Home IN MEMORIAM Si sot 3 vite me parë humbi betejën me koronavirusin Hajdar Kovaçi,...

Si sot 3 vite me parë humbi betejën me koronavirusin Hajdar Kovaçi, një nga gjigandët e arkitekturës durrsake dhe shqiptare/ FOTO

Më 27 Prill 2000 ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit, arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi. 73-vjeçari durrsak vdiq në spitalin Shefqet Ndroqi, Sanatorium. Ai ndenji i shtruar në spital në 24 ditë i intubuar, por nuk mundi të mbijetojë. Ai ishte nje nga miqte me te mire te gazetes bulevard dhe nje nga mbeshtetesit me te medhenj te hapjes se bulevard tv i cili po pergatit nje dokumentar ne bashkepunim me familjen e tij, te afermit dhe miqte e shumte dhe koleget qe ai kishte. Gazetari Xhevahir Gradica i kushtoi nje shkrim Darit botuar ne gazeten Bulevard para se ai te ndahej nga jeta. Nderkohe qe Dari na mungon duket sikur shkrimin po e shkruan sot dhe nuk mungojne edhe miqte e tij ne vlersimin e njerit prej arkitekteve me te mire ne vend.

Ndërkohë për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu demokrat thotë se Kovaçi ishtë një personalitet i respektuar dhe intelektual i nderuar, i cili gëzonte respekt respekt të thellë nga kolegët, intelektualët dhe qytetarët.

“Në vitin 1972 ai u emërua arkitekt në qytetin e Bajram Currit ku edhe sot bashkëkohësit e kujtojnë me nderim e respekt për punën e tij në ndërtimin e qytetit verior si për përgjegjësi të lartë profesionale, kulturë dhe intelekt”, shkruan Basha.

Për të përshëndetur Kovaçin në udhëtimin e tij për në banesën e fundit, ishin te pranishëm edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe ish kreu i PD Ferdinand Xhaferraj, ndersa Kreu i PD Lulzim Basha do te bënte këtë postim!

Postimi i Lulzim Bashës

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjen para kohe të ing. Hajdar Kovaçit i cili humbi jetën pas një beteje disa ditore me koronavirusin në spital. Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike ju shpreh ngushëllimet më të ndjera bashkëshortës së tij znj. Magdalena, djalit të tij Admirit, të afërmve dhe miqve të shumtë të tij dhe mbarë qytetarëve të Durrësit.

Arkitekti Hajdar Kovaçi ky personalitet i respektuar dhe intelektual i nderuar gëzonte respekt të thellë nga kolegët, intelektualët dhe qytetarët. Në vitin 1972 ai u emërua arkitekt në qytetin e Bajram Currit ku edhe sot bashkëkohësit e kujtojnë me nderim e respekt për punën e tij në ndërtimin e qytetit verior si për përgjegjësi të lartë profesionale, kulturë dhe intelekt.

Pjesën tjetër të jetës profesionale dhe familjare e vazhdoi në qytetin e Durrësit, për të cilin dha gjithçka, kontribut që iu shpërblye me mirënjohjen dhe vlerësimin e gjithë qytetarëve durrsakë. Ai mbahet mend si themelues i arkitekturës moderne kur në fillim të viteve ’90 themeloi studion e parë arkitekturore në qytetin bregdetar.

Hajdar Kovaçi është një nga aktivistët më të njohur të Partisë Demokratike në Durrës. Ai ka kandiduar për deputet nën siglën e PD në vitin 2001 dhe ka përfaqësuar për dy mandate qytetarët në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Në të gjitha detyrat e tij ai shërbeu me integritet, dhe ishte model i qytetarit familjar, i intelektualit të angazhuar për interesat e komunitetit dhe i profesionistit të talentuar.

Dar Kovaçi do të mbetet përherë në kujtesën e kujtdo që pati fatin ta njohë dhe në mirënjohjen e të gjithë durrsakëve për të cilët dha aq shumë. U prehtë në paqe!

