Home Sociale Sistem pa politikë apo politikë pa sistem?

Sistem pa politikë apo politikë pa sistem?

 

Nga Majlinda Sota Mullaj

Numri i tretë…

Hyrje

A ka politika sistem? A ka sistemi ngjyrë politike? A ka politika ndikim tek sistemi apo politika krijon ose duhet të krijohet nga vetë sistemi? Po tek nën sistemet a ka politika ndikim? Për shëmbull a ka politika ndikim tek sistemi familje? A ka politika ndikim tek sistemi edukimit? A ka politika ndikim tek sistemi arsimit?  Dhe nëse, a ka nevojë të analizohet ndikimi i politikës në tërë këto sisteme shoqëror dhe anasjelltas? A ka shoqëria interes politik? A ka shoqëria nuanca politike? Kush e formon sistemin kulturor dhe a ka politika një shije kulturore? A duhet t’i ngjaj ose duhet të jetë politika mendimi socio-kulturor i një shoqërie? Pse bëjmë politik dhe çfarë kuptimi dhe dobije duhet të ketë politika në kostumin shoqëror?

Politika është mënyra e zgjedhjes së vendimeve që grupe individësh, të cilët përfaqësojnë komunitetin, marrin duke zgjedhur njëkohësisht mjetet strategjike, metodike e vendimmarrëse. Këto vendime të cilat vendosin fatin e përbashkët të komunitetit, grupet e individëve përfaqësues, i punojnë së bashku për të realizuar pikërisht të mirën e tyre. Ky është një përkufizim tepër i ngushtë dhe që është detyrë e grupeve që përfaqësojnë komunitetin ta përçojnë këtë ide në të gjithë brezat, sa  dhe një femijë i shkollës fillore duhet të krijojë konceptin që një grup njerëzish punojnë për t’i krijuar komunitetit ku ai bënë pjesë, një jetë sa më të mirë.

Sistemi është i ndërtuar nga disa nënsisteme të cilët duhet të jenë në sintoni me njëri-tjetrin për të mirë funksionuar, në këtë rast, në të mirë të shoqërisë.

Sot, është e dukshme që elementët që lakohen me interes nga profesionistë, analistë të fushave të ndryshme por dhe të interesuar të tjerë, janë sikurse fjalët:  shoqëri, familje, kultur, edukim, arsim, kostum, traditë, ekonomi…Pra janë multisistemet që formojnë sistemin bazament. Por, interesant është fakti që, në të gjitha diskutimet  apo shkrimet me përmbajtje të termave të sipër përmendur, termi politik është tregues i një domosdoshmërie të veçantë sepse jo vetëm shoqëron politikisht arsenalin e atyre fjalëve apo pyetjeve të sipër cituara por mbi të gjitha me zgjedhjet dhe vendimet politike që ndërmerr, ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ose jo të vlerave shoqërore, në rritjen ose jo të interesit shoqëror por mbi të gjitha ndikon në zhvillimin ose jo të jetës dhe mirqënies së një vendi.

    Motivi për të bërë dallimin e sistemeve

Pra, një parantezë e tillë, është e nevojshme për të kuptuar dhe spjeguar sjelljen e përditëshme të shoqërisë tonë që deri më sot vetëm ka mbartur mbi kurriz atë çfarë politika apo sistemi i politikës ka prodhuar dhe ofruar  pa pasur parasysh që  zgjedhjet e ndërmarra prej saj / tij, ndikojnë dhe pse jo ndërtojnë apo deformojnë karakterin e një shoqërie. Në vijim të një proçesi tepër ekstrem siç ishte ai i sistemit totalitar, – modeli i të cilit ishte i angazhuar me mesazhet të dërguara nga lart poshtë, duke mos marrë parasysh nevojat e shoqërisë dhe faktin që ai vetë, si sistem, duhet të ishte një faktor shoqërues i propozimeve ose zgjidhjeve të kërkesave të shoqërisë – sistemi i sotëm duket sikur është akoma ai i djeshmi, si një sistem pa politika të reja ose si  një sistem i formuar nga politika pa sistem. Pra nga ç’dëgjohet dhe ç’shikohet, sikurse dje, në atë sistem totalitar, dhe sot sistemi nuk ka një politik transparente dhe politika nuk ka një sistem të qartë dhe asnjëra prej të dyjave kanë një performancë.

