Home Letersi Shënime për djemtë e mi

Shënime për djemtë e mi

kadri-dimniTregim nga Kadri Dimni / Gjithnjë kisha menduar se çfarë do bëhej me fëmijtë e mi kur ata të rriteshin dhe të dilnin në jetë. Oh! Sa ëndrra kisha thurur për ta , do të bëheshin kështu apo do të bëheshin ashtu. Si gjithë ëndërrat e prindërve për fëmijtë e vet.Të tilla ëndërra pafshim gjithmonë , të gjithë prindërit për fëmijtë, se të gjitha janë ëndërra të mira. Me vështirësi kisha ecur vetë në jetë, por për fëmijtë e mi do të doja lehtësira, të mos vuanin dhe ata siç kisha vuajtur unë. Po kush e dinte se si do të vinte jeta? E vështirë, e lehtë, apo e zakonshne , ashtu si mijëra e mijëra jetë në këtë botë. Edhe fëmijtë tanë i përfshiu emigracioni. Ishte e pamundur t’i ndalje fëmijtë të shkonin për nga shkonin shumica e të rinjëve shqiptarë. Një popull i tërë hipte nëpër anije e ato i drejtoheshin Italisë. Anijet që po ngarkoheshin nuk ishin më shumë se një kilometer larg shtëpisë sonë! Djali i madh i rezistoi tundimit për të ikur, ndonëse anijet e para ishin nisur dhe televizionet italiane jepnin lajme të shumta me deklarata për zbarkimet biblike në brigjet e Salentos e më lart. Shokët e djalit të madh ikën të gjithë e Durrësi dukej i vdekur pa shoqërinë e tij, megjithatë prap anije të tjera rrëmbeheshin me forcë e prap ato niseshin drejt brigjeve italiane..E përsëri djali im nuk ikte , e as që e çonte ndërmend.Unë, në brendësi të shpirtit kisha një lloj lehtësie dhe shpesh ja thoja dhe miqve të mi të kafesë së mengjesit. Por pas dy ditësh situata u përmbys krejt papritur . Kur u ktheva në shtëpi , pashë rrobat e tij të hedhura sipër krevatit e mbi to, shkujdesur ishin shpërndarë lekë shqiptare. Menjëherë më shkoi mendja se kish shkuar nga vaporët e portit. Shkova në port , por ishte e pamundur të çaje njerëzit e shumtë e të futesha brenda vaporrit për të parë djalin. Ishte e pamundur të çaje atë mizëri njerëzish jashtë e Brenda vaporrit të madh. Anija u nis të nesërmen në Itali dhe lajmin e arritjes së refugjatëve shqiptarë, e dha televizioni Italian, duke treguar se ata i kishin sistemuar në stadiumin e Barit por siç dihet pas dy ditëve djali u kthye!I kthyen të gjithë me avion, krejt siç kishte njoftuar televizioni italian .Im bir qe tmerruar , i stërlodhur por dhe nën presionin e një faji , gjë që e shprehte me fjalët: -Unë e kam fajin , babë, prandaj ti bëj ç’të duash me mua…!- Pastaj u fut në dush e u shtri për të fjetur; pas njëzetekatër orësh u çua. Me sa tregonte më pas, qendrimi në stadium kish qenë një ferr i vërtetë dhe se autoritetet italiane ishin sjellur me ashpërsi por dhe shqiptarët kishin bërë dhunime të shumta që djalit i ishin fiksuar të gjitha në tru. Vetë nuk ish dakort me ato sjellje tepër të rënda edhe pse ishin bashkombasit e tij, shqiptarë. Por ndoshta dhe italianët nuk kishin se çfarë të bënin në ato situata të krijuara . Mbasi kaluan disa ditë, u shtrova në bisedë më djalin tim. I thashë se ai ishte i lirë për të ikur ku të donte, por në rrugë normale. Se ndryshe, me ato lloj rrëmujash e anormalitetesh ç’nuk mund të ndodhte.I gjeta një punë dhe ai filloi të punojë me dëshirë, në një firmë private , punonte me qejf, shkonte mirë me shokët por…mendjen e kishte të ikte, të ikte. Tek pinim ndonjë kafe bashkë nuk hezitonte e të më kujtonte dëshirën për jashtë shtetit ,ashtu siç kishin bërë shokët e tij. Fjalët e mia që ngulmonin për të qëndruar në Shqipëri, binin në vesh të shurdhë. I ishte fiksuar në kokë se po të ikte jashtë shtetit, aty lekët do të ishin sheshit! Shkurt, fjalët e mia nuk pinin ujë.E pashë se nuk kasha rrugëdalje dhe me miq e të njohur i gjeta një vizë për në Greqi, ku e prisnin njerëz të mi. U