Nga Xhevahir Gradica
Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar të përurojë shkollën 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës për shkak se nuk ka përfunduar ende investimi. Në fillim të kësaj jave u tha se Rama do të merrte pjesë në ceremoninë e inagurimit, por kjo nuk ka ndodhur pasi asgjë nuk ka qenë gati. Kryeministri është informuar në minutat e fundit se investimi prej më shumë se 2 milion dollarë ende kishte shumë punë për të bërë, ndaj e ka shfrytëzuar këtë vizitë të tij si pjesë rutinë e ndjekjes së ecurisë së punimeve, ndërkohë që nxënësit kanë tre muaj që bëjnë mësim në shkollën e re. Kryeministri Rama madje nuk ka pranuar të takojë as trupën mësimore, ndërkohë që ka qëndruar vetëm pesë minuta në palestrën e shkollës ku është takuar me ekipin e femrave të basketbollit “Teuta”. Askush nuk di të thotë pse u sollën në shkollë vajzat e basketbollit, ndërsa Rama nuk e pa të arsyeshme të kalonte kat më kat apo të trokiste në disa prej mjediseve duke u mjaftuar me palestrën dhe kopshtin një pjesë e të cilit është nën tokë dhe që ka shumë gjasa që të mos i jetë bërë me dije kryetarit të qeverisë. Në këtë vizitë në krah të kryeministrit kanë qenë ministri Gjiknuri dhe kryetarja e emëruar e bashkisë së Durrësit Sako. Tani për tani është ende herët për të folur lidhur me këtë situatë të krijuar pasi nuk ka ndodhur kurrë që kryeministri të deklarojë se po ndjek punimet ndërkohë që kantieri është mbyllur dhe nxënësit kanë tre muaj që bëjnë mësim. Në vizitën e tij të planifikuar për ceremoni, por që përfundoi në një vrojtim rutinë të një ekipi sporti që nuk ka lidhje fare me paletrën e shkollës dhe as me investimin në fjalë apo diçka tjetër të lidhur me institucionin arsimor ka hedhur hije dyshime rreth të cilave duhet të shprehen specialistët. Këta të fundit lypset detyrimisht të deklarojnë se çfarë realisht ka shkuar keq në punimet që i kanë kushtuar shqiptarëve mbi 2 milion dollarë. Fakti se këtë herë kryeministri vendit nuk kishte në krah as ndonjë deputet të Durrësit dhe as kreun e arsimit, është tjetër detaj që dëshmon se qeveria është keqinformuar lidhur me “përfundimin” e punimeve.
Investimi
Shteti ka nxjerrë nga arka e taksapaguesve shqiptar mbi 2 milion dollarë për ndërtimin e shkollës. Godina është bërë katërkatëshe dhe një kat nëntokë. Janë rreth 6100 m 2 të cilat do të shërbejnë për afro 1100 nxënës dhe fëmijë të kopshteve. Kate të larta, klasa me sipërfaqe të bollshme, bibliotekë dhe sallë leximi brenda saj, kënd për qeverisjen e nxënësve, shkallë të gjera dhe me ndriçim të bollshëm diellor, sistem alarmi, zjarrëfikëse dhe ndriçimi, salla të mëdha në çdo kat për takime mësimore dhe seminare, palestër, kalçeto e të tjera janë investim që ka afruar projekti. Veç tyre janë ndërtuar rrjeti nyjeve sanitare si dhe sistemi furnizimit me ujë përmes stacionit të vogël të pompimit në katin nëntokësor. Komuniteti dhe shkolla e kanë pritur me shumë dashamirësi zbatimin e projektit me bindjen se cilësia e mësimdhënies do të jetë shumë më e mirë nga më parë favorizuar nga infrastruktura e re e krijuar falë investimit në shuma të mëdha të shtetit shqiptar.
