Pas ngjarjes së rëndë në Beograd me 9 viktima, një tjetër tronditi Serbinë. Një 21-vjeçar vrau mbrëmjen e së enjtes 8 persona dhe plagosi 14 të tjerë. Kjo masakër shtoi frikën, duke detyruar banorët në fshatrat Dubonë, Malo Orasje dhe Sepshin të qëndrojnë të izoluar në shtëpi. Situata ishte alarmante, duke kthyer frikën e ankthin për pasiguri në vend. Shtëpitë qëndruan të mbyllura, qepenat e dyqaneve po kështu, dhe shumica e qytetarëve nuk shkuan në punë.
Në terren ndodhen rreth 600 policë, ndërsa kërkimet u intensifikuan nga ajri. Vrasësi u arrestua pak pas orës 8 të mëngjesit në afërsi të Kragujevcit, raporton Euronews Serbia.
Vrasësi i identifikuar si Uros B., 21-vjeç, filloi të gjuante nga Mali Orašje, më pas vazhdoi në Sepshinë dhe Dubonë. Ai ka qëlluar nga një mjet në lëvizje përpara një shkolle, kishe, vende ku mblidhen qytetarët. U vra edhe një polic jashtë detyrës, i cili ndodhej me motrën e tij në qendër të fshatit.
Siç raporton nga terreni gazetari i Euronews Serbisë, i riu që ka qëlluar është djali i një ish-ushtari dhe familja merret me bujqësi.
Vendasit ishin të shqetësuar se policia nuk do ta kishte të lehtë ta arrestonte, pasi i riu e njeh mirë zonën. Ata u qetësuan kur erdhi informacioni se ai ishte arrestuar.
Dejan Avramoviq nga Dubona ishte dëshmitar okular i të shtënave në atë vend. Nga dritarja e shtëpisë së tij ka parë 21 vjeçarin kur qëlloi dhe plagosi katër persona. Ai thotë se e ka njohur të dyshuarin, se ka qenë problematik, por askush nuk e ka pritur diçka të tillë prej tij.