Home Kronika Sot protesta/ Policia njofton për rrugën ku nuk lejohet qarkullimi dhe parkimi...

Sot protesta/ Policia njofton për rrugën ku nuk lejohet qarkullimi dhe parkimi i makinave

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masa për të mundësuar zhvillimin e protestës së opozitës përpara Kryeministrisë sot në orën 12:00. Në një deklaratë ka njoftuar për rrugët ku nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve dhe parkimi.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet në datën 03.03.2023, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, do të angazhojë shërbimet e Policisë, për bllokimin e qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe për bllokimin e pjesshëm të qarkullimit në disa segmente të tjera rrugore.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga ora 6:00 e datës 03.03.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 03.03.2023 deri në përfundim të tubimit.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.”

Previous articleSHBA nuk pret bisedime të nivelit të lartë me Rusinë së shpejti
Next articleRa nga lartësia, gruaja vdes në vendin e ngjarjes