Home Kulture Shpresa Milaqi: Frymëzimi në pikturë më vjen nga gjithçka në përditshmëri, festivali...

Shpresa Milaqi: Frymëzimi në pikturë më vjen nga gjithçka në përditshmëri, festivali ndërkombëtar i akuarelit bën bashkë artistët

“VIZart Tirana International Watercolor Festival” në edicionin e katërt në Tiranë ka bërë bashkë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, që me punimet e tyre janë pjesë e tij. Këtë vit prezantohet me dy ekspozita mjaft interesante, në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Galerinë e Artit Tiranë. Piktorja e njohur Shpresa Milaqi Bajko prezanton një punë të re të titulluar “Vajza me mollë”. Piktura është në ekspozitën në MHK dhe dallohet mes punëve të artistëve të huaj, që janë të vendosur në katin e dytë, ku herë pas here edhe grupe vizitorësh ndalojnë para veprave dhe shohin punët. Shpresa Milaqi Bajko është një artiste që është prezantuar në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke marrë vlerësimin e publikut dhe kritikëve të artit për veprat e saj, dhe prezantohet në këtë aktivitet ndërkombëtar me punën e saj më të fundit. Piktorja thotë se “Vajza me mollë” është një punim në akuarel, që prezantohet për herë të parë në një ekspozitë. “Në “VIZart Tirana International Watercolor Festival” jam me tablonë “Vajza me mollë”, që është imazhi i mbesës sime me mollë. “Vajza me mollë” është puna ime e fundit. “Vajza me mollë” vjen me një kolor pranveror, një kolor ngacmues dhe siç është gjallëria e fëmijës, sepse imazhi është i një fëmije dhe kolori i bukur përcjellin gëzueshmëri dhe harmoni”, tregon ajo. Pas prezantimit në këtë festival ndërkombëtar të akuarelit që është në Tiranë, piktorja  e njohur tregon se do të marrë pjesë në qershor në ekspozitën “PranverArt”, me një punim tjetër. Si piktore Shpresa Milaqi Bajko vlerëson shumë dhe këtë festival ndërkombëtar. “Kjo është një ekspozitë, që bën bashkë artistë të ndryshëm. Bën aplikimin dhe mere përgjigje nëse pranohesh apo jo, dhe mua më vjen mirë që isha mes artistëve të tjerë dhe isha vendosur përkrah artistëve botërorë. Aty ishte e vetmja punë e Shqipërisë, që ishte puna ime dhe më vjen mirë nga kjo”, thotë piktorja.

Frymëzimi në pikturë

Shpresa Milaqi Bajko në gusht të vitit 2014 hap ekspozitën e parë “Ëndërr pasion” në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës. U prezantua me 60 punime kryesisht në teknikën e vajit. Ndër vite ka vijuar me aktivitetin e saj me ekspozita të ndryshme, dhe thotë se frymëzimi për të është gjithçka në të përditshmen. “Nuk e kuptoj dot jetën pa pikturën. Është e përditshme dhe është momenti më i bukur, që më jep qetësi shpirtërore. Frymëzimi në pikturë më vjen nga gjithçka në përditshmëri,  çdo hap që hedh është motiv për ta hedhur në telajo”, tregon piktorja e njohur. Ekspozita e dytë e saj është në tetor 2015 po në galerinë e Durrësit dhe titullohej “…dëshirë”, ku ishin 52 punime në gjininë e portretit, peisazhit, natyrë e qetë. Po këtë vit merr pjesë në një ekspozitë të përbashkët të organizuar nga Akademia Europiane e Arteve në galerinë e Durrësit, me 6 punime në pikturë për të vijuar ndër vite një rrugëtim të pasur artistik. Një vit më parë në mars të 2021 prezantohet në MHK në Bienale Internacionale të Akuarelit, ku merr pjesë me “Panse”. Në 2021 në gusht hap në Durrës ekspozitën e radhës “Copëza jete”, ndërsa në shtator merr pjesë në “PraverArt”. Shpresa Milaqi Bajko tregon se në vijim do të ketë në tjerë ekspozitë personale gjatë këtij viti.