Arkitekti Hajdar Kovaçi: Sot ka arkitekturë të tezgës ku ligjin e bëjnë ndërtuesit dhe pronarët e truallit

Histori interesante dhe ndodhi gati të pabesuara për ditët tona ato çfarë ka përjetuar industria e arkitekturës gjatë 45 viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Edhe pse në një formë tjetër, ndëshkimi për të nuk qe fare më i lehtë se në sektorë të tjerë. Arikitekti Hajdar Kovaçi është i pari student i diplomuar në Arkitekturë. Rrëfimet e tij janë interesante, të përjetuara nga afër. Janë fare pak ata që e besojnë se xhami në kohën e Shqipërisë së para viteve 90 të shekullit të kaluar ishte armiku më i madh për arkitekturën, apo se mermeri nuk mund të kalonte gardhin e vilave të pushtetarëve të nomeklaturës së kuqe komuniste. Kovaçi dhe Janaq Jorgo janë dy arkitektët e parë të shkolluar në Durrës. Kovaçi ka afruar për gazetën “Bulevard” opinione dhe deklarime origjinale një pjesë e të cilave lidhen me aventurat për të mbijetuar në vitet e një pushteti të mbushur me intriga, kurse nga ana tjetër dëshmon edhe për fytyrën e shkuar dhe atë të sotme arkitekturore të Durrësit.Hapur dhe shkoqur ka pohuar se arkitektura është kapur peng dhe se ka dalë në Pazar pasi ligjin e bëjnë ndërtuesi dhe pronari i tokës. Gjyshi i arkitektit, i arsimuar si dhe i ati i  tij gjatë gjithë jetës në vitet e para dhe pasçlirimit të vendit kanë qenë nëpunës finance. Ai është një nga shtatë fëmijët e familjes Kovaçi, gjashtë prej të cilëve përfunduan studimet e larta.  Fakti se ata janë nipër e mbesa të familjes Kupi, letrat anonime kanë vënë në provë e në siklet secilin prej tyre.

