Home Bota Sot rrugëtimi i fundit i Mbretëreshës Elizabeth II, mbi 2 mijë persona...

Sot rrugëtimi i fundit i Mbretëreshës Elizabeth II, mbi 2 mijë persona në shërbesë, në Kishën Uestminister

Mbretëresha Elizabeth II varroset sot në Londër përmes një ceremonie shtetërore, ngjarje që po vlerësohet si operacion i “rrallë” i sigurisë në kryeqytetin britanik.

Mbi 2.000 persona do të marrin pjesë në shërbesën në Kishën Uestminister, në krye me Mbretin Charles III dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore nga e mbarë bota.

Në varrim po ashtu do të marrin pjesë edhe politikanë të ndryshëm, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka marrë ftesë për të qenë e pranishme në ceremoninë shtetërore të varrimit të Mbretëreshës.

Ndërkaq, në shërbesën që mbahet në faltore e Shën Xhorxhit në Kështjellën Uindsor janë ftuar 800 mysafirë.

Në varrimin e Mbretëreshës, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e familjeve mbretërore nga Evropa dhe bota. Perandori i Japonisë Naruhito dhe Perandoresha Masako do të thyejnë traditën japoneze, duke marrë pjesë në funeralin e monarkes britanike.

Edhe Mbreti Willem-Alexander i Holandës, Mbretëresha Maxina dhe Princesha e Kurorës Beatrix kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Në varrim marrin pjesë edhe mbreti Philippe i Belgjikës, Mbreti Harald V i Norvegjisë dhe Princi Alberti II i Monakos.

Mbretëresha Margrethe e Danimarkës – që ka anuluar një sërë ngjarjesh për të shënuar 50-vjetorin e saj në fron, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II – do të marrë pjesë në varrim. Ajo është kushërira e tretë e Mbretëreshës britanike. Po ashtu, Mbreti i Spanjës, Felipe VI do të jetë i pranishëm me gruan e tij, Letizia. Edhe babai i tij, ish-mbreti spanjoll, Juan Carlos I – që abdikoi nga froni më 2014 – ka konfirmuar pjesëmarrjen në funeral.

Përveç presidentit amerikan, Joe Biden, Mbretëria e Bashkuar ka thënë se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe liderë të tjerë në botë.

E pranishme do të jetë edhe gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Olena.

Ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur Mbretëreshën Elizabeth II si “mbretëreshë të përjetshme”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Brazilit, Jair Bolsorano, po ashtu marrin pjesë.

Kina ka njoftuar se i pranishëm do të jetë zëvendëspresidenti, Wang Qishan.

Në mesin e 500 liderëve botërorë do të jenë edhe ata të Italisë, Gjermanisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Irlandës dhe liderët e 56 shteteve të Komenuellthit.

Por, ka edhe udhëheqës që nuk janë ftuar. Për shkak të raporteve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar ka ftuar ambasadorët – jo krerët e shtetit – të disa shteteve, sikurse Iranit, Nikaraguas dhe Koresë së Veriut.

Rusia dhe Bjellorusia janë në mesin e një grupi të vogël që nuk janë ftuar fare në varrim për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin – ndaj të cilit Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione për udhëtim – veçse ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në varrim.

Në këtë ceremoni nuk janë ftuar as liderët talibanë afganë dhe as ata të Mianmarit, Sirisë dhe Venezuelës.

Previous articleFOTOT/ Berishën s’e mbajnë këmbët, në rrjet shpërthen humori
Next articlePërplasja PS-PD për ndarjen administrative, Balla: Alibeaj mos të ndihet i provokuar, 61 bashki zgjidhja më e mirë