Nga Bedri Tahiri / Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë…Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë së nuk je i zoti për letërsi… (Mitrush Kuteli) / Liridona është maturante shembullore e Gjimnazit. Ajo, si gjithë moshataret e veta, ëndërron ardhmërinë. Mirëpo, bota e saj emocionale është specifike. E ndrojtur, fjalëpakët, e tërhequr. Në fytyrën e saj të zbehtë mungon buzëqeshja rinore. Frika ndaj territ dhe ngjyrës së kuqe veçon dukshëm karakterin e saj. Dy elemente që ndërlidhen intimisht me historinë e fëmijërisë së saj, që veç ajo i dëshifron. Kur e rikujton atë ditë makabre, e kjo ngjet shpesh, i rrëqethet gjithë trupi e i ngjethen mishtë. Mornica ngacmuese ia përshkojnë shtatin e hajthëm e djersë të akullta i shkojnë çurgë faqeve të mëdhizura, sa herë mendjeshkreta i vete atje ku nuk duhet, në atë të shkuar të kobshme… As sot, pas katërmbëdhjetë vjetësh, nuk e ka të qartë se si kishte arritur të mbijetonte. Po si ta di e gjora vashëz, ore lum vëllai, kur pati ngelur pa ndjenja midis rrotëve të traktorit. Çdo gjë i vjen si e mjegulluar, si në një ëndërr të trishtë. Deri në orën e ligë, kur i ndaluan cerberët e egërsuar dhe zunë të zhgërryheshin si djajtë sypërdalë, i kujtoheshin të gjitha, fije për pe. Kishte kohë që luftëtarët e lirisë, zbritur nga Kreshtëbardha, nga Majdani, nga Kodërflamuri, nga Maja e Zezë, përmes udhërrëfyesve besnikë, përpiqeshin të hapnin shtigje për evakuimin e popullatës se paanë drejt qytezës së tyre. Gjakatarët, pas humbjeve që kishin pësuar, ishin përforcuar dhe synonin hakmarrje. Kapja e majave të qafëmaleve dhe mbyllja e të gjitha drumeve, shtonin vazhdimisht rrezikshmërinë dhe pasigurinë. Po jetohej e po frymohej në një rreth vicioz, përplot ankth sfilitës. Kukuvajkat sorollateshin gjithandej si një ogur ndjellakeq. Ofensivat e soldateskës shfrenuese serbe s’kishin të ndalur. Shqipet e lirisë çanin mes për mes qiellit të përflakur si në beteja dragonjsh. Shpirtnxirët karpatianë, po plasnin nga inati dhe të xhindosur planifikonin mynxyrë shfarosëse. -Një shteg është hapur drejt qytetit!- sokëlliu si kambanare një lajm shpresëdhënës. Dhe, sakaq, turma e grumbulluar nga kahmos, zu të vërtitej andej, ngadalë e përtueshëm. Vargoji i pafund me traktorë, qerre kuajsh e kultivatorë zevzekë, gjarpëronte luginës së vdekjes. Nga vdekja iknin, drejt vdekjes shkonin! Pleq, plaka, burra, gra, djem, vajza, fëmijë. Kudo, përgjatë rrjedhës së lumthit te Studimës, zymtësi mbytëse. Dielli e hëna nuk po dukeshin gjëkundi. As yjët lozonjarë nuk xixëllonin, e kishin humbur shkëlqimin. Fshiheshin pas reve barse që të mos i shihte askush. Mbase, ishte e kundërta. Vetë nuk donin të shihnin se ç’po ngjiste poshtë në tokë. Më mirë t’i mbyllnin sy e vesh para asaj zallamahie çmendurake që s’ishte parë e as dëgjuar, qysh kur ishte ngjizur kjo botë noprane. O Zot, lugetërit me hanxhare në dorë, porsi shushunjat, zunë të thithnin etshëm gjakun e pafajësisë. Ata, si hijenat tinëzare, u futën midis tyre për të bërë hatanë. Vrisnin e ke nuk vrisnin! Mjaftonte që ishin shqiptarë. Asgjë më shumë. Një patologji e hershme e sojit të vet, trashëguar, që nga koha kur në kope hordhish, u zvarritën nga përtej Tuna. Egërsisht e pamëshirshëm shfrenin gjithë dufin satanik mbi secilin që ia ngulnin syrin. Ama, pa dallim fare: të sëmurë, të gjymtë, të verbër, të paralizuar, të moshuar, çiliminjë. Dhe, o tokë hapu, xhelatët sadistë gajaseshin me çirrje histerike para viktimave të sakatosura… Të gjitha këto çmenduri të primitivizmit paramesjetar i kishte përjetuar edhe Liridona e padjallëzuar. Engjëllesha e vogël, sa e pati babanë gjallë, mbahej disi, duke u futur e tëra nën sqetullat e tij mbrojtëse. Ngrohtësia që ia afronte ai trup i bëshëm, ia largonte gjithë frikën e makthin ngulfatës. -Mos i shiko bija ime, ata nuk i ngucin fëmijët,- mundohej ta qetësonte e t’i jepte kurajo vogëlushes, edhe pse ajo po i shihte me sytë e saj skenat tmerruese… -Jo, babi, jo, nuk kam frikë!