Home Opinion Si shpjegohet ‘Omerta’-ja pas ‘bombës’ së gazetës austriake për Ilir Metën

Si shpjegohet ‘Omerta’-ja pas ‘bombës’ së gazetës austriake për Ilir Metën

Nga Ylli Pata

Besoj kush i ndjek, apo i ka ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri, i mban mend që në vitin 2017, në mediat shqiptare u përhap me zhurmë një lukuni lajmesh e “analizash” për një ngarkesë me 1400 ton mbetje  toksike që ishin nisur nga Italia drejt Shqipërisë.

Një lajm që natyrisht nuk rezultoi i vërtetë, por për të cilin ka një hetim nga organet ligjzbatuese italiane, që zbuluan se ishte një lajm i rremë i sajuar për arsye politike. Madje u përmendën edhe emra njerëzish që lobuan, e për interes të kujt lobuan.

Tani të vijmë tek viti 2019, e zhurma mbi publikimin nga gazeta gjermane Bild  të disa audio përgjimeve që ishin kryer me urdhër të disa prokurorëve të Krimeve të Rënda(paraardhësja e SPAK). Përgjime telefonike të kryer gjatë periudhës së zgjedhjeve të pjesshme vendore të vitit 2016 në Dibër.

Prokurorët nuk hetuan mbi çështjen për ta çuar në gjykatë, por CD-të me përgjime i dorëzuan në selinë e Partisë Demokratike, e cila i montoi, përktheu në gjuhën angleze mbivendosi titrat dhe i dërgoi për botim në gazetën më popullore gjermane, e cila duhet thënë se është tabloid.

Botimi i tyre nuk se ishte i panjohur për  publikun shqiptar, pasi kishte pasur disa artikuj investigativë, madje Unioni i Gazetarëve kishte dhënë çmimin e “reporterit të vitit” për gazetarin që i nxori në shtyp pjesë të këtyre përgjijmeve, për të cilat nuk u bë hetim.

E megjithëse pjesë nga ato përgjime njiheshin, në panelet e darkës u fol shumë mbi përgjimet e Bild. U ripublikuan, u diskutuan, u debatuan, e natyrisht u komentuan publikisht edhe nga partitë politike. Në radhë të parë nga opozita.

Dje, gazeta më e madhe e Austrisë, e natyrisht përveçse shumë popullore, edhe serioze dhe me influencë, publikoi një shkrim, ku fliste për një skandal të nivelit të lartë.

Kronen Zeitung theksonte se Ilir Meta, Presidenti aktual i Shqipërisë, ka lobuar për të marrë pjesë në inagurimin e Presidentit Trump duke paguar një shumë prej 700 mijë eurosh. Shumë, që gazeta theksonte se vinte nga një kompani qipriote “Dorelita Limited”, e që janë paguar nga një avokat afër Metës.

Shkrimi në vetvete, nuk është shterues, por flet për disa pika të errëta, që natyrisht duhen dhe mund të diskutohet më hollësisht për t’i sqaruar.

I përmenduri në çështje, pra Ilir Meta, e ka kundërshtuar si nëpërmjet zëdhënësit, si në vetë të parë në Konferencën e sotme për shtyp në Presidencë. E çfarë është e njohur në raste të tilla, kaloi nga mbrojtja në sulm.

Siç thotë Ilir Meta, çështja nuk është e re, pasi në vitin 2018 u shkrua nga revista amerikane Mother Jones, e njëjta që shkroi edhe për lobimin e Partisë Demokratike.

Shkrim, i cili ishte me i detajuar mbi pagesat e parave prej një kompanie që kishte pronarë rusë.

Kurse kompania që flet gazeta më e madhe austriake është qipriote, dhe thekson se paratë janë paguar nga një avokat pranë LSI-së.

Ndryshimi i Mother Jones me Kronen është tek shuma e parave. Revista amerikane fliste për një kontratë prej 15 mijë eurosh në muaj, por që kontrata u prish muajin e dytë, e gazeta austriake flet për 700 mijë euro, duke shtuar edhe fatura operacionesh plastike.

Këto janë teza që hidhen nga një shkrim i një gazete të rëndësishme austriake, që së paku duhen diskutuar dhe dëgjuar palët. Si në rastin e Bild, kur në panelet e darkës u thirrën edhe përfaqësues të atyre që ishin në përgjime, por edhe gazetari gjerman.

Ndërkohë, në këto moment, jemi në rastin kur flet vetëm pala e akuzuar që është normale, por jo media që ka bërë shkrimin. I mbani mend raportimet 24 orë në 7 ditë, të “reporterëve special” në televizionet kryesore kur dolën përgjimet e Bild? Po pse heshtet sot?

Kjo “Omerta” është e kuptueshme për publikun shqiptar, pasi ka arsye, ka lidhje, ka interesa e natyrisht ka edhe frikë e ndroje. Por të presësh moral më pas nga “njerëzit e heshtur” sot, është si puna e Toto Riina-s kur thoshte se ishte burrë I ndershëm e shante Tomasso Buscettan se tradhëton gruan. Ndërkohë Riina i kishte vrarë rresht gjithë njerëzit e familjes….