Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim për vrasje janë ekstraduar drejt Shqipërisë.
Mariglen Përgjini u ekstradua nga Belgjika, i dënuar me 18 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat e ka dënuar Përgjinin me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dënim i cili është konvertuar më pas në shërbim prove.
Nga Greqia është ekstraduar shtetasi Eraldo Memaj, i dënuar gjithashtu për vrasje e mbetur në tentativë.
Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas me 11 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”. Ky shtetas në vitin 2013, në Pukë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin P. V.