Nga Xhevo Gradica / Një tjetër rrugë në veri të vendit ka ndërprerë punimet për shkak të mungesës së fondeve. Rruga Kukës-Krumë në qarkun e Kukësit ka më shumë se gjashtë-shtatë muaj që nuk ka asnjë punëtor apo mjet në punë. Ndërprerja e punimeve është paralajmëruar thuajse një vit më parë për shkak të krizës në të cilën e ka fituar firmën zbatuese ministria e drejtuar nga Sokol Olldashi. Rruga është e gjatë 29 km dhe nis tek ura e Kukësit për të përfunduar në Krumë, qendër e nënprefekturës së Hasit, duke përshkuar përgjithësisht gjurmët e rrugës ekzistuese dhe pjesërisht rrugë të re. Projekti parashikon sistemim e asfaltim të rrugës dhe qeveria në lotin e dytë ka planifikuar të japë 1.413.697.763 lekë. Punimet kanë nisur me datë 23 maj 2011 dhe është parashikuar të zgjasin 24 muaj. Por tani që kanë mbetur edhe dy muaj nga përfundimi afateve, specialistët thonë se nuk është kryer as gjysma e volumit të punës. Firma “Geci”përqendroi fillimisht shumë forca punëtore e specialistë si dhe ndërtoi dy kantiere të mëdha duke vënë në punë dhjetra automjete të mëdha e të rënda. Itensiteti punimeve në fazën e parë qe shumë pozitiv, ndërsa firma u detyruar të ndërpresë punën pa mbushur viti. Fillimisht një veprim i tillë u cilësua si veprim për shkak të afrimit të dimrit, por edhe tani që pranvera ka ardhur, në rrugë nuk duket asnjë mjet. Kompania “Geci” ka prishur kantieret, ka larguar mjetet dhe ka shpërndarë të gjithë të punësuarit të cilët vijojnë të mos dinë as për pagat e prapambetura dhe as nëse do të rikthehen një ditë. Hamendjet e qytetarëve kanë shkuar edhe më tej duke pohuar se punimet janë shtyrë qëllimisht për t’u përfunduar në prag të zgjedhjeve. Ndëkohë që zgjedhjet janë në prag, rruga ka mbetur në mes. Në afërsi të vendit të quajtur zabeli Muç-Has rruga devijon duke kaluar pjerrtazi për të dalë në Qaf Tobël. Devijimi është bërë për të shmangur kalimin e mjeteve nëpër shkëmbinjë të cilët përshkojnë rrugën e vjetër përgjatë liqenit. Janë afro 7 km rrugë e re e cila është hapur e gjitha, por vetëm kaq pasi nuk janë bërë as veprat e artit, kanalet kulluese, tumbinat e as ura. Nga dita e parë dhe deri në pezullimin e punës, çdo gjë është përballuar nga vet firma e cila ka lënë mijëra e mijëra euro pa pasur në asnjë rast mbështetjen e shtetit, edhe pse projekti është parashikuar të financohet nga arka e shtetit. Në të njëjtën gjendje është edhe pjesa tjetër deri në Krumë duke sjellë probleme shume serioze për automjete të tonazheve të mesme e të mëdha si dhe të autoveturave. Këto të fundit kanë nisur të përshkojnë gjithnjë e më pak këtë segment për shkak të gropave shumë të mëdha. Vende-vende është bërë e pakalueshme kjo rrugë e cila sa vjen e dëmtohet ditë pas dite. Specialistë të ndërtimit të rrugëve kanë bërë të qartë se është e pamundur të mbyllet në afatet e caktuara, ndërkohë që shtohen dyshimet e lënies për shumë të rrugës në gjendjen aktuale. Rruga nga Tirana deri në Kukës në 200 km përshkohet për 1 orë e 40 minuta, ndërsa nga Kukësi deri në Krumë me gjatësi 29 km përshkohet për një orë e 45 minuta, pra më shumë kohë sesa e para. Janë të shumta mjetet që bëjnë edhe 75 km më shumë për të ruajtur mjetet nga dëmtimi në rrugën plot gropa e gurë. Kështu mjetet detyrohen të shkojnë në pikën kufitare të Morinit, që andej në Prizren- Gjakovë- Qaf Prush- Krumë rreth 75 km. Qeveria mësohet se nuk i ka dhënë deri tani firmës asnjë qindarkë. Situacionet janë bllokuar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit duke kërkuar që firma të vijojë investimin me fondet e saj. Ministri Sokol Olldashi u ka deklaruar autoriteteve lokale se shumë shpejt do të zhbollohet situata, por që nga deklarimi tij në vjeshtën e vitit të kaluar e deri më tani nuk ka pasur reagime pozitive. Sipas të gjitha pohimeve që vinë nga Tirana, projekti është pezulluar përkohësisht. Arsyeja është mungesa e fondeve. Në të njëjtën gjendje është edhe rruga Valbonës në Topojë. Edhe atje nuk ka më asnjë mjet në punë, ashtu si dhe në rrugën e Hasit. Është e njëjta firmë që po bën zbaton të dy projektet dhe që tani nuk i ka mbetur asnjë qindarkë për të mbajtur në gjendje pune kantieret. Në qarkun e Kukësit të njëjtin fat e kanë edhe rrugë të tjera të cilat kanë nisur punimet për t’u ndërprerë ngase qeveria nuk ka dhënë fondet e parashikuara.