nis i gëzuar dhe arriti në Greqi ku i vajti mbarë. Gjati punë dhe kishte njerëz të mirë rreth e qark. Ata kujdeseshin për shëndetin e tij , dhe unë mendova se çdo gjë po shkonte mirë , ashtu siç dëshironte dhe im bir, ashtu siç dëshiroja dhe unë me gjithë shpirt. Por nuk qe e thënë! Pasi kaloi afati i vizës së rregullt u paraqit policia dhe e dërguan menjëherë në Shqipëri. Po rrija me gruan në guzhinë , kur poshtë në rrugë dëgjuam dikë që thërriste emrin e djalit tonë. Pas pesë minutash, djali na erdhi në shtëpi, sapo kish zbritur nga autobuzi i linjës ku e kshte hipur policia greke. -Më shkoi ters edhe kësaj radhe – tha i mërzitur. Kish hidhërim të thellë në fjalët e tij. Ankohej për fatin që edhe kësaj radhe i kishte shkuar ters. Fillova t’a ngushëlloja .E ç’të bëja tjetër! Kish mbetur vetëm ngushëllimi . -Duhet të luftojmë me kismetin – i thashë unë, por ai nuk më dëgjonte, por bisedonte me vëllezërit më të vegjël që ishin kurjozë e dëgjonin gjithë veshë, ngjarjet nga toka e huaj e që çdo përrallë u dukej e vërtetë. Bisedën e nisëm përsëri pas disa ditëve duke i dhënë premtimin se do përpiqesha përsëri , ndoshta për ta çuar më Itali. Aq lekë sa duheshin për ta çuar me anije në Itali, kisha.Kisha lekë edhe për ta dërguar në trenin e linjës.Por problemi qëndronte të gjindeshin njerëz të sigurtë. Një kapiten anije, që e njihja, më tha të mos bëhesha merak ,se ai me atë punë merrej dhe nuk donte t’i dilte emri për keq sepse i largoheshin klientët. Kishte llogjikën e tregtarit dhe s’ke ç’i thua. Edhe ai përpiqej të ruante klientët.Por dhe shuma që i paguhej Kapitenit të anijes nuk qe e vogël! Leverdinë më të madhe e kishte me këtë lloj ngarkese se sa me mallra të zakonshëm. -Po me policinë italiane si i ke punët? –e pyeta unë- Si ja bën me ta?- -Duhet të jesh në linjë me ta sikurse dhe me policinë tonë- fliste i qetë kapiteni.- Kudo policitë njëlloj janë, po luajti paraja , hapet rruga. Ndryshe të pret burgu dhe njoftimi në televizorin Italian me fytyrat tona në ekran.Këto janë rregullat e ekonomisë së tregut, miku im. Po pse, ç’mendon ti se policia italiane është më e ndershmë se e jona? Jo ore burazer jo, puna është të realizohet lidhja e çdo gjë shkon fjollë.- Pasi mora këtë leksion ajror mbi punën e tyre u sigurova se çfarë linje kishte anija e tij. -Ti mos u bën merak se telefonat kanë kërcitur dhe çdo gjë është bërë gati për nisje, gjithmonë me dijeninë e pronarit.Po ,hajde ngrije këtë gotë me uiski se kështu e kanë këto punë. Me këtë anije u nis djali im, pas disa kohësh dhe arriti shëndoshë e mirë në një qytet pranë Bolonjës ku kishte shumë shqiptarë. Megjithëse ishte pa dokumenta të rregullta , ai zuri një punë modeste në një depo tregtare , ku sipas bisedave që bënim në telefon , kuptoja se ishte i kënaqur. Pas një viti e gjysëm, më ra radha të shkoj vetë në Vinjola, pranë Bolonjës, një qytet i vogël por shumë i bukur, elegant si qytetet e Veriut të Italisë. Isha antar i Këshillit të rrethit dhe Kryetari më mori me vete si antar të grupit të punës për një visitë në Itali. Por kur hypëm në tren , filloi muhabeti për shtatë palë qejfe jo vetëm për mbledhjet që bënim në Komitetin e qytetit por dhe për qyfyret që bëmë gjatë udhëtimit me target. Shumica e këshilltarëve shkonin për herë të parë në Itali , gjasme për të kontaktuar me këshilltarët e qytetit të Barit, por të gjithë kishin hall të takonin njerëzit e tyre që ishin shpërndarë në tërë Italinë. Sapo hypëm në tren , harruam detyrat që na kishin dhënë , bashkë me takimet me këshilltarët e Barit. Mendja të gjithëve u punonte te njerëzit e tyre që ishin në emigracion.Dhe nuk kishin faj. Disa këshilltarë që ishin shumë të rreptë në mbledhjet e