Ky është dhe motivi që bënë të lindin pyetjet që pushtojnë fusha të ndryshme të jetës. Pikërisht nga dështimet, nga pakënaqësitë dhe vështirësitë që pjesa dërrmuese e shoqërisë jeton, e nevojshme është  pjesmarrja dhe kontributi i të gjithë grupeve sipërmarrëse të shoqërisë, si një domosdoshmëri për shpëtimin e saj  nga sistemi pa politik, sistem që ushqehet nga një rrëmujë enigmash politike të cilat bëjnë që fragmente të caktuara të shoqërisë të largohen kuturu jo vetëm të abandonuar por shpesh herë të imargjinuar dhe të diskriminuar.

Por pyetja që mundet shumë mirë të përmbledhi të gjitha shqetësimet, duke ofruar dhe duke i hapur rrugën një analize të mirfilltë  është:  ku jemi dhe si jemi sot? Jemi me një shtet pa politikë apo me një politikë pa shtet?

Këtë preokupim shoqëria e jeton dhe e mbartë mbi kurriz prej shumë dekadash, duke ja bërë jetën të vështirë dhe konfuze si në familje dhe në ambjentet e tjera shoqërore. Pritja e tejzgjatur për  përmisimin e cilësisë së jetës tashmë është kthyer në një ankth. Është pikërisht ankthi i pritjes dhe arroganca institucionale që ka zhvilluar në shoqëri psikozën e vetëbindjes. Një nga tezat më absurde e cila verbëron shoqërinë duke e bindur për situatën e cila në mënyre paradoksale ofron mos ndryshimin si zgjidhje unikale. Vetëm në një shoqëri sikurse ajo totalitare, situata është e përsëritur, monotone e pandryshueshme që nga momenti i lindjes së shteti autokrat e deri në momentin që shoqëria vendos të zgjohet për të refuzuar aktin e mos ndryshimit të imponuar nga sistemi i mbyllur dhe i vetë kontrolluar.

 Sot çfarë shoqërie jemi?

Sot çfarë kulture politike ndjek shoqërin tonë?  Këto pyetje, sikurse dhe ato të më sipërmet, kanë nevojë të thyejnë të gjitha paradokset e ngjizura me forcë, me dhunë, me propaganda të shitura e të blera dhe të gjejnë përgjigjen e vërtetë duke e parë ralitetin në sy, pra duke parë trajektoren e ndryshimit që shoqërisë duhet t’i propozohet si trajektore shpëtimi. A jemi sot një shoqëri me fragmente skorjesh totalitariste apo jemi një shoqëri që ka prodhuar një tjetër sistem, gjithmonë të formës totalitare por të kamufluar mirë nga elementë gjoja demokratik? Se këtë sistem sot, kudo, si në bashkëbisedime në shtëpi, në punë, në kafene, të gjithë pa përjashtim, e perceptojnë si totalitar, kjo ndodh për faktin që lëvizjen dhe përmbushjen e kërkesave sot, e bën vetëm forca e lekut ndërsa dje e bënte forca e mëndjes së sofistikuar dhe të shoqëruar nga një  trysni psiko-sociale. Kur themi të gjithë pa përjashtim, kjo ndodhë për vetë faktin që edhe ai që për momentin ndihet i favorizuar nga sistemi ose nga politika, kur xhvishet prej saj, i ndodhur përpara një shërbimi që është kopetencë e dikujt tjetër është i shtrënguar të paguajë. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse flasim për shërbime që vetë politika duhet t’i ketë garantuar përderisa janë publike.