-, gjegjej ajo, duke u strukur thellë e më thellë në gjoksin e tij, e zemra sa s’po i dilte nga krahërori…Burri, në të mëngjër të rrugës, që para sysh ia masakruan të gjithë anëtarët e familjes (trembëdhjetë veta) kishte arritur të zvarritej edhe treqind hapa përtej ferrit çmendës, pa gjysmën e gjymtyrëve…Ashtu kishte ngjarë dikur moti me Gjergj Elez Alinë dhe para pesë shekujsh, kur trimi drenicas, Milosh Kopiliqi, pas e la pa shpirt sulltanin pushtues, me kokën nën sqetull, kishte ecur larg e larg, deri afër vendlindjes së tij… -Pam, pam, pam- u dëgjuan nga afër tri krisma të mbytura revolveri. Edhe një krrokamë korbi u dëgjua mnershëm në kodrën përballë. Traktori i tyre u përplas në qerren që u printe, tërhiqur nga doria asht e lëkurë, të cilin po e “ngiste” njeriu i pashpirt. Ore, keni parë ju, njeriu i vdekur, ulur këmbëkryq në karrocë, me frenjtë në prehër, drejtonte kalin në kolonën, që gjasonte në trupin e gjarpërit të këputur në shtatëdhjetë e shtatë vende. Vajzushës iu errësuan sytë e lëbyrur nga xëci verbues. I ati e shtrëngoi edhe më fort, duke e ofruar pranë vetes. Hija e zezë u doli para dhe ua zgurdulloi sytë nën maskën futë. Automatiku i tij volli zjarr mnershëm mbi babanë e saj. Kapaku i kokës i fluturoi në ajër. Trutë e bardha, përzier me vrushkuj të mpiksur gjaku, u derdhën të troshitura gjithandej në rimorkio. Plumbat vrastarë kositën edhe të tjerët që ishin aty. Shtati njomëzak i vajzës flakëroi si e mbuluar me prush. Ajo, si e mpirë, vetëvetimthi rrëshqiti ngadalë e pahetueshëm nën batanijën e të gjakosur dhe u pupëzua nën traktor, midis rrotëve të mëdha. Instiktivisht u përpoq të zvogëlohej edhe më që t’i bishtëronte mortjes shtrigë, e cila po ia lëmonte flokët e bardha me dorën e zezë. Majat e çizmeve të katilit po e gicnin nëpër trup tek sekëlldisej rreth e rrotull kasaphanës. Ajo as frymë nuk guxonte të merrte sa duhej. Drithërimat i ndalte me shtrëngim dhëmbësh e duarësh. Nofullat i qenë kyçur si darët e ndryshkur. Zëri i humbi fare. Edhe lotët i kishin shteruar. Gjuhën e barbarëve nuk e kuptonte dot, por në veshët e saj depërtonin dhunshëm, krisma, britma, rrapëllima, çirrje, sharje, vaje, ofshamje, gërrhama nga fyta të prerë. Sakaq, mbi kokën e saj zu të pikonte cërcallë. Vallë, po lotonte qielli atë natë të gjatë shekull, të 2 majit 1999ë! Jo, ore burrë, jo, nuk kishte rend shiu. Atëherë, pse vazhdimisht pikonte mbi kokën e vajzësë! Ca pika të mëdha e të rënda plumb. Flokët i qenë bërë kallkan. Edhe faqet iu kishin lagur e po i digjeshin flakë. I preku ngadalë me gishtërinjtë e duarëve. Ua, ishte lëng i trashë, ku i pllakosen duart. Terri i zi burg nuk lejonte të dallonte asgjë. I afroj tek hunda dhe u mori erë. Kudërmonte rëndë. I afroi edhe te goja dhe i lëpiu me majën e gjuhës së mpirë. I erdhi adhët, me shije gjaku. O Perëndi, ishin currilat e gjakut të trupit të babait!,- u kujtua. Aman, aman. Edhe i pashpirt, nuk po e shkëpuste dot lidhjen me të bijën e dashur. Ai lart e kjo poshtë. Një lidhje e thellë shpirtërore. Një lidhje gjaku. Një vazhdimësi jetike. Sa nuk luajti mendsh! I erdhi të bërtiste në kupë të qiellit, me sa zë që kishte. Ah, korba, nuk i kishte ngelur asgjë në trup. As takat, as lot, as zë! Qe mekur, sa nuk e dinte, ishte e gjallë apo e vdekur! Tamam një bukuri që vret migjeniane. E ngelur mumie e shushatur, nuk dallohej në atë skëterrë danteske. Përndryshe, djajtë vazhdonin golgotën me marrëzitë e tyre, dhe, po ta hetonin, kurrësesi nuk do ta kursenin… Edhe komandanti liridashës, që të nesërmen me të gëdhirë, bashkë me ushtarët e tij, e kishte gjetur vajzën në atë gjendje, as të gjallë, as të vdekur, hezitonte ta përkujtonte atë holakaust marramendës. Ajo plojë shashtisëse, me 116 të martirizuar, nuk duhej harruar kurrë. Sidomos, do të ngelë për jetë të jetëve në kujtesë, vajza e lebetitur dhe e pagojë, e cila kishte mbijetuar nën currilat e gjakut të babait të vet të ekzekutuar nga katilat serbë! Ç’është e vërteta, në fillim, as ai, as luftëtarët e tjerë, nuk u kishin besuar syve të tyre. Jo, jo! E pabesueshme edhe duhej të ishte ndodhi. Një grusht fëmijë, fund e krye larë në gjak dhe pa asnjë plagë në shtat! Ama, e tëra dhe e bëra e larë në gjak, saqë as sytë nuk i dalloheshin. Që nga koka deri tek këmbët kuq, kuq dhe vetëm kuq. Kjo është arsyeja që vajza e urrente ngjyrën më të preferuar të botës femërore, të kuqen. Sado që Liridonë Guri jetën e ka përpara, bota e saj shpirtërore- psikologjike, ka një shpirtplagomë të pashërueshme mu në gjirmë të zemrës…