Home Aktualitet Të dhënat nga Europol: Si u kthyen agjentët e Sigurimit të Shtetit...

Të dhënat nga Europol: Si u kthyen agjentët e Sigurimit të Shtetit në trafikantë të armëve

Në tre dekada pluralizëm, Shqipëria ka përjetuar thuajse nga të gjitha. Por, padyshim që vendi ynë ka pasur ndikimin e tij në Evropë edhe me krimin, ku shumë personazhe janë tashmë të identifikuar nga çdo strukturë hetimi, apo dënuar nga drejtësitë e shumë vendeve.

Shpërbërja në korrik të vitit 1991 e Sigurimit të Shtetit që numëronte rreth 10.000 agjentë dhe zëvendësimi i tij me Shërbimin Informativ Kombëtar bëri që shumë agjentë të humbnin vendet e punës dhe disa prej tyre filluan të përfshihen në veprimtari të paligjshme për të siguruar të ardhura.

Përgatitja e tyre, njohjet, si dhe aftësitë në përdorimin e armëve dhe dhunës ishin elemente të nevojshme dhe favorizuese për përfshirjen në veprimtari të rrezikshme të krimit të organizuar. Ky fakt u bë publik edhe nga raportet e Europol, kryesisht kuR flitej për trafikun e armëve.

Madje, e shkruar e zeza mbi të bardhë Europol dha alarmin në vitin 2011, duke u shkruar si e dhënë më vonë në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, e madje edhe nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit se shumica e anëtarëve të grupeve kriminale shqipfolëse të trafikut të armëve kanë punuar më parë në polici, shërbimet sekrete dhe paramilici.

Sipas Europol,  trafikimi i armëve kryhet nga grupe “poli-kriminale” në bashkëpunim me rrjete kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe qenieve njerëzore. Grupet e organizuara kriminale të përfshira në këtë veprimtari përbëhen mesatarisht nga 4 deri në 6 anëtarë. Një ose dy prej tyre shërbejnë si persona kyç në organizimin e trafikut dhe ndërmjetësimin me grupet e tjera në Malin e Zi dhe Kosovë.

Këta persona shfaqin njohuri të shumta mbi llojet dhe çmimet e armëve të ndryshme. Kur armët apo eksplozivët sigurohen brenda vendit, një ose më shumë persona kanë përgjegjësi t’i gjejnë dhe t’i mbledhin ato nga rajone të ndryshme të vendit dhe depo të armatimeve, me anë të bashkëpunimit apo korruptimit të oficerëve, magazinierëve dhe personave të tjerë të ngarkuar me ruajtjen e tyre. Transportimi i armëve dhe municioneve nga jashtë apo brenda vendit mund të kryhet nga vetë organizatorët apo ndonjë anëtar tjetër i grupit.

Një tjetër anëtar është i ngarkuar me gjetjen e blerësve të mundshëm dhe realizimin e shitjes. Njohjet midis anëtarëve janë shoqërore dhe në ndonjë rast familjare. Disa prej personave kyç në grupet e trafikimit të armëve rezulton të jenë njohur gjatë kohës së vuajtjes së një dënimi të mëparshëm me burgim. Komunikimet midis tyre janë të rezervuara, shpesh të koduara dhe meqë i kanë krijuar lidhjet e nevojshme zgjedhin që marrëveshjet për furnizimin dhe shitjen e armëve t’i përmbyllin në takime personale. Gjatë këtyre takimeve realizohet dhe demonstrimi i mostrave ndaj personave të interesuar.

Megjithatë, ndodh që disa nga bisedat e përgjuara janë të pakujdesshme, dhe përmbajnë terma dhe emra konkretë. Kryesisht, kjo ndodh midis personave të padënuar më parë.

Rrugët e përdorura në trafikun e armëve janë të ngjashme me trafikun e drogës. Mënyrat më të zakonshme janë nëpërmjet fshehjes së armëve dhe pjesëve përbërëse në automjete private dhe imbarkimit në traget, kontrabandimit të tyre përmes kufirit të gjelbër dhe shfrytëzimit të linjave të autobusëve Shqipëri-Greqi dhe Shqipëri-Kosovë-Gjermani deri në Suedi. Trafikantët e armëve kanë shfrytëzuar edhe kompani të transportit ndërkombëtar, duke përdorur ryshfetin apo shtrëngimin e shoferëve. Gjithashtu, janë vërejtur raste të trafikimit të armëve dhe pjesëve përbërëse nga SHBA dhe Kanadaja nëpërmjet kolipostës.

VIAShqip
SOURCEBulevard News
Previous articleU qëllua me 14 plumba/ Kush është ekzekutuesi me të shkuar krimiale i 23-vjeçarit
Next articleBritanikët në protesta masive: Kryeministri nuk hapi shkollat, por lejoi baret e restorantet