Moska dhe zonat përreth saj u vunë në shënjestër të sulmeve me dronë, për të cilat Ministria Ruse e Mbrojtjes fajësoi Ukrainën.
“Këtë mëngjes, regjimi i Kievit nisi një sulm terrorist me dron në objektiva në qytetin e Moskës”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se sulmi i mëngjesit të së martës shkaktoi dëme të vogla në disa ndërtesa. “Të gjitha shërbimet e urgjencës së qytetit janë në vendngjarje … Askush nuk është lënduar rëndë deri më tani”, tha Sobyanin.
Moska, rrallë herë është vënë në shënjestër të sulmeve me dronë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, edhe pse sulme të tilla janë bërë më të zakonshme diku tjetër në Rusi. Në fillim të majit, dy dronë u rrëzuan mbi Kremlin në një sulm për të cilin fajësohej Ukraina, raporton “The Guardian”.
Imazhet e postuara në rrjetet sociale treguan gjurmë tymi në qiell. Sulmi i rrallë në kryeqytetin rus erdhi pasi kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, u përball me sulmin e tretë ajror në 24 orë.