Shkollimi

Hajdar Kovaçi është një nga 17 arkitektët e parë të shkolluar në Shqipëri. Vetëm 4-5 të rinj të degës së Arkitekturës ishin nga rrethet si dhe një vietnamez, ndërsa të gjithë të tjerët djem e vajza të Bllokut, ose ngjitur me gardhin e sarajeve të bllokmenëve. Kanë qenë jo pak por plot 70 studentë të inxhinierisë së ndërtimit, në mesin e të cilëve edhe djali nga Durrësi me origjinë familjare nga Kruja, që ka marrë guximin të konkurojë për të kaluar në kursin e parë të Arkitekturës në Shqipëri. Tani që kanë kaluar 40 vite, dekani Fakultetit të Arkitekturës, në takim me studentët e parë të Arkitekturës u ka thënë atyre se konkursi në ato vite ka qenë jo vetëm i fortë, por edhe strikt e i ashpër. Kovaçi qe një ndër ata që mundi të dalë në anën tjetër të bregut pa pasur nevojën e ndonjë ndërhyrje. Bashkëstudentë me të kanë qenë Klement Koloneci, Mine Shehu (e bija e Fiqor Shehut), Maksi Mitrijorgji, Pirro Vaso, Fatos Pashko. Për 3 vite vijoi studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës dhe më pas konkuroi në arkitekturë. Trashëgonte kulturë morale dhe edukatë në nivelet e lakmueshme pasi gjyshi tij, Jahja Kovaçi ka qenë jo vetëm nëpunës, por edhe një nga patriotët shqiptarë , që ka kontribuar për hapjen e shkollave shqipe, aktivitet për të cilin është dekoruar. Gjyshi njihte persisht e arabisht dhe ka shërbyer në administratën e para viteve të çlirimit. I ati arkitektit, Hysen Kovaçi ndoqi të njëjtën udhë dhe u bë nëpunës finance, profesion që më pas e trashëguar të bijat. Hajdar Kovaçi pati kryer shkollën e mesme “Nako Spiru” në Durrës, sot gjimnazi “Leonik Tomeo”. Familja u shkëput nga Kruja në vitet 37 dhe kjo u dha mundësi shtatë fëmijëve të Hysen Kovaçit të marrin shkollim të lartë. Kështu vajzat Besime ( e cila do të sakrifikojë shumë për arsimimin e vëllezërve) dhe motra tjetër Hyrie arsimohen në Financë, Hamidja në Matematikë, Abedini në Institutin e Kulturës Fizike, Hajdari për arkitekt, Petriti në Inxhinieri ndërtime, kurse Sajmiri përfundon gjimnazin dhe i përvishet punës për të ndihmuar vëllezërit. Vet Hajdari është detyruar të ndërpresë shkollimin për t’u punësuar për dy vite në NSHN si normist, ngase familja kishte nevojë për të paguar vajzat dhe djemtë në Universitetin e Tiranës, veprim qe e kanë bërë me rrallë edhe djemtë e tjerë të familjes Kovaçi. Pedagotët e Arkitekturës ishin të gjithë të arsimuar jashtë vendi, kryesisht në Rusi dhe në Hungari. Profesorët Besim Daja, nismëtari i hapjes së degës së Arkitekturës, Enver Faja, Vasilika Cicko janë të parët lektorë që edukuan profesionalisht studentët e parë, elitën e arkitekturës shqiptare. Universiteti u liroi një mjedis më vete studentëve të kësaj dege, sallë- dritat e së cilës fikeshin vetëm pas mesnate. Kovaçi për disa vite jetoi në mesin e studentëve të cilët ishin pinjollë të elitës politike dhe që bënin jetë aristokratike krahasur me varfërinë ekstreme të shoqërisë shqiptare. Kjo kategori e të rinjve dalloheshin në të veshur dhe në të argëtuar. Djali nga Durrësi për herë të parë preu një kostum me porosi tek rrobaqepësi shkollës së Arteve vitin e fundit të studimeve, në prag të diplomimit. Kovaçi kishte mundur t’i bënte vend vetes në mesin e asaj shoqërie, jo për shkak të kushteve ekonomike, të cilat ishin në nivele të padëshiruara, por ngase kishte dhunti dhe vullnet.

