Studiuesit nga Departamenti i Antropologjisë, Fakulteti i Filozofisë-Universiteti i Prishtinës janë në mbështetje të Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA shprehet se 12 kolegë të Prishtinës përmes një letre të hapur janë në mbështetje të saj. 12 studiuesit në Prishtinë shprehen se me shqetësim kanë dëgjuar lajmin, dhënë në një deklaratë për shtyp të datës 27 maj 2023, për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), në kuadër të së cilës funksionojnë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare. “Ky është lajm tronditës për antropologët, arkeologët, gjuhëtarët, historianët e të gjithë hulumtuesit e fushave të albanologjisë, por edhe për studentët, kolegët e komunitetit akademik dhe mbarë studiuesit e historisë, kulturës dhe gjuhës shqipe. Kolegët e ASA-së, sidomos kolegët nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë, me të cilët kemi bashkëpunime të rregullta, kanë hapur shtigje të reja në studime albanologjike, duke ridimensionuar studimin albanologjik në linjë me metodat, qasjet dhe perspektivat e institucioneve të mirëfillta shkencore evropiane”, thuhet në letër. Sipas tyre, sa i përket bashkëpunimeve kombëtare, ASA është bashkëpunëtori kryesor i Departamentit të Antropologjisë, me të cilët kanë realizuar një varg punësh dhe janë duke punuar së bashku në vijim.
Dëmet që ndodhin
Kolegët e ASA-s të Departamentit të Antropologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që janë kundër projektvendimit të qeverisë që çon drejt shkrirjes Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe kalimi i aseteve të këtij institucioni nën Akademinë e Shkencave shprehen në letër se kjo sjell një dëm në kërkimet antropologjike dhe arkeologjike shqiptare. “Mbyllja e Akademisë e Studimeve Albanologjike, ku funksionojnë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë, të cilët përkojnë me fushat kryesore të studimit në Departamentin e Antropologjisë/UP, krijon një boshllëk të madh dhe shkakton dëm të pariparueshëm në kërkimet antropologjike dhe arkeologjike shqiptare”, thuhet në letrën e bërë publike nga ASA. Po ashtu sipas studiuesve të Departamentit të Antropologjisë në Prishtinë , ky do të jetë një dëm jo vetëm për dijen antropologjike shqiptare, por edhe për dijen antropologjike botërore, sepse Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë janë institucione që kanë traditë dhe reputacion të mirë jashtë vendit, për studimin antropologjik dhe arkeologjik të kulturës dhe shoqërisë në Evropën Juglindore. “Jemi në solidaritet të plotë me kolegët e instituteve të ASA-së dhe kolegët tanë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë, duke përkrahur kundërshtimin e tyre për mbylljen e institucionit të tyre dhe shkrirjen e thërmijëzimin në copa në institucione të tjera. Pasiguria dhe tensioni e dëmtojnë punën shkencore të kolegëve të ASA-së, demotivojnë ata dhe kolegët albanologë në kërkime e bashkëpunime shkencore dhe dekurajojnë të rinjtë të nisin studimet në fushën e albanologjisë. Besojmë se dinjiteti personal dhe akademik i kolegëve është i pacënueshëm dhe vlerësojmë vendimin e tyre për të mbrojtur kërkimin e pavarur dhe të lirë akademik në Shqipëri”, thuhet në letër. Letra në mbështetje të ASA-s është nga kolegët e Departamentit të Antropologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”: Prof. Asoc. Dr. Arsim Canolli, Prof. Ass. Dr. Arben Hajdari, Prof. Ass. Dr. Tahir Latifi, Dr. Ass. Zanita Halimi, Dr. Ass. Rozafa Berisha, Dr. (Kand.) Ass. Durim Abdullahu, Dr. (Kand.) Ass. Ilir Culaj, Prof. Ass. Dr. Kujtime Boshtrakaj, Prof. Ass. Dr. Sedat Baraliu, Prof. Ass. Dr. Emine Kalaja- Hajdari, Dr. (Kand.) Ass. Elza Shipoli, MA. Ass. Yllka Syla-Uka.