Home Slideri Sheta: Nuk bëjmë hapa falsë, kërkojmë fitoren

Sheta: Nuk bëjmë hapa falsë, kërkojmë fitoren

sheta 2Durrsakët e kanë përqendruar vëmendjen te përgatitjet në kuadër të ndeshjes së fundjavës që do të luajnë në shtëpi ndaj Kukësit. Këtë përballje mbrojtësi Sheta e konsideron si kyçe për objektivin e bregdetarëve, ndaj u ka bërë thirrje shokëve që të përqendrohen maksimalisht te gjashtë ndeshjet e mbetura deri në mbyllje të kampionatit. “Momentalisht e kemi lënë pas ndeshjen me Skënderbeun dhe jemi fokusuar tek ajo e radhës. Skuadra po vijon përgatitjet maksimale në kuadër të kësaj sfide. Po kalojmë një formë mjaft të mirë dhe këtë e kemi faktuar gjatë ndeshjeve të fundit, ku kemi marrë rezultate pozitive. Edhe në përballjen me Kukësin do të futemi në fushë vetëm për fitore dhe do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund. E vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, pasi është një skuadër e re dhe me potencial, por theksoj që nuk na lejohen gabimet. Edhe pse me mungesa të rëndësishme kemi alternativa për ti zëvendësuar. Në gjirin tonë ne kemi mjaft lojtarë cilësorë, të aftë për të përballuar çdo kundërshtar”. Teuta do të presë në “Niko Dovana” Kukësin, në një përballje ku do të kërkojë tri pikët. Mbrojtësi Sheta i ka vlerësuar me notën më të lartë debutuesit e Superiores, ndonëse ka besim se skuadra e tij do t’ia dalë. “Kukësi është një nga kundërshtarët më të rrezikshëm, prandaj duhet përqendrim maksimal për këtë ndeshje. Duke marrë parasysh faktin që luajnë për herë të parë në Superiore, them se Kukësi po zhvillon një sezon vërtet mbresëlënës. E kemi të qartë që përballë do të kemi një skuadër mjaft të fortë, por besoj se jemi më të favorizuar se kundërshtari në këtë sfidë. Na kanë mbetur vetëm pak ndeshje nga fundi i kampionatit, kështu që nuk duhet të gabojmë tek asnjëra prej tyre. Skuadra ka synim që të shpallet nënkampione për të dytin vit radhazi, ndërsa ne do të japim maksimumin që kjo gjë të bëhet e mundur. Jemi fare pranë objektivit, ndaj le të vazhdojmë me këtë ritëm”, – përfundoi Sheta.

Previous articleSfida e një romani në realitetet shoqërore
Next articleVolejboll Meshkuj/Arbitrim i kontestuar dhe tension, Teuta penalizohet sërish