Të pathënat

Arkitekti Hajdar Kovaçi nuk e pati fatin të emërohej në Durrës, ndryshe nga i diplomuari tjetër, miku i tij, Janaq Jorgo. Për herë të parë si arkitekt do të firmosë në disa projekte të përgatitura në Bajram Curri, qytet ku u emrua me të përfunduar studimet. Katër vite do të ishin shumë për të pasi Kovaçi ishte i fejuar. Megjithatë nuk ishte i vetmi që degdisej në cepin verior të Shqipërisë pasi në Bajram Curri kishte edhe djem e vajza “jabanxhinjë” si mjek, financierë, inxhinierë, stomatolog, ekonomistë, mësues. Të gjithë flinin tek hoteli punëtorëve, kurse ushqimin në të tre vaktet e kryenin në mensë. Projektoi godinën e komitetit të partisë, komplekte banesash në qendër të qytetit verior, monumente historike dhe objekte të ndryshme social-kulturore. Tropojanët shkolloheshin në Tiranë dhe qëndronin në kryeqytet duke refuzuar kthimin në vendlindje për t’u punësuar, veprim i zgjuar për të nisur jetë dhe karrierë të re. Transferimi për në Durrës do të ishte vetëm i përkoshhëm pasi i popozuan të shkonte në Elbasan, në kombinatin metalurgjik. Refuzimi e riktheu në Bajram Curri edhe për 5-6 muaj. “Riatdhesimi” në Durrës nuk është se i shkoi shumë për shtat. Herë pas here jeta e tij do të trazohet nga letrat anonime të cilat futeshin nën derën e instruktorëve dhe krerëve politik apo ekzekutiv në qytetin e lindjes. Nëna e djemve dhe vajzave të familjes Kovaçi, Zyhraja, ishte nga dera atdhetare dhe patriotike e Kupëve. Regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha i kishte shpallur armiq jo vetëm Kupët, por edhe nipërit, mbesat dhe rrethim farefisnor e miqësor të tyre. Arkitekti, në Durrës, nisi të ushtrojë profesionin e arkitektit në zyrën urbanistike për 3 vite, deri në 1979.  Tjetër letër anonime do të bëhet shkak për ta transferuar nga kjo zyrë e komitetit ekzekutiv, për në ndërmarrjen nacionale të bonifikimit. Deri asokohe kishte projektuar gjysmën e qytetit të Durrësit. I pari projekt ishte ai i shkollës së mesme të mjeshtërisë sportive, komplekset e banesave sociale tek parafabrikatet, banesat nga stacioni trenit deri tek Ura e Dajlanit…Hija e mbërritjes së letrës anonime e ka shoqëruar gjithandej. Ishte i bindur se xhelozia e të tjerëve për aftësitë dhe kulturën që dëshmonin djemtë dhe vajzat e Hysen Kovaçit kishte prekur në sedër kategorinë e personave hileqarë. Ata nuk linin gurë pa lëvizur për t’ua prishur rehatinë. Pasi Kovaçi dhe arkitekti Edgar Frashëri kishin përfunduar projektin e komitetit të partisë në Durrës, sot godina e prefekturës, atë e thërrasin instrukturët politik. Asokohe Kovaçi kishte përfunduar në bonifikim, ndërsa për shkak të aftësive, ia kishin besuar projektin e komitetit. Personat që e ndiqnin si hije ishin një hap para tij dhe nuk shkuleshin së