Psikologu Edmond Dragoti tha në Euronews Albania se dhuna në familje është një fenomen shqetësues që zanafillën e ka në fëmijëri.
Sipas tij si sjelljet e dashura, si ato agresive nguliten nga familja. Një fëmijë mësohet me veprime pozitive ose të dhunshme edhe duke parë marrëdhënien e prindërve.
Privilegji që u jepet djemve dhe llogaria që u kërkohet vajzave është përsëri një model që lidhet me agresivitetin dhe dhunën e mundshme në të ardhmen, tha Dragoti.
Psikologu pohoi se shoqëria e ndjen sa e dëmshme është dhuna në shoqëri vetëm nga rastet e bëra publike në media.
“Jemi ne, shoqëria e rritur që stimulojmë dhunën nëpërmjet indiferencës dhe nëpërmjet faktit që nuk kërkojmë të luftojmë këtë dhunë në mjediset tona por e shohim diku larg tek të tjerët,” – u shpreh ai.