Home Editorial Shumica foli Edi Rama,e pe,e dëgjove?

Shumica foli Edi Rama,e pe,e dëgjove?

Nga Abdurahim Ashiku 

Një dron i një televizioni të kamur fluturon mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si për të ushqyer fjalën e zotit Rama se “një pakicë e çartur është që shan, mallkon, abuzon, paturpësisht fare”.

Unë, në atë pamje pashë shumicën, apo më saktë gjithë Shqipërinë…

Pashë 673.542 pensionistë  që “Përditë shohin qartë e ma qartë dhe vuejnë thellë e më thellë” e të luten përkulur në kënd nëntëdhjetë gradë “ma fal ndoj send”.

Të gjithë në shesh ishin, edhe unë me ta në kërkim të ndonjë “sendi” prej teje për një kore buke, një pako ilaçe, një llambë elektrike në tavan, një rrjedhë uji në çezmë, pak respekt, më shumë dinjitet.

Pashë mbi një milionë fshatarë, fermerë siç i quan ti, njerëz që soji jot u dhanë një dynim tokë në fushë, një në kodër e një në mal. E përkundrejt kësaj i shkatërruat kanalet kullues e ujitës, institutet shkencore ku prodhohej farë elite gruri, misri, orizi, patate, perime. I shkatërruat e dërguat për skrap uzinën që plotësonte nevojat e vendit dhe eksportonte nitrat amoni e ure, uzinën e prodhimit të superfosfatit, e katandisët bujqësinë në atë derexhe sa u kthyet për të punuar tokat me gomar në parmendë, nuk latë gjë në këmbë nga ajo që e kishte bërë me djersë e gjak ky popull martir.

A e din zotrote se sot në ditët tua Shqipëria mbjell dy herë më pak grurë se sa mbillte në vitin 1950 kur vendi jetonte me triska buke, ushqimi e veshmbathje?

Ata ishin atje zotëri, para zyrës tënde, kërkonin mbulim të shpenzimeve në bujqësi nga shteti që mos i shtrijmë dorën serbit për grurë, misër, vaj, mish, qumësht…

Zëri i tyre ushtoi fort dy kate poshtë zyrës tënde ku rrije dhe u thoshe brutalisht se jeni “një pakicë e çartur, që shan, mallkon, abuzon…”

Pashë të jenë atje mbi një milionë e gjysmë mërgimtarë që duan të kthehen, emigrantë që ka tridhjetë vjet që e ushqejnë ekonominë tuaj me mbi një miliard dollarë në vit, që ngrenë shtëpi e pallate që ju i lejuat ti ndërtonin dhe u vutë ruspën ti shkatërroni, që shuajnë urinë e prindërve dhe të afërmeve nga pensioni juaj qesharak  e nga ndihma sociale skandal.

Emigrantët duan të kthehen zotëri, duan derë të madhe kthimi në vend të derës së madhe të ikjes. Duan ti punojnë vetë tokat, duan që ti ndërtojnë vetë bizneset, duan që të jenë zot në vendin e të parëve të tyre. Nuk duan që tokat e tyre ti punojnë bangladeshasit, afganët, sirianët, iranianët… e tash, siç i ftove në Antalia, edhe nigerianët…

Nuk është faji vetëm i yti zoti kryeministër që Shqipëria është katandisur në këtë derexhe, është faji i një klase politike që ka tridhjetë vjet që vjedh, shkatërron, që i ka bërë këtij populli atë që nuk ia kanë bërë as armiqtë më të egër e të përkushtuar për ta nxjerrë fare, ta shuajnë si komb, si vend, si njerëz, si gjuhë, si kulturë…

Faji jot është se pret mbi kalli, që nxjerr zë kur duhet të heshtësh, që shan kur duhet të përkulesh me respekt para këtij populli që në pamundësi kujt t’ia besojë fatin e vet ta ka dhënë për tre mandate atë ty.

Dhe shuaje nga zëri dhe nga mendja atë që na the: “Sa për fuqinë e popullit, unë jam në këtë detyrë pikërisht falë asaj fuqie…”

Populli ka një fjalë të urtë: “SOT JE, SOT NUK JE”…

Mbaje mend!

Nuk jemi pakicë zoti kryeministër. Jemi shumicë. Tunde kokën fort se mbase të vjen shikimi dhe i llogarit gjërat me syun e popullit.

Jemi shumicë zotëri, shumicë e çartur për drejtësi, për mirëqenie, prosperitet, për një Shqipëri tjetër, demokratike, popullore, pa padronë e hajna, Shqipëri e denjë për të qëndruar në krah të demokracive përparimtare në botë.

Ky është vetëm fillimi zoti kryeministër, nuk ke parë gjë akoma.

Nesër do të na shohësh të gjithëve para dyerve të SPAK, këtij organizmi amorf që tash pesë vjet po tjerr fill mbi furkë pa bashkë, nuk ka çuar para hekurave as edhe NJË nga ata që e dogjën dhe e shkatërruan, e vodhën dhe e shitën, e torturuan dhe e mbytën Shqipërinë,  pse jo edhe para dyerve të Juri Kim e ambasadës amerikane që  vazhdojnë të na mbushin me gënjeshtra për “reformë në drejtësi” e për dënim të “peshqve të mëdhenj”.

Nesër dibranët do të jenë Luginës së virgjër të Drinit të Zi për të të thënë se ajo tokë e djegur në beteja të jashtëzakonshme kundër Perandorisë Osmane, Serbisë e Serbo-Jugosllavisë, diktaturës, që mbeti dhe do të jetë qendra gjeografike e Shqipërisë, do të mbetet e bukur dhe pjellore siç e ka krijuar Zoti dhe siç e ka begatuar dora punëtore e bujkut dibran. Nuk ka pse të zhytësh e mbytësh me gjithçka një trevë të tërë të lavdishme për një hurdhë që shpëton Shkodrën nga përmbytja e kaskadën nga përzhitja. Shqipëria ka burime dielli e ere që japin më shumë disa “Skavica” dritë pa prekur tokën, burimin e vetëm të jetës, burim që se zëvendëson asgjë.

NUK KE PARË ASGJË AKOMA…

Ta thotë këtë një mërgimtar që e do më shumë se ti ta shohë SHQIPËRINË ZONJË.