shkruari duke i kujtuar funksionarëve të lartë lokal se nipi i Abaz Kupit kishte “sabotuar” me projektin, ndonëse dihej mirë se qe miratuar nga Instituti nr. 1 i projektimeve në Tiranë. Arkitekti vendoset përballë sekretarit të parë, Mihallaq Ziçishti. Në prani edhe të ministrit të Ndërtimit Rrahman Hanku i dëshmon arkitektit se ka informacione se projekti kishte problem serioze. Ministri pasi i bën të ditur se as ai dhe as sekretari i parë nuk kishin dijeni teknike dhe profesionale ndaj u vendos të thërritej një grup arkitektësh nga Tirana. Ekipi përbëhej nga arkitekt Koloneci, djali Kadri Hazbiut dhe i biri i Manush Myftiut të cilët morën në mbrojtje kolegun e tyre dhe porositën ministrin Hanku dhe vet sekretarin e parë të Durrësit të mos preknin asgjë, ndryshe projekti deformohej dhe prishej. Një tjetër furtunë e shoqëruar me dallgë të forta u kapërcye për të mos qenë e fundit. Tre vite pasi ishte përfshirë në projekte për ndërtimin e rezervuarve dhe veprave të tjera për mbarë Shqipërinë, e trazojnë për të kaluar tek serat, në byronë teknike të kësaj ndërmarrje. Arkitekti ishte mësuar me trazime të tilla dhe gjatë gjithë kohës ruante durimin. Zyra e urbanistikës ishte shumë e lakmuar ndaj edhe emri Kovaçit ishte vendosur në shenjestër për t’u goditur sa herë që ndokush kujtohej për t’i zënë vendin. Nuk ndodhi qoftë një herë që arkitekti i parë në Durrës të gëzonte së paku vetëm një herë të vetme përgjegjësinë e të qenurit shef në zyrën urbanistike, si një mundësi e cila do i hapte dritën jeshile për të investuar në zhvillimin arkitekturor të qytetit. Kovaçi thotë se letrat anonime janë bombë me sahat, si për të shfajësuar krerët e ekzekutivit dhe të politikës në Durrës. Këtë lloj letre as e hiqnin dot dhe as e fshihnin. Çdokush kërkonte të lante veten e ta lindte në derën e huaj përgjegjësinë. I njeh shumë mirë ata që nuk pushuan së shkruari për t’ia njollosur biografinë. Janë e jetojnë edhe sot. Nuk e kanë marrë mundimin për t’i kërkuar ndjesë dhe kjo është pjesa që e bën të ndihet i shqetësuar edhe sot, pas disa dekadave.”I di të gjitha, i njoh ata njerëz. Asnjëri nuk pendohet”,-është shprehur me qetësinë e një intelektuali arkitekti. Ai ishte i bindur dhe me saktësinë më të madhe se cila qe dora që shkruante letrat anonime të cilat nuk iu ndanë nga rinia deri sa u rrëzua sistemi komunist. Edhe këtu projekte e skica për të gjithë vendin. Rikalimi në zyrën urbanistike të komitetit ekzekutiv do të ishte edhe periudhë e marrjes fund të kalvarit të gjatë të besdisë, stresit, përgojimit dhe ndëshkimeve të pamerituara. “Ishte e njëjta dorë, i njëjti shkrim, vit për vit, sa herë që arkitekt Kovaçi tentonte të ngjiste një shkallë në superstrukturën e administrimit lokal për ta mbyllur në vitin 1992.