Konstatim i rëndësishëm është kur na duket se këto dy  forca kanë dhënë të njëjtin rezultat, pra sikurse forca e lekut, e korrupsionit sot, dhe ajo e mëndjes së sofistikuar nga trysnia psiko – sociale dje, janë të ngjashme në rezultat përderisa shoqëria nuk është përfituesja e drejt përdrejt e të mirave shpirtërore dhe materiale.  Kjo është dilema që ndoshta nga konstatimi i bërë jo vetëm që nuk qartëson por ndoshta komplikon akoma dhe më shumë situatën e sotme.

Po ti analizojmë faktet do shohim që totalitarizmi i sotëm nuk na tregon vetëm fytyrën e qeverisë. Në qoftëse dje shoqëria ishte e përqëndruar vetëm në ato pak figura që personifikonin qeverin e një sistemi totalitar, sot, rrezja e përqëndrimit është hapur. Dje, në sistemin diktatorial, kur qeveritarët qeshnin populli bënte sikur lumturohej. Kur qeveritarët paraqiteshin me fjalime gjoja domethënëse, populli dukej sikur shqetësohej. Dje populli shprehej duke thënë: Ata mendojnë e lodhen për ne. Pra në asnjë moment, në atë sistem shoqëria mendonte vetveten, dukej sikur ajo ishte injektuar deri në kockë nga ndjenja e altruizmit qeveritar. Shoqëria në atë sistem nuk kishte nevojë të trokiste në zyrat e qeverisë sepse vetë qeveria me propagandën e saj e kishte bindur  që ishte qeveri në sherbim të popullit dhe për popullin. Ndërsa sot qeveria edhe pse shpesh herë ngacmohet nga kërkesat dhe provokimet ironike të shoqërisë  tregohet arrogante, indiferente dhe fjala “ankes” duket komode përsa problemet që shoqëria demonstron nuk duket të janë problemet e saj. Problemi i vetëm i qeverisë sot është: apo kënaqen oligarkët apo ndoshta duhet t’i ngjizet ndonjë taks tjetër shoqërisë për t’i joshur akoma dhe më shumë ata?

Nëse do t’i japim një vëzhgim sistemit që po jetojmë sot, ai është i shoqëruar kudo me figura oligarke të përbërë nga element të fortë, korruptiv e të rrezikshëm për shoqërinë. Pra, se sot do t’i drejtohemi një institucioni ose një figure qeveritare është pothuajse e zakontë që për këtë institucion ose qeveritar, problematika për të cilën ne i drejtohemi ose i ankohemi, nuk ekziston. Pra qeveria e djeshme ishte e zhytur në punë për të zgjidhur problematikat e shoqërisë dhe për këtë, sipas qeverisë totalitare, njerëzit nuk kishin nevojë të paraqiteshin nëpër zyra ndërsa sot, qeveria i përcjell njerëzit sepse njerëzit shohin ëndrra sikur ekzistojnë problematika.  Oligarku shtet, në këtë sistem, i fuqizuar nga forca e lekut të korruptuar, ka tashmë menduar një mos zgjidhje për atë që ankohet por që favorizon një tjetër “zgjidhje anormale” gjithmonë në favorin e tij. Kjo do të thotë që problemi ynë është i lidhur me politikën në përgjithësi, si me atë lart dhe me atë poshtë.

A ka shoqëri me sistem të caktuar?

Pra, shoqëria kërkon të zgjidhi atë që për ata që qeverisin nuk ekziston sepse problemi që shtron ajo nuk shihet nga ata, përderisa, është i lidhur me drejtimin e gabuar të tyre, me korrupsionin e tyre, tekat dhe kapriçot e tyre. Duke parë që ata që qeverisin janë njerëz pa sistem por të bindur se për shoqërinë kanë bërë sistem, duke parë që ata që qeverisin, janë individë pa vlera por me lek, ndoshta me shumë lek sa që dhe vet shteti që ata  kanë krijuar në aparenc duket sikur nuk ka nevoj për  shoqërin sa ka nevoj për një oligark që di vetëm të aktivizojë rrugët më flagrante dhe të abuzojë me taksat e shoqërisë duke i  vjedhur dhe shpërdoruar ato.

