Home Sport Sheta: Nuk na tremb Skënderbeu

Sheta: Nuk na tremb Skënderbeu

shetaNë Durrës janë të bindur se Teuta do ta kalojë edhe Skënderbeun. Mbrojtësi Arjan Sheta, tha se Teuta nuk i trembet asnjë kundërshtari dhe se në Korçë do të shkojë vetëm për fitore. “Skuadra ka nevojë që të grumbullojë sa më shumë pikë, në mënyrë që të sigurojë vendin e dytë. Sigurisht që deri në përfundim të kampionatit ka ende kohë, gjithsesi ne duhet të jemi të qetë, për çka duhet të veprojmë me shumë zgjuarsi. Kjo ndeshje ka vlera të veçanta për ne, ndaj duhet të japim maksimumin për ta fituar. Kundërshtari ynë është afruar shumë dhe, këtu i referohem Flamurtarit, sepse me Skënderbeun thuajse i kemi ndarë gjërat. Duhet të jemi realistë dhe të mos pretendojmë më për titull, pasi kundërshtari është shkëputur 11 pikë dhe kësisoj duhet të punojmë për vendin e dytë. Por, pavarësisht objektivave tona, që janë deri-diku të kundërta, në këtë përballje ato do të japin maksimumin e tyre, pasi luhet edhe për prestigj. Kjo ndeshje do të tregojë se cila është skuadra më e mirë”, – tha mbrojtësi. Pavarësisht kundërshtarit, durrsakët e kanë vlerësuar maksimalisht këtë sfidë dhe kanë besim se do t’ia dalin mbanë, duke vijuar me rezultatet pozitive të shënuara në ndeshjet e fundit. Sheta shtoi se skuadra është përgatitur intensivisht dhe se në fundjavë do të jetë gati për të festuar triumfin e radhës. “Përpara na pret një ndeshje shumë e vështirë, prej së cilës duhet të marrim maksimumin. Korçarët kanë një skuadër që nuk do shumë komente, por ne do të zbresim në fushë si të barabartë, sepse të tillë jemi. Në kushtet ku ndodhemi na nevojiten shumë pikë, të cilat duhet të fillojmë t’i mbledhim që në ndeshjen me Skënderbeun. Sigurisht që i kemi marrë parasysh të gjitha dhe kemi besim se do t’ia dalim, ndonëse në transfertë. Ne kemi treguar se edhe në ndeshjet jashtë fushe kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë, por edhe kemi arritur rezultate pozitive, sidomos ndaj Tiranës e Flamurtarit së fundmi. Qëllimi ynë është të ruajmë vendin e dytë, prandaj çdo ndeshje e mbetur për ne është si një finale. Flamurtari është afruar shumë, kështu që duhet të kemi kujdes. Nëse do të jemi në një ditë të mirë dhe do luajmë të përqendruar, besoj se do t’i mposhtim korçarët. Duke parë kundërshtarin që kemi përballë, parashikoj një ndeshje mjaft të vështirë. Të dyja skuadrat në gjirin e tyre kanë kontingjent të mirë lojtarësh dhe vijnë me shanse të barabarta. Duke qenë se në fushë do të zbresin dy skuadrat që mbajnë përkatësisht vendin e parë dhe të dytë, atëherë spektakli është i garantuar. Nuk mund të them se kush do ta fitojë këtë përballje, por për një gjë jam i sigurt, se në Korçë fiton futbolli. Korçarët do të kërkojnë të mbyllin llogaritë me titullin, ndërkohë që ne duhet të mbajmë distancë nga ndjekësit tanë. Por duke i lënë mënjanë këto, në Korçë do të luhet një ndeshje prestigji. Ne ndodhemi në vendin e dytë dhe kemi si synim që të shpallemi sërish nënkampionë, prandaj nuk na lejohet asnjë hap i gabuar gjatë pjesës së mbetur të kampionatit. Jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjitha skuadrat me të cilat do të sfidohemi javët e fundit duhet të luajmë tamam si të ishin finale. Ne kemi bërë një paraqitje të mirë sa i përket kampionatit dhe do të ishte një katastrofë e vërtetë nëse do të lëshonim terren tani në fund. Prandaj duhet të mbledhim të gjitha forcat dhe t’i fitojmë ndeshjet e mbetura”, – u shpreh Sheta.”

Previous articleKampi durrsak, optimizëm për sfidën kundër korçarëve
Next articleSadik Sukaj, njeriu që me fjalën e tij plot shpirt, diti të ngrejë peshë shpirtërat e njerëzve