Arkitektura   

Arkitekti Hajdar Kovaçi ka numrin 001 të licensës në Durrës, tregues që le të kuptohet se bëhet fjalë për shtresën elitare së bashku me Janaq Jorgo në brezin e llojit të tyre të diplomuar në vitin 1972. Pas tyre doli brezi i dytë me Lulëzim Velja, Viktor Dhimgjini. Hajdar Kovaçi studenti i profesorit të nderuar Besim Daja, themeluesit të Arkitekturës, ka thënë se arkitektura është përgjegjësi shumë e madhe dhe se në shumë vende e shtete përfshihet në disiplinën e artit. “Nuk është telajo që mbahet e hiqet në ekspozitë”,-është shprehur ai për të kujtuar se me sa përgjegjësi duhet ushtruar profesioni. Kovaçi më tej ka bërë të ditur se projekti arkitekturës ngurtësohet, mbetet aty. Para se Shqipëria të kapërcente në shoqërinë e hapur dhe ekonominë e tregut, projektet detyrimisht kalonin në sitën e këshillit. Ishin ata që mbikqyrnin dhe “vigjilonin” për të mos shpëtuar pa u censuruar çdo tendencë e klasifikuar borgjeze. Saktësisht arkitektët përpiqeshin të krijonin edhe pse kishte jo pak rrisk çdo hap që hidhnin. Luftë e fortë, e ashpër dhe e egër i qe shpallur xhamit në sipërfaqe të mëdha pjesë e fasadave. Apartamentet duheshin detyrimisht të kishin uniformitet dhe asnjërit nuk i lejohej të projektonte sipas idesë dhe punës krijuese. Pallatet ishin unikale ngado që të hidheshin sytë, po ashtu edhe pallatet e kulturës, spitalet, shkollat, kopshtet e çerdhet. Vit pas viti të gjitha byrotë e projektimit u kthyen në kopjues pasi krijimi sipas frymëzimit klasifikohej ndikim i huaj dhe i dënueshëm. Këtu nisi të rrënohej arti dhe arkitektura, kurse projektuesve s’u mbetej tjetër veçse të kryqëzonin duart. Xhami kushtonte më shtrenjtë se ndërtimi me tulla ndaj nuk u lejuar asnjëherë të projektohej një objekt me faqe të mëdha prej xhami. Spiro Koleka, anëtar i byrosë politike, mbikqyrte çdo tendencë duke mos lejuar kapërcimin e vijës së kuqe të asnjë projektuesi. Borgjeze dhe të dëbuara në ndërtime godine dhe objekti klasifikoheshin kolonat e mëdha, veshjet me mermer, dritaret me ndriçim të plotë, ballkonet me dekor dhe të varura, rifiniturat e fasadave (veshjet me pllaka). Arkitekti Kovaçi ka thënë se mermeri përdorej vetëm në vilat e bllokut në rezidencën e tyre në Plazh. Mermeri merrej në Muhërr të Peshkopisë dhe në Gjirokastër. I pari ishte i kuq dhe shumë cilësor, ndaj pëlqehej nga familja e krerëve të udhëheqjes. Në pjesën më të madhe  eksportohej ngase tregu huaj e kërkonte me ngulm ngase ishte cilësor. Kovaçi mban mend se si Nina Theodhori e ftoi të bashkëpunojë për të realizuar rikonstruksionin e hotel “Adrtiatik” , ndërsa me jo pak telashe e kaloi projektin e rikonstruksionit të kinoklubit pranë portit të Durrësit, në të njëjtin vend ku gjendet edhe sot. Kovaçi kujton se në atë mjedis argëtoheshin vetëm marinarë të huaj, kurse shqiptarët që dukeshin në të njëjtin vend ishin vetëm agjentë, punonjës të sigurimit, hetues. Këta të dytët bënin punën e kamarierit, administratorit, furnitorit, përkthyesit…Marinarët e huaj kalonin deri në dehje të plotë, thyenin shishe e gota, shanin e bënin veprime të tjera të dhunshme, ndërsa asnjëri prej tyre nuk mbante përgjegjësi. Gjithçka për arsyen e thjeshtëe se shteti shqiptar u merrte dollarin. Kjo qe pak a shumë klima në të cilën u gjend arkitekt Kovaçi të cilit iu caktua të projektonte rikonstruksionin e kinoklubit. Arkitekt Kovaçi bëri një dekor, shqiponjë të stilizuar. Me simbole, jo thjeshtë shqiponjë. Pra nuk ishte portretizuar, mishëruar një shqiponjë dhe kjo ide qe vlerësuar nga arkitektët si vepër arti. Me të përfunduar, aktivizohet letra anonime, personi ( personat) që e ndiqte hap pas hapi Kovaçin për të bërë ç’ishte e mundur ta ndëshkonte. Vehbi Oketa, instruktor për kulturën dhe një kolegu tij vajtën dhe panë çfarë realisht kishte ndodhur ngase ata e kishin të pamundur ta fshinin “ankesën”. Kovaçi e njihte Oketën dhe se kishte respekt familjarisht për këtë instruktor ngase jetonin në të njëjtin qytet. Arkitekti i bën të qartë se nuk mund të kompozonte realisht një shqiponjë në një mjedis ku marinarët e huaj edhe po t’ia vinin flakën, shteti shqiptar bënte qorrin e shurdhin. Nëse do të ndodhte që realisht do të vendosej flamuri shqiptar, kishte shumë të ngjarë që ndokush marinar i huaj të ndëshkonte qëllimisht ose pa dashje atë. Edhe kjo situatë mbeti në sirtar për të mos u nxjerrë që andej dhe çdo gjë falë instruktorit Vehbi Oketa. Pasi vjen demokracia në Shqipëri, kalon në shërbim privat.

