Home Kulture SPECIALE/ Tradita e qelqit ‘fle’ në raftet e koleksionistëve! Artizanët e Venecias...

SPECIALE/ Tradita e qelqit ‘fle’ në raftet e koleksionistëve! Artizanët e Venecias ‘leksion’ shqiptarëve për ruajtjen e traditës

Nuk është e vërtetë bota brenda një cope xhami, ndonëse gjithçka sheh përtej tij të duket e përkryer.

Pavarësisht gojëdhënave, që datojnë prej Egjiptit të lashtë, produktet më të vjetra të qelqit që janë gjetur i përkasin mijëvjeçarit të  III para Krishtit. Këto janë rruazat e qelqit.

Prodhimi dhe përpunimi i tij u shtri në mbarë botën, por zejtarët më të famshëm njihen në ishullin e vogël të Venecaias, në Murano që prej shekullit të 13-të e deri më sot. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ishte në një prej këtyre punishteve. Mjeshtri Andrea Zaneti tregoi se si prodhohet një gotë në 4 minuta.

Ndryshe nga Venecia, Shqipëria këtë traditë e ruan vetëm në raftet e koleksionistëve. Një prej tyre e kemi gjetur në Korçë.

Mirgen Shamlli ka përfunduar studimet për Agronomi, profesioni i tij është kuzhinier, por pasioni për të koleksionuar e ka shndrruar në njeriun që risjell të shkuarën e prodhimit të qelqit në të gjitha fabrikat e vendit, kryesisht asaj të Korçës.

Ai tregon disa nga shishet e aranxhatës, forma është e njëjtë por u ndryshon ngjyra.

Mirgeni veçon dy prej tyre, njërën që ka ngjyrë jeshile dhe tjetra që është prodhuar për Lojrat Olimpike në vitin 1986, një bashkëpunim i Fabrikës së Kavajës dhe asaj të Korçës.

“Byroja e modeleve vendosi për modelin dhe logon. Më pas kjo pije freskuese është eksportuar”- tregon koleksionisti Mirgen Shamlli.

Kavanoza për reçel e komposto, shishe qumështi e kosi, shishet e konjakut e të verërave të ndryshme, mbajtëse lulesh dhe prodhime jashtë serie, kanë uji me etiketë të vitëve 1975,gota uji e likeri, vazo zbukuruese,  janë disa nga objektet e ekspozuara në banesën që Mirgeni ia ka huazuar një familjeje korçare.

“Kjo mbajtëse lule është e rrallë. Është kristal, prodhuar në Korçë. Linja e prodhimit të kristalit funksionoi vetëm në vitet 1988-1990.”-shpjegon Mirgen Shamlli.

Këto objekte i përkasin industrisë së prodhimit të qelqit shqiptar që u ngrit tërësisht pas çlirimit.

Fabrika e parë e qelqit u ngrit në Korçë më 1954, më pas u ngritën edhe tri fabrika të tjera të reja: në Kavajë, në Tiranë dhe fabrika e llambave elektrike në Vlorë.

Qendra më e madhe e industrisë së qelqit në Shqipëri, u ngrit më 1970 në Kavajë. Aty ishin linjat e prodhimit të xhamit, të ambalazheve dhe prodhimeve prej qelqi për përdorim të gjerë.

U përdoren lëndë të para vendi, si rërë kuarcore, sodë e kalcinuar, dolomit etj. Në këto fabrika u prodhuan disa lloje qelqesh e qindra artikuj. Teknologjia përfshinte automate për formimin e ambalazheve, xhamit, poçeve të llambës e tubave, pajisje automatike për kontrollin e proceseve teknologjike etj. Më 1982 kundrejt vitit 1975 artikujt e konsumit të gjerë u rritën 26% sipas informacioneve të asaj kohe. Madje u planifikuan që të ngriheshin fabrika të tjera ku të prodhoheshin lloje të reja qelqi, si qelq kristal, qelq elektroteknik etj.

Por kjo nuk ndodhi me ardhjem e demokracisë, përkundrazi, të gjitha fabrikat u mbyllën, për të mos u hapur më kurrë.

Këtë vit emri i ish-fabrikës së qelqit në Kavajë u dëgjua përsëri, jo për famën e dikurshme por për zjarrin që shkrumboi atë cka ka mbetur nga rrënimi dhe braktisja e 30 viteve të fundit.

Fatmirësisht jo të gjitha objektet e qelqit kanë pësuar të njëjtin fat, falë koleksionistëve.

“Këtë pjatën e vogël e kam gjetur së fundi. Është një objekt i veçantë i prodhuar në fillimet e fabrikës së dytë të qelqit në Korçë. Kjo pjatë shërbente vetëm në raste festash familjare”-tregon koleksionisti Shamlli.

Mirgen Shamlli mundohet të koleksionojë gjithcka të historisë së qelqit. Ai ka botuar edhe katalogun e qelqit shqiptar ku ka ekspozuar mbi 6000 objekte të kolesionuara deri në vitin 2019.

“Këto tre vitet e fundit janë shtuar. Soj kam rreth 9 mijë objekte të koleksionuara”-shpjegon Mirgen Shamlli i cili njofton se së shpejti do të botojë pjesën e dytë të albumit me koleksione të qelqit.

Në ekspozitorët e Mirgenit gjen edhe koleksione të qeramikës sepse siç thotë ai, fillimet e prodhimit të qeramikës në vend lidhen ngushtë me prodhimin e qelqit.

Më shumë se përfitim të ardhurash koleksionisti nga Korça, kërkon që e tashmja dhe e ardhmja të mos jenë të ndara nga e shkuara, koha kur në Shqipëri kishte artizanë, edhe të qelqit.