Si u takuan më 1946 gazetarë e shkrimtarë të famshëm në një kala në Nürnberg – mes tyre Willy Brandt dhe Markus Wolf. Njëri u bë kancelar i Gjermanisë perëndimore, tjetri shef i shërbimit të jashtëm sekret të Gjermanisë komuniste. Më 1974 Brandt dha dorëheqje për shkak se Wolf ia kishte infiltruar në zyrë një spiun. Një libër i ri e ndriçon kapitullin e njohjes së këtyre dy gjermanëve të ndryshëm, të cilët më 1946 shkuan në Nürnberg për të raportuar mbi procesin e famshëm gjyqësor kundër nazistëve.
Nga Enver Robelli/ Koha.net
Një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Nürnberg të Gjermanisë u nxorën para gjyqit disa nga krerët e nazizmit. Kjo ishte një ngjarje e madhe për atë kohë. Rrjedhimisht, në Nürnberg erdhën shumë gazetarë, reporterë, korrespondentë, eseistë, shkrimtarë nga mbarë bota për të përcjellë procesin epokal gjyqësor. Procesi zgjati 281 ditë. Dëshmuan 236 dëshmitarë. 24 krerë të nazizmit u nxorën para gjyqit. 12 u dënuan me vdekje.
Të gjithë këta njerëz të shkrimit u takuan në sallën e gjykimit, ku mund t’i shikonin në sy të akuzuarit për krimet më të rënda kundër njerëzimit, ata ndejtën në Press Camp, në zyrën e shtypit, e cila gjendej në kalanë Faber. Mes reporterëve kishte të mbijetuar të Holokaustit, adhurues të komunizmit, korrespondentë të luftës dhe personalitete ekstravagante. Nga kalaja raportohej, në kala pihej alkool, diskutohej zjarrtë, ndonjëri me ndonjërën përfundonte në shtrat – siç shkruan Uwe Neumahr.
Ky publicist gjerman ka botuar së fundi librin “Kalaja e shkrimtarëve. Nürnberg ‘46. Takimi buzë humnerës” (në gjermanisht). Është një libër që lexohet si roman kriminalistik – sidomos për shkak të dy reporterëve që ishin në Nürnberg: Willy Brandt dhe Markus Wolf. Brandt, kancelari i mëvonshëm i Gjermanisë, erdhi në Nürnberg për të raportuar për gazetën norvegjeze “Arbeiderbladet”, Wolf për “Berliner Zeitung”.
Më 24 prill 1974 Willy Brandt u kthye në Gjermani nga një vizitë zyrtare në Egjipt. Në aeroport kancelarin gjerman e priste ministri i tij i brendshëm Hans-Dietrich Genscher, i cili e informoi Brandtin se ishte arrestuar asistenti i tij personal Günter Guillaume nën akuzën e spiunazhit për Gjermaninë lindore. Me rastin e arrestimit Günter Guillaume pranoi se ishte oficer i armatës gjermanolindore dhe zyrtar i ministrisë së sigurimit të shtetit. “Ju lus të respektoni nderin tim të oficerit”, me këto fjalë iu drejtua ai zyrtarëve të policisë kriminalistike të Gjermanisë perëndimore.
Dy javë më vonë Willy Brandt dha dorëheqje si kancelar i Gjermanisë. Regjimi komunist në Berlinin lindor kremtoi një fitore të madhe kundër armikut kapitalist. Por nuk qe fitore afatgjatë, më 1989 mbi rrënojat e Murit të Berlinit qëndroi Willy Brandt, bashkë me elitën politike të Gjermanisë perëndimore. Para se të binte Muri i Berlinit, Brandt shkroi në kujtimet e tij: “Pse, me çfarë të drejte dhe në bazë të çfarë përvoje mund të përjashtojmë mundësinë që një ditë do të çohen në këmbë jo qindra, por mijëra njerëz në Leipzig dhe Dresden, Magdeburg dhe Schwerin – dhe në Berlinin lindor – dhe do të kërkojnë të drejtat e tyre qytetare? (…) Po Berlini? Po Muri? Qyteti do të jetojë dhe Muri do të bie”.
Më 1981 Günter Guillaume dhe gruaja e tij u lejuan të kthehen në Gjermaninë lindore, pasi vuajtën disa vite burg në Gjermaninë perëndimore. Markus Wolf shpëtoi lehtë në Gjermaninë e bashkuar. Më 1997 u dënua me dy vjet burg me kush për shkak të rrëmbimit. Vdiq më 9 nëntor 2006 në Berlin. Vdiq në një përvjetor të rëndësishëm: më 9 nëntor 1989 kishte rënë Muri i Berlinit. Tre vite më vonë, më 8 tetor 1992, vdiq Willy Brandti.