këshillit , ngaqë nuk dinin italisht u bashkuan me kundërshtarët e tyre të mbledhjeve dhe u bënë miq.Ndryshe nuk do dinin si të prisnin biletat në stacionin e Bolonjës nga ku do të merrnin drejtime të tjera duke ndërruar tren. Ishte një metamorfozë e bukur e këtyre këshilltarëve të “rreptë”, metamorfozë që u zhvillua në udhëtimin me tren. Me të mbrritur në stacion, telefonova në një adresë që ma kishte dhënë djali e që ishte adresë e një italiani. -Ku ndodhesh tani- pyeti italiani. Jam në Stacionin e trenit në Bolonja – iu përgjigja dhe ai më tha “ va bene”. Ishte ora pesë e mëngjesit, në stacion kishte lëvizje të madhe njerëzish.Mora një kafe, një kafe të mirë alla italiane, mora dhe një gazetë e po lexoja me kujdes.Pas një ore erdhi djali. E takova me mall dhe ai qante me lote malli.Takim më të përmallshëm nuk kam pasur më parë në jetën time. Pimë nga një kafe të dytë dhe u nisëm tek autobusi i linjës interurbane gjë që mund ta gjeja dhe vetë po të mos ishte djali .Më erdhi keq që e solla djalin deri në Bolonja! Fare mirë mund edhe vetë të shkonja drejt te shtëpia e tij. Kisha mjaftë përvojë me udhëtime nëpër shtete të ndryshme . Kur arritëm në shtëpi isha krejt i telekosur. U shtriva dhe fjeta gati dy orë gjumë. Por jo mjaftueshëm sa të më çlodheshin muskujt e gjithë trupit.Darkën e hëngrëm në një lokal jashtë qytetit , ku picat italiane nuk më janë ndarë kudo ku kam shkuar në vendet e Lindjes, ku kisha shkuar.Picat atje ishin specialitete të çdo lokali dhe kurdoherë kuptohej se kishte ndryshim një lokal nga tjetri në përgatitjen e tyre. Djali më foli gjatë për punën dhe jetesën po dukej i dobësuar prej punës.Më erdhi keq po nuk kisha se ç’të bëja.Më tha se punonte më shumë se të tjerët që të mbante vendin e punës. Pamja e tregonte dhe fytyra ishte e lodhur. Dëgjoja dhe flisja, por ç’farë t’i thoja unë atij? Do të ishte marrëzi nga ana ime, prandaj vetëm dëgjoja dhe nganjëherë ndërhyja sa për të thënë se isha aty dhe po e ndiqja me vëmendje.Ndejtëm vonë, shumë vonë, megjithë gjumin që po më kapiste , por ngaqë biseda rridhte butë e butë dhe djali më dukej më i pjekur se kurrë, më ndryshe sa kur ishte në Shqipëri. Puna e kishte bërë të sajën dhe për këtë më erdhi shumë mirë, vërtetë. Të nesërmen kur djali u kthye nga puna , po shijoja një emision të gazetarit të shquar italian Vittorio Sgarbi, ku fliste për artin mesjetar, e që me shumë aftësi kalonte në politikë, në politikën e përditshme të Italisë. Kisha shumë qejf ta dëgjoja atë gazetar se ishte njeri i ditur por dhe shumë i rrëmbyer. Kur djali hyri, më thotë: -Çfarë po bën?- – Ja po dëgjoj këtë Zgarbin .Gazetar i zoti vërtetë.- Pastaj i dhashë vlerësimet e mija për të. – Mirë , mirë, – më tha djali , por jeta në Itali nuk është e kolljatë .Leku nxirret me vështirësi dhe jeta është e vështirë.-Kur paske arritur në këto konkluzione ti?-e pyeta plotësisht i çuditur. – Ja , këtu në Itali duke punuar dhe djersitur, nuk qenka e lehtë edhe këtu. – Mirë, mirë, po kur të thoja unë aty në Shqipëri përse nuk më besoje, por ngulje këmbë për të ikur?-E po duhej ta provoja në kurrizin tim që ta besoja. Kështu është kjo punë e kështu ka qenë përherë! – Po të më dëgjoje mua , se unë kam përvojën e jetës, të paktën të përfitoje dhe ti nga përvoja ime.Kështu që jeta rëndon më pak.- thoja unë jo pa mërzitje. – Të drejtë ke babë, por iku ajo punë , nuk kemi se ç’ti bëjmë … dhe biseda vazhdonte me vështirësitë e jetës në Itali.Mua më vinte mirë që djali kishte nxjerrë mësime nga jeta.Kishte mësuar shumë nga jeta dhe kjo ishte një gjë e mirë. Të nesërmen dola vetëm për të parë qytetin .Qyteti i vogël ,por i bukur dhe shumë i pastër.Nuk kishte pluhur , nuk shikoje letra nëpër