Nga Xhevo Gradica / Shumë kurora në përkujtim të ditës së 7 prillit kanë mbetur të mbështetura në muret e Torrës Veneciane në Durrës pasi askush nuk është kujtuar t’i marrë për t’i vendosur tek monumenti kushtuar Mujo Ulqinakut. Përkujtimi i 74-vjetorit të rezistencës kundër pushtimit italian të vendit është shtyrë për 30 minuta në pritje të personave të përfshirë në protokollin e ceremonisë. Kështu në këtë ditë të veçantë nuk kanë marrë mundimin dhe as nuk kanë bërë të ditur arsyet e mungesës prefekti Durrësit Genci Alizoti, kryetari qarkut Armand Teliti, kryetari PD Igli Cara, kryetari LSI Lefter Koka, përfaqësues të subjekteve të tjera politike dhe të ftuar. Ndërkohë që kjo nuk ka kaluar pa u vënë re, ajo që ka pasuar me shumë diskutime është fakti se asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë mundimin për të qenë pjesë e ditës përkujtimore. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako ka qenë i vetmi personalitet lokal që ka marrë pjesë dhe ka kujtuar ndihmesën e masdhe të patriotëve të Durrësit në luftë kundër pushtimit të huaj. Por në këtë 74-vjetor nuk janë dukuar as uniformat e ushtrisë, ata të marinës detare, policia e shtetit, drejtues të institucioneve publike duke ia zbehur plotësisht rëndësinë rezistencësdhe sakrificës. Roje nderi kanë bërë policia bashkiake, ndërsa banda frymore e cila vijon të ketë disa muaj pa marrë honoraret ka ekzekutuar me mjeshtëri himnin dhe marshet. Gjatë tubimit të shoqëruar nga reshjet e shiut është vënë re se organizatorët kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve të për marrë kurorat e mbështetura në mur në pritje të personave përkatës, veprim i cili është pritur me jo pak indinjatë nga veteranët. Këta të fundit si gjithnjë janë reshtuar në vendet e tyre para nisjes së orarit të ceremenisë si shenjë e drejtpëdrejtë e respektit ndaj luftëtarëve të rezistencës dhe të rënëve në luftën kudr pushtimit italian. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka thënë se “Ka data në histori para të cilave ndërgjegjja kombëtare ka frikë të shfaqet. Një datë e tille është dhe 7 prill…Në momente të vështira shqiptarët nuk kanë pasur nevojë për komandantë të mëdhenj e për ndërmjetës të huaj”. Fjala e Dakos ka synuar të qortojë atë klasë politike shqiptare dhe ato grupime të cilët kërkojnë të minimizojnë rezistencën. “Sot ne nderojmë dhe të gjithë ata që, pavarësisht rreshtimeve politike të kohës, çasti historik i gjeti me armë në dorë, përkrah njëri-tjetrit, në mbrojtje të vendit”, -ka vijuar Dako, autoriteti i vetëm që ka mbajtur fjalën në këtë ditë përkujtimore. Vetëm një vit më parë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën ditë kanë vënë kurora me lule të gjitha autoritetet, të emëruarit dhe të zgjedhurit të cilët këtë herë nuk qenë të pranishëm. Sipas pohimeve mësohet se bojkoti ka qenë i qëllimtë pasi forca ekstremiste të ndikuara nga qarqe të huaja kanë tentuar të mos vlerësojnë ditën e rezistencës.