Home Bota Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga Traktati për Armët Bërthamore

Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga Traktati për Armët Bërthamore

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka bërë të ditur përmes një deklarate para gazetarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen zyrtarisht nga traktati për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm për sigurinë e Evropës që nga Lufta e Ftohtë.

Duke folur nga zyra për medie në Departamentin e Shtetit, Pomeo ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Rusisë kohë të mjaftueshme për ta ndërprerë shkeljen e pikave të traktatit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Shkeljet e Rusisë i rrezikojnë më tepër miliona evropianë dhe amerikanë. Është detyra jonë që të përgjigjemi në mënyrën e duhur”, tha ai.

Pompeo shtoi se Rusia i ka shkelur rregullat e këtij traktati për disa vjet me radhë. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Traktati për Armët Berthamore po vlerësohet si rrezik për nisjen e një gare të armëve mes Moskës dhe Uashingtonit. Vendimi për t’u tërhequr nga ky traktat hyn në fuqi të shtunën.

Rusisë i janë ofruar edhe gjashtë muaj kohë për t’u kthyer në marrëveshjen e vitit 1987, para se Shtetet e Bashkuara ta përmbyllin përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme zbatimin e këtij traktati. Zyrtarët amerikanë e kishin paralajmëruar edhe më parë Rusinë për shkeljet e bëra, por Moska nuk kishte reaguar përmes veprimeve konkrete, shkruan “CNN”.