vendit të tretë dhe Kastriotit të fundit të tabelës. Shkodranët janë skuadra e momentit në Superligë së bashku me Teutën, pasi kanë siguruar 7 pikë në tre javët e fundit dhe ndaj krutanëve do të kërkojnë suksesin e 11-të sezonal. Ndërkaq, Kastrioti do synojë që të provojë shijen e pikëve me shpresën për t’iu larguar sa më shpejt pozitës së fundit.