Studio

Së bashku me të tjerë arkitektë hapin një studio projektimi të emërtuar studio “Uni Project”. Qe e para e krijuar në Durrës dhe me 10 anëtarë si: arkitekt, konstruktor, inxhinierë të fushave të ndryshme, pra me cikël të mbyllur. Për shkak të emrit shumë të mirë dhe shërbimit cilësor që studio afronte, një kompani angleze dërgoi tek ata për recensë projektin e Gjirit të Lalëzit. Projekti, në këndvështrimin e arkitektit Kovaçi ishte i standarteve mjaft cilësore, por kjo nuk pati ndonjë rëndësi pasi persona të interesuar ia hodhën poshtë. Kovaçi kujton se një projekti i tillë ishte jashtëzakonisht pozitiv pasi parashikonte të shtrinte efektet, ndikimin dhe bashkëpunimin në disa sektorë dhe jo thjeshtë në shfrytëzimin e bregdetit për qëllime pushimi stinore.Pra projekti ishte përtej dizanjos. Bëhet fjalë për vitet 1992-1995 dhe vlerësohej pa më të voglin dyshim zgjedhja më serioze. Përfaqësues të studios, ndër ta arkitekti Kovaçi, u thërritën në takim me kryeministrin e asaj periudhe, Aleksandër Moisiu tek i cili bënë avokatinë më të drejtpërdrejtë dhe serioze projektit. Ndërsa u mendua se gjërat po shkonin në vendin e duhur, ndodhi ndryshe, projekti u la në sirtarë si dhe shumë të tjerë, për të dalë që andej një tjetër project. Të fortët jo vetëm që e rrëzuan, por edhe e dëbuan anglezin, edhe pse ai kishte afruar projektin më serioz. Me të ardhur demokracia në vend u krijua shoqata e arkitektëve të Shqipërisë me kryetar arkitektin Petraq Kolonica, kurse Kovaçi zgjidhet nënkryetar. Funksioni i dha mundësi të merrte pjesë në shumë konferenca ndërkombërate për arkitekturën. Shoqata shqiptare nuk vonoi dhe u bë anëtare e shoqatës së arkitektëve të Mesdheut, me nismë të grëkëve dhe me një përfaqësim nga 20 vende. Takimi i parë u zhvillua në ishin e Kretës, ndërsa më pas të tilla ballafaqime u bënë të përvitshme. Përfaqësues kishte nga Greqia, Italia, Shqipëria, Maroku, Egjipti, Turqia. Specialistët në takime me karakter kombëtar diskutonin për prirjet dhe orientimet e arkitekturës. Moto e shërbimeve dhe shkëmbimit të bisedave qe “Arkitektura nëshërbim të njerëzve”. Kovaçi për arsye funksioni në shoqatë vizitoi Maltën, Marokun, Tunizin, Qipron…Me t’u vënë shoqatat shqiptarëve e arkitektëve nën pushtetin politik, Kovaçi e braktisi për të mos shkuar më.

