Home Ekonomia Shqiptarët ua kanë besuar grave politikën, por jo biznesin, ndër të fundit...

Shqiptarët ua kanë besuar grave politikën, por jo biznesin, ndër të fundit në Europë për pronësinë në sipërmarrje

Drejtimi i grave në biznes, edhe në sipërmarrje në vendin tonë, mbetet i ulët. Shqipëria renditet e 31-ta në listë, nga 33 vende europiane gjithsej për pozicionimin e grave në poste menaxheriale. Të dhënat janë publikuar së fundmi nga Eurostat për vitin 2021. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përqindja e grave pronare ose administratore të një ndërmarrjeje në vitin 2021 ishte 24.1%, nga 35% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Ndërsa sipërmarrja nuk u beson grave drejtimin në biznes, e kundërta ka ndodhur me politikën. Gjithnjë e më shumë është rritur numri i ministreve. 70% e qeverisë aktuale përbëhet nga ministre gra, duke u renditur ndër 10 vendet e para në botë, ku femrat kanë pushtet të madh politik. Në botë, vetëm 14 vende kanë të paktën 50% gra që mbajnë poste ministrore në kabinetin kombëtar, bazuar në të dhënat e UN Women dhe The Inter-Parliamentary Union (IPU).

Pavarësisht se përbëjnë gati gjysmën e popullsisë botërore, me gjithë lëvizjet e fundit për fuqizimin e tyre, ende gratë nuk janë të përfaqësuara në nivele më të larta të qeverisjes dhe as në menaxhimin e bizneseve.

Më pak gra pronare në biznes

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përqindja e grave shqiptare pronare ose administratore të një ndërmarrjeje në vitin 2021 ka pësuar rënie me 1.4% nga 25,5% që ishte në vitin 2020. Kjo tregon se gratë shqiptare gjithnjë e më tepër po tërhiqen nga drejtimi i bizneseve. Përqindja e grave pronareve ishte më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 24.2% gra, sa i përket madhësisë së sipërmarrjeve. Treguesit paraqiten më pozitive në Europë, tregojnë shifrat e Eurostat, pasi gratë menaxhojnë një në tre biznese. Vendet nordike mbeten “ajka” e shoqërive me më shumë drejtuese gra për vitin 2021. Përqindjen më të lartë e regjistron Letonia (46%), pastaj Polonia dhe Suedia përkatësisht (43%) dhe Estonia (41%).

Nga krahu tjetër, përqindjet më të ulëta të grave menaxhere regjistrohen në Qipro (21%) dhe Luksemburg (22%). Raporti thekson gjithashtu se në asnjë prej këtyre shteteve, pesha e grave në këtë pozicion nuk ishte mbi 50%. Megjithëse gratë në shumë shtete të botës janë më mirë të arsimuara, me më shumë përvojë dhe më produktive, ende figurojnë më pak të paguara se homologët e tyre meshkuj.

Mesatarisht, gratë fituan 13% më pak se burrat në të gjitha shtetet anëtare të BE, referuar Eurostat. Ky hendek gjinor në BE varion. Diferencat më të mëdha në të ardhura midis grave dhe burrave ishin në Letoni (22,3%), Estoni (21,1%), Austri (18,9%) dhe Gjermani (18,3%). Nga ana tjetër, diferencat më të vogla ishin në Luksemburg (0,7%), Rumani (2,4%) dhe Slloveni (3,1%)./Monitor

Previous articleOrganizator dhe autor i vrasjes së Edmond Papës në Tiranë, arrestohet 30-vjeçari
Next articleNjë shekull nga themelimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Spahiu zbulon aktivitetet në kuadër të përvjetorit