Qarkullimi i automjeteve në vend është shtuar në qershor, teksa dhe konsumi i karburanteve është rritur. Shumë turistë preferojnë të marrin makina me qira, për shkak të mungesës së orientimit me transportin publik. Nga ana tjetër edhe rënia e çmimeve të naftës ka nxitur qarkullimin.
Por, kjo situatë ka bërë që të rritet numri i aksidenteve. INSTAT raportoi se në muajin Qershor 2023 numërohen 101 aksidente rrugore nga 98 të ndodhura në muajin Qershor 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 3,1%.
Të rinjtë vijojnë të jenë shkaktarët më të mëdhenj të aksidenteve. Sipas INSTAT, aksidentet rrugore, në 82,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 30,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 14,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Qershor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditën e Mërkurë me 8,9%.
Në muajin Qershor 2023, 20,8% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00.
Më pak aksidente në 6 muajt e parë të vitit
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, numërohen 528 aksidente rrugore nga 581 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 9,1%.
Numri i të aksidentuarve është 722 persona nga 821 persona të aksidentuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.
Aksidentet rrugore, në 15,2% të rasteve, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për periudhën gjashtëmujore është rritur me 9,6%./Monitor.al