Kështu që kërkesat e shoqërisë sonë  janë kthyer thjesht në ankesa të pa kuptimta dhe tepër të rëndomta. Sot zgjidhjet ekzistojnë vetëm për ata që njohin gjuhën e forcës, të arrogancës dhe mbi të gjitha atë të lekut. Sot dhe interesat kombëtare janë sofistikuar nga gjuha e lekut të lobuar për më të korruptuarin sikurse për sistemin korruptiv. Sot nuk ka prodhim vlerash. Sot sponsorizohen vetëm antivlerat. Sot janë vënë në pikpyetje dhe ato pak “vlera” që nën totalitarizmin e djeshëm vet shoqëria i kishte ndërtuar duke i përdorur si arm vet mbrojtëse. Për shëmbull ndjenja e bashkëpunimit, mikpritjes, rrespektit,  solidaritetit ishin ato që jepnin mundësinë në një farë mënyre të pranimit ose të pjesmarrjes në jetën shoqërore. Dhe ato vlera sot rrezikojn të vihen në diskutim si negative ose si mos vlera përsa të krijuara nga një sistem i “harmotizuar”. Qëllimi është për të kuptuar se a ka prodhuar vlera e çfarë vlerash ka prodhon ky sistem tranzitor, gjoja i lirë, i ri dhe demokratik dhe në çfar raporti është me nënsistemet ky sistem gjoja demokratik?

Që politika ka ndikim tek sistemi i edukimit kjo është më se e sigurt, mjafton të shikojmë raportin  nxënës me nxënës, nxënës me mësues dhe me ambjentin. Këtu nuk është për t’u ndaluar tek individi por është për të analizuar të mirat dhe të këqiat që ndikojnë shoqërinë. Fëmijët tanë në përgjithësi jetojnë një botë edukative të munguar. Jetojnë një ambient jo cilësor, të limituar dhe me mungesa të jashtëzakonshme, ku dhe kjo  kufizon dhënje- marrjen e edukatës. Në një sistem demokratik është mundësia dhe hapësira e duhur për të eksperimentuar atë që fëmija nxë në shkollë ose në familje. Vetëm një sistem edukimi i tillë me mundësi aplikimi të mjaftueshëm i jep mundësinë fëmijës për t’u ushtruar dhe për t’u sofistikuar në edukatë, në mardhënie shoqërore, me pak fjalë për t’u solidarizuar me atë që quhet shoqëri. Pra të gjitha këto strumente i krijon dhe i mundëson sistemi demokratik, duke  vënë theksin tek politikat  sociale dhe po ai sistem kujdeset për aplikimin ose zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

Po ashtu arsimi është një sistem i rëndësis së veçantë dhe pjesë e sistemit makro. Politika është ajo që shpalos strategjinë e zgjedhjes së argumenteve duke ju përshtatur  aktualitetit, duke i dhënur një rëndësi të veëantë problematikave që zënë hapësira të jetës së përditëshme dhe akoma më shumë diskutimeve në ambjentet për ta më familjare. Arsimi duhet, në mënyra të thjeshtëzuara, këto njohuri t’i përcjelli tek nxënësit të cilët ulen në ambientet e shkollës me qëllimin për të nxënë dije të cilat do të duhet t’i ndihmojnë për të kuptuar dhe jetuar aktualitetin.

