Home Slideri Shërbimi Social, Në qarkun e Durrësit problem madhor është dhuna në familje

Shërbimi Social, Në qarkun e Durrësit problem madhor është dhuna në familje

dorian hatibiQarku i Durrësit të vetmin problem madhor që i përket Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka dhunën në familje. Deklarimi është zyrtar dhe mbështetet në statistikat e institucioneve shtetërore. Deri para se të përfundonte kontrolli një për një i të gjitha dosjeve, në krye të shqetësimit për inspektorë e drejtues mendohej të ishte çështja e kritereve të ndarjes së ndihmës ekonomike dhe paaftësisë së përkoshhme. Drejtori i Zyrës rajonale të shërbimeve sociale në Durrës, Dorian Hatibi pak kohë më parë ka bërë të qartë se puna e tij ka nisur pikërisht me shfletimin një për një të 14500 dosjeve në të 16 njësitë vendore të këtij qarku. Shkaku, pse procesi ka nisur pikërisht në këtë drejtim, kishte arsye të fortë, ngase më shumë se gjysma e njësive nuk kishin parë inspektorët të kontrollonin dosjet prej më shumë se një viti, kurse gjysma tjetër prej afro 8 muajsh në një kohë që procedura e kërkon këtë vëzhgim në çdo gjashtë muaj. Hatibi edhe asokohe nuk ka nxituar të ngarkojë me përgjegjësi vendorët duke pohuar se duhej pritur ardhja e konkluzioneve nga terreni për të shkuar drejt konkluzioneve. Dhjetë komuna e gjashtë bashki të këtij qarku janë kontrolluar në më pak se tri javë dhe përfundimisht zyra në fjalë ka deklaruar se nuk ka shkelje të cilat mund të bëhen objekt për denoncime në organet e drejtësisë, apo për masa të rënda administrative. “Ka përfunduar inspektimi i dosjeve për NE, PAK dhe Invaliditët, por përveç gabimeve të zakonshme, që më së shumti janë njerëzore, nuk kemi pasur ndonjë shkelje të rëndë”,- i është shprehur interesimit tonë drejtori zyrës në qarkun e Durrës Dorian Hatibi. Më tej ai ka bërë të qartë se puna tij dhe inspektorëve është orientuar në drejtim të abuzimit dhe dhunës në familje. Zyra, me të mësuar statistikat në rritje të fenomenit, ka ndërmarrë fillimisht konsulta e takime me familjarë të kësaj kategorie, ndërsa për rastet kur i është bërë e pamundur bërja palë në tryezë e autorëve dhe viktimave, ka kontaktuar me avokatë e psikologë. Shteti afron për çdo person të dhunuar në anën fizike e psikologjike në familje asistencë juridike falas si përpjekje për të ulur kurbën në rritje të rasteve të dhunshme.
Dhuna
Qarku Durrësit është përfshirë në hartën e qarqeve më problematike përsa i përket rasteve të ushtrimit të dhunës në familje. Të dhënat zyrtare kanë ardhur nga dy burime dhe konkretisht nga drejtoria e policisë së qarkut të Durrësi si dhe Zyra rajonale e shërbimeve sociale në këtë qark e cila ka për detyre të trajtojë edhe këtë fenomen. Gati 40 përqind është rritur numri personave të dhunuar, të cilët kanë marrë guximin të kërkojnë ndihmën e policisë së shtetit për t’i shpëtuar agresivitetit në familje. Specialistët dhe veçanërisht psikologë e avokatë, janë të bindur në shumicën e tyre se vetëm një përqindje e vogël e ratseve denoncohen. Megjithatë kjo mjafton për shërbimin social në këtë qark bregdetar dhe enkas për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të alarmohet. Për herë të parë Durrësi ngjitet në kreun e statistikave duke lënë pas qarqe të njohura për tradita konservatore e patriarkale. Megjithatë specialistët edhe në këtë lloj deklarimi dhe alarmi kanë gjetur shkaqet nisur nga fakti se qarku i Durrësit është populluar shumë nga banorë të cilët vinë nga fshatra skajorë të vendit. Policia ka deklaruar se krahasur me vitin 2012, viti shkuar ka regjistruar plot 150 raste më shumë të dhunës në familje. Deri në fund të dhjetorit të kaluar janë shënuar 492 raste të dhunës në familje, përkundrejt 342 të një viti më parë. Seksioni i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje ka marrë një sërë masash për të afruar mbështetje dhe për të shpangur dhunën. Vjet janë bërë 387 kërkesë-padi gjë që do të thotë se koflikti ka qenë shumë i ashpër dhe zgjidhja tij mund të realizohet vetëm në rrugë gjyqësore. Të njëjta burime thonë se nga kjo mori kallëzimesh, 105 prej tyre përbëjnë vepër të hapur penale dhe që lexohet nga ekspertët si krim i ndëshkueshëm me heqje të lirisë së autorit që ka ushtruar dhunë. Janë kryesisht bashkëshortët që kanosin fizikisht dhe dhunojnë psikologjikisht gratë e tyre, por rastet janë të larmishme. Në jo pak raste ka ndodhur që ndihmë e mbrojtje të kenë kërkuar prindërit, fëmiljët, vëllezërit, kunatat etj. Gjatë viteve të fundit komuniteti është bërë më i ndjeshëm dhe bashkëpunimi me policinë ka dhënë efekte parandaluese të ngjarjeve të rënda të dhunës në familje. Salla operative e policisë gjatë një viti ka marrë mbi 28 mijë tthirje dhe ato kanë konsistuar në drejtim të prishjes së qetësisë publike, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ngjarje kriminale etj.

Previous articleNjerëz të veshur me pushtet kanë deformuar projektin, mbeten peng 13 milion euro të fondit Kuvajtian
Next articlePrefekti Durrësit Roland Xhelili: Plazhi e Shkozeti nuk do të përmbyten më. Gati projekti, së shpejti fondet