Home Sport Sheta: Në Vlorë për të ruajtur vendin e dytë

Sheta: Në Vlorë për të ruajtur vendin e dytë

Sheta“Do të shkojmë drejt Vlorës për të ruajtur vendin e dytë”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij mbrojtësi me përvojë Arjan Sheta, duke lënë të kuptohet se është i kënaqur edhe me një barazim. Nën drejtimin e teknikut Gugash Magani, Teuta po vijon me intensitet përgatitjet për ndeshjen me Flamurtarin. Duke qenë se me kupën, Teuta i ka larë duart, vëmendja e “djemve të detit” është përqendruar te takimi i fundjavës, i cili është i vlefshëm për kampionat dhe konkretisht për vendin e dytë. Sheta shprehet i bindur se Teuta do të kthehet nga Vlora duke ruajtur sërish vendin e dytë. “Personalisht jam i bindur se edhe pas ndeshjes me Flamurtarin ne do të vijojmë të mbetemi të dytët në klasifikim. Ndaj vlonjatëve do të luajmë dy ndeshje brenda pak ditësh, nesër për kupë dhe në fundjavë për kampionat. Ndeshja për kupë nuk është se na intereson, pasi këtij kompeticioni fatkeqësisht i kemi thënë lamtumirë prej kohësh, por megjithatë do ta respektojmë deri në fund. Gjithsesi, vëmendja jonë është përqendruar vetëm tek kampionati, ku dhe do të kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme. Flamurtarin e kemi kundërshtar direkt në garën për vendin e dytë, kështu që ky do të jetë një motiv më shumë për të dalë më një rezultat pozitiv”, – tha mbrojtësi. Duke vijuar më tej, ai shtoi se për të ruajtur vendin e dytë skuadrës i mjafton edhe një barazim. “Qëllimi ynë kryesor është të rishpallemi nënkampionë dhe do të bëjmë të pamundurën për ta arritur këtë. Ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari, i cilitdo niveli qoftë, pasi kemi potencialin e nevojshëm. Flamurtari po tregon se po kalon një formë vërtet të mirë, por këtë radhë do ta ketë të vështirë përballë nesh. Siç edhe e përmenda më lart, në këtë përballje luftohet për vendin e dytë. Ne vijmë më të favorizuar, pasi kemi edhe rezultatin rezervë, barazimin, i cili na mban ende në vendin e dytë. Gjithsesi, ne do të shkojmë në Vlorë për tri pikë, por duke qenë se përballë do të kemi Flamurtarin, do të mjaftoheshim edhe me një barazim”. Mbrojtësi, i cili luan prej disa sezonesh në radhët e skuadrës bregdetare, tha se rezultati i kësaj sfide do të vendosë ecurinë e tyre përgjatë këtij sezoni, ku durrsakët kanë prioritet të shpallën për herë të dytë nënkampionë të vendit. Sipas Shetës, përballja me vlonjatët vendos fatin e skuadrës bregdetare, pasi mjafton një shpërqendrim dhe jo vetëm që lëshojnë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, por rrëshqasin pranë mesit të tabelës. “Deri më tani kemi bërë një paraqitje të mirë në kampionat dhe, nëse nuk marrim pikë në Vlorë  kjo do të ishte e pafalshme. Sikundër e përmenda më lart kjo ndeshje vlen sezonin dhe ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo ndeshje, ndaj do të bëjmë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv ndërkohë që hedhim dhe një hap tjetër drejt objektivit që ka skuadra. Për ne nëntë ndeshjet e mbetura janë si finale”, – përfundoi lideri i prapavijës durrsake.

Previous articleÇerekfinalet, Teuta dhe Flamurtari luajnë ndershëm, Bylis e Laçi kualifikohen me laps në dorë
Next articleNot/Përcaktohet kalendari i 2013