Roli i familjes dhe arsimit dhe kulturës në këtë disekuilibër sistemesh

Familja është sistemi kyç i shoqëris. Se familja gëzon një harmoni mentale dhe fizike do të thotë që  kapaciteti dhe kontenitori për ta zhvilluar atë më tej, janë. Kur një shtet bën një politikë në favor të familjes, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka krijuar kushtet për hallkën kryesore të shoqërisë. Politikat e sistemit social me beneficet e tyre duhet të kenë në qëndër të vëmendjes mirqënien e familjes dhe të ambjentit ku ajo krijohet e rritet nga dita në ditë. Në botën e zhvilluar perëndimore synimet ose sugjeriment e sipër përmëndura janë pjesë e pandarë ose e domosdoshme e politikave të zhvillimit, ndërsa në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar fakti që sygjerimet e lart përmendura mendohen ose trajtohen shumë pak ose aspak. Mungesa e theksuara e programeve me qëllime të mirëfillta sociale tregon dobësin dhe mungesën e ndjeshmërisë të politikës sociale të një shteti dhe të kulturës së dobët të tij.

Pra lind pyetja a duhet të ketë politika një shije kulturore? Është një pyetjet që stimulon ndjesinë e një përgjigjeje. Politika duhet të ketë një shije kulturore sikurse dhe vetë kultura duhet të jetë mbartëse  e një politike të qartë sociale. Çdo rrymë e çfardo lloj fusheje që lind nga gjiri i një kulture i ka rrënjët tek vetë kultura. Pra se nga kultura jonë ka lindur një politikë dhe një klasë politike e djeshme dhe e sotme me mangësira ose eksese të theksuara, do të thotë që kultura është ajo që ka nevoj për një përkujdesje.  Kujdesi kulturor që një shoqëri shpreh ndërsa trajton aspekte të ndryshem të jetës është demonstrim i një niveli të lartë të saj. Një mobilizim i intelektualëve për rritjen e nivelit kulturor shoqëror do të ishte domethënëse ndërsa do të konfirmonte punën e jashtëzakonshme në rritjen e ndërgjegjesimit dhe të vetëdijes të shoqërisë. Vetëndërgjegjësim i shoqërisë do të kurorëzohej në mirë zgjedhjen e klasës politike dhe të vetë politikës duke përdorur forcën e arsyes, të llogjikës, të dijeve dhe shijeve kulturore, për të shënuar një kthesë të dobishme në rritjen e cilësisë së jetës, në krijimin dhe afirmimin e vlerave të saj dhe si rrjedhojë në rritjen dhe përmirësimin e performancës politike, shoqërore.

Sot të gjithë ankohen!

Sot është disi e vështirë të theksojmë sikurse dhe një vlerë të vetme shoqërore e cila mund të lumturojë të gjithë shoqërin ose pothuajse të gjithë. Sot, kudo që shkon, këdo që takon,  e dëgjon të shprehë vetëm pakënaqësi. Të gjithë ankohen. Ai që punon në krye ankohet për atë që punon më poshtë. Ai që nuk ka gjë në dorë, pra që nuk është në një post publik, ankohet për atë që posti publik nuk i mungon, ai që nuk është në marëdhënie pune ankohet për atë që marëdhënia e punës nuk i mungon e kështu me radhë. Pra, ankesa duket si “vesi” i përbashkët e konstatuar ose e lindur nga ky sistem dhe që çuditërisht në sistemin e vjetër ishte si e pazakontë përsa ai sistem a priori punonte për popullin. I vetmi ndryshim i konstatuar ndodhet tek konceptimi i ankesës; dje nuk mundeshe dhe as të ankoheshe ndërsa sot kujt po i rreh se po ankohesh!

Pra se ne kemi ndërruar sistem vetëm për të shprehur ankesën, që dje nuk mundeshim as ta shprehnim, kjo është pak ose asgjë dhe të bënë të mendosh. Zëvendësimi i një sistemi të mbyllur si produkt i një politike autoritare me një sistem pa sistem produkt i një politike pa politikë të qartë, duket si konkluzion i të gjithë këtij tranzicioni që shumë mirë mund të themi që jo vetëm nuk ka sjellur dobi shoqërore por ka rritur hapësirën e huqeve, kapriçove dhe arrogancës duke i shtrirë këto vese në të gjitha nivelet shoqërore.