Problemet
Në shkollë askush nuk di të thotë se cilët janë firmëtarë të projektit, ndërsa trupa mësimore as nuk është dëgjuar e pyetur lidhur me propozimet që mund të kishte afruar dhe as nuk është informuar realisht se sa funksionale janë mjediset e reja të deklaruara të përfunduara, por që rezultuan se nuk janë ende gati. Tani që çdo gjë ka përfunduar mësohet se projekti ka paraqitur probleme serioze. Kati nëndhesë po del jashtë funksioni ende pa u prerë shiriti. Janë ndërtuar skuta e dhomëza pafund pa dritare dhe pa ajrim, nuk ka asnjë laborator e kabinet duke veçuar atë të informatikës, sipërfaqe të mëdha mjedisi të pamundshme për t’u shfrytëzuar për shkak të projektit, lagështi, ujë e myk gjithandej në katin përdhes, kopsht për fëmijë nëntokë, kalçeto e palestër me probleme që gufojnë e çahen herë pas here, mjedise të pamjaftueshme për mësim dhe detyrim i nxënësve për të vijuar pasdite mësimin ngase nuk ka klasa mbeten shqetësim jo i vogël. Askush nuk mund ta imagjinojë se si një shkollë e re nuk ka laborator fizike, kimie, biologjie, apo kabinet për mësimin e gjuhës së huaj. etj Shkolla u tha se do të ishte gati me 7 Mars. Pasi kjo qe e pamundur për t’u realizuar, atëherë firmës iu vunë gjunjët në bark për ta mbyllur projektin në muajin prill me qëllim që investimi të shfrytëzohej për qëllime fushate elektorale. Së paku kështu është deklaruar ndër mësues. Por edhe kjo dështoi, ndërsa nuk dihet se pse u urdhërua që nxënësit të futen në një godinë të pambaruar dhe që ende nuk është dorëzuar edhe tani, tre muaj pasi ka filluar mësimi rregullisht në mjediset e reja. Gazeta “Bulevard” dhe portali ” Bulevard Neës” kanë pasqyruar problematikat duke guxuar të nxjerrë në shesh të vërtetën. Mashtrimet lidhur me këtë shkollë nuk kanë të sosur dhe të gjitha kanë gjasa të bëhen objekt hetimi nga organet e drejtësisë. 2 milion e ca dollarë nuk mund të justifikohen me këtë projekt që do të kërkojë miliona lekë të tjera për ta mbajtur në gjendje funksionale. Këto e të tjera probleme të cilat kanë dalë në pah kanë qenë ndoshta arsyet që kanë shtyrë kryeministrin Edi Rama ta kalojë pa bujë dhe pa zhurmë ” paradën” në shkollën “Qemal Mici”. Kryeministrit i është bërë e ditur se në të gjitha katet do të shikonte vetëm klasa me tavolina e karrige dhe asgjë tjetër, ndaj është këshilluar të e anashkalojë “ekskursionin’ kat pas kati. Raportimet se shkolla është gati kanë nxjerrë “bllof” kreun e qeverisë në vizitën e tij në shkollën “Qemal Mici”, ndërkohë që pritet të ketë reagime institucionale.
Mashtrimi
Ka shumë të ngjarë që kryeministri Edi Rama të jetë informuar në limitet e fundit kohore se investimi për të cilin po bëhej gati t’ia priste shiritin nuk kishte përfunduar. Lidhur me këtë skandal, që do e vendoste kryeministrin Rama në epiqendër të kritikave, pritet të ketë zhvillime të tjera dhe ndoshta edhe hetime nga organet e drejtësisë. Institucionet po bëjnë përpjeke sekush t’ia ngec këtë skandal dikuj tjetër për të shfajësuar veten, por do të jetë e vështirë pasi mësues e nxënës janë njoftuar se me datë 29 qershor 2021 kryeministri do të marrë pjesë në përurimin e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici”. Për të mos mjaftuar me njoftimin mashtrues, të tjera mashtrime kanë vijuar. Ditën që kryeministri vizitoi oborrin dhe çuditërisht vetëm palestrën e shkollës, ndërmarrja e pastrimit të bashkisë së Durrësit largoi kazanët e mbeturinave për t’i kthyer plot e përplot me plehra 30 minuta pasi Rama u largua. Po ashtu për të parën herë në historinë e kësaj lagjeje rruga kryesore u lag me ujë nga botet, ndërsa makina me lule e vazo u sollën me qira për të ‘trullosur” kryeministrin, ndërkohë që vazot me pemët e thara në shkollë u futën në skuta. Edhe rrugët dhe trotuaret e lagjes u fshinë dhe u pastruan nga bari dhe sende të tjera duke shkaktuar habi ndër banorë të lagjes pasi nuk ishin ndeshur me një pamje të tillë. Ky është i vetmi rast i bërë publik që kryeministrit të vendit i aftohen të dhëna aspak serioze. Zyrtarisht nuk është folur dhe as nuk është deklaruar nëse kryeministri i Shqipërisë do të rikthet për të prerë shiritin e një investimi në shumën e madhe prej 2 milion dollarë. Nëse Rama do ta refuzojë një kthim të dytë ka shumë të mundur që projekti i keq të marrë me vete “koka” njerëzish pasi godina arsimore do të kërkojë lekë pafund për ta mirëmbajtur.