Durrësi në ngërç

Hajdar Kovaçi e njeh mirë arkitekturën, qytetin e Durrësit, interesat, zonat me rrisk arkeologjik, perspektivën e zhvillimit dhe të tjera gjëra. Është një nga vëzhguesit më serioz dhe që nuk ka pranuar të heshtë në mbledhjet e komisionit të rregullimit të territorit në bashkinë e Durrësit. Teksa analizon atë që ka ndodhur dhe ndodh në qytetin bregdetar, veçanërisht me sektorin e ndërtimit, ka bërë të qartë se zona të tëra janë shkatërruar dhe me pasoja të rënda ngase është e pamundur të përmirësohet. “Në zonën e arkeologjisë është bërë një masakër e madhe dhe me pasoja të rënda”,-ka thënë Kovaçi, syrit të të cilit nuk i shpëton asgjë. Arkitekti ka pohuar se një gjë e tillë ka ndodhur sidomos nga pallati kulturës në qendër të qytetit të Durrësit  deri tek tregu fshatar, zonë e cila jo vetëm nuk u ruajt, por u la nën mëshirë të njerëzve që nuk kanë nevojë në investimet e tyre as për projektues, as për arkitekt dhe as për zbatues. Të gjitha i bëjnë vet ndonëse nuk kanë as nivelin e mesëm të arsimimit. Kovaçi është bërë shpesh herë dëshmitarë i zdhukjes së pasurisë arkeologjike nga ndërtues të ndryshëm të cilët sapo ekskavatorët dhe skrepat e tyre zbulonin rrënja arkeologjike apo objekte shumë të vlefshme i transportonin për t’i hedhur në det. Ndikim negative me të njëjtën prapavijë rrënimi të arkeologjisë ka pasur edhe komisionin i kthimit dhe kompensimit të pronave, anëtarët e të cilit kanë dorën e tyre në masakrimin e zonën arkeologjike duke lejuar që të zdhuket e të groposet përjetësisht. Dhënia e lejeve të ndërtimit pa asnjë lloj kriteri i ka kushtuar shumë rëndë Durrësit që përjetësisht nuk do të mund të ndërtojë ndonjë park të gjelbër dhe kjo për arsyen e thjeshtë të zënies së çdo pëllëmbe tokë. Ndërtimet në Durrës janë llogaritur t’i qëndrojnë tërmeteve deri në 9 ballë, tregues ky që çliron mendjet e qytetarëve nga frika. Sektori ndërtimit në Durrës është i paralizuar që nga viti 2012, ndërsa Kovaçi thotë se KRRTRSH duhet sa më parë t’i japë zgjidhje. Vija e verdhë nis tek Kodrat e Rrashbullit deri në Currila duke përfshirë edhe Shkozetin. Aktualisht ata pak ndërtues që punojnë sot janë ose kategoria e atij grupim që nuk po pyet askënd, ose  i ka të blerë të gjithë zbatuesit e ligjit. “Sot arkitektura është e tezgave pasi bie nën presionin e ndërtuesit dhe të pronarit të truallit, a pronarëve. Janë pikërisht këta të dy që bëjnë punën e arkitektit edhe pse nuk kanë as njohuritë më elementare. Me merak e shikon zhvillimin dhe zgjerimin në Plazh arkitekti. Firmat e ndërtimit edhe atje kanë punuar pa një plan zhvillimi urban perspektiv, në një kohë që jeta e komunitetit dhe  fluksi pushuesve në verë e bën zonën më të populluar në të gjithë vendin. Arkitekti Hajdar Kovaçi ka bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për prishje në këtë zonë, pavarësisht se ka mjaft objekte që duhen rrafshuar. “Shembja është një fjalë goje, por ne duhet ta dimë që nuk kemi këllçe për të marrë një hap të tillë”,-është deklaruar Kovaçi. Bëhet fjalë për investimet maramendëse me dërgesat e emigrantëve shqiptar. “Nuk e kemi atë luks që të marrim një vendim të tillë për prishjen edhe pse do ia vlente shumë”,-pohoi arkitekt Kovaçi. Ai është pozicionuar kundër shembjeve një pjesë e të cilave kanë tërhequr shumë vëmendjen e shtetit. Durrësi ka me dhjetra e dhjetra palate, hotele, banesa që detyrimisht duhen bërë pjesë e listët për t’u shembur. Megjithatë çështjes, sipas Kovaçit, duhet mbyllur sa më parë për të lënë mënjanë shembjet dhe për të parë se cilat duhet të jenë orientimet e zhvillimit. Ai shkon përtej një denoncimi të tillë duke deklaruar se pas këtyre shembjeve qëndrojnë segmente të politikës dhe se qytetari nuk është se ka ç’të presë. Kovaçi pohon se para së gjithash nuk duhet lejuar të ndërtojë pa leje dhe jo t’ia prishë ndërtesën. Kohët e fundit, kujton ai, mësohet se janë publikuar edhe emrat e 6-7 deputetëve që kanë aplikuar për legalizim. Ky fakt është marrë prej arkitektit si shembull për të treguar se ligjvënësit shqiptar janë të paligjshëm.

(Shkrimi u botua nga gazeta bulevard)

Previous article“ Kohën dua ta ndaloj”, dëshira pa limite e Kastriot Lamaj
Next articleAkuzat politike për vrasjen e Nikulajt, Mero Baze: Berisha u soll si gjykatës dhe prokuror