Është arrestuar nga polcia kandidati për bashkinë i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri i cili akuzohet për blerje votash. Të shoqëruar në komisariatin e Vlorës së bashku me Fredi Belerin kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, avokati i tij, një anëtar i Shtabit elektoral dhe një tjetër. Arrestimi është bërë në kushtet e flagrancës pak pas mesnate, rreth orës 00:15 nga policia teksa ishte në restorantin e tij. Beleri dhe 3 të tjerët është dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës.
Mbrëmë pas mesnate, në ambientet para komisariatit të Himarës janë mbledhur një grup simpatizantësh, ndërkohë që ka qenë i pranishëm edhe Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, partia në koalicion me Berisha-Meta që e ka propozuar kandidatin Beleri. Në një prononcim për mediat Dule e ka quajtur sulm të pastër politik arrestimin e Fredi Belerit dhe bën thirrje që të tilla tentative për pengimin e procesit elektoral të ndalen veprime të tilla. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit orkestruar enkas nga kryeministri Rama.
Mbrëmë vonë, në një intervistë ekskluzive kryeministri Edi Rama e ka akuzuar Fredi Belerin për tentativa për manipulim të votave. Rama e cilësoi Belerin një maskara për të cilin shtoi se ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Rama foli edhe me emra kur thha se 2 personat që po kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke janë Napolon Çakalli dhe Spiro Koka, të cilët i paralajmëroi se do merret personalisht me ta.
Reagimet e ashpra për Fredi Belerin kanë ardhur nga shumë krah politikë dhe jo vetëm pasi në një deklaratë të tijën për mediat greke tha se do të helenizojë Himarënnë rast se do të zgjidhet në krye të bashkisë më 14 maj.
“Është jetike për helenizmin e Himarës të kapërcejë të gjitha pengesat, që e pengojnë këtë mundësi, të ketë punë të mira, të gëzojë pasurinë e tij, e cila na është mohuar prej 60 vitesh, për t’iu ofruar arsim në gjuhën amtare, greke të gjithëve. Zgjedhja ime do të lehtësojë rrjedhën e helenizmit”, pati deklaruar Beleri për gazetën e madhe greke ‘Protothema’.
Pas arrestimit të kandidatit të opozitës për Himarën, Fred Beleri ka reaguar ministria e jashtme greke. Ambasadorja greke është udhëzuar nga Dendias të takojë Xhaçkën.
“Pas lajmit për arrestimin nga autoritetet shqiptare të Dionisis-Fredi Beleris, kandidat për Kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë në KEAD, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë sot, më 12 maj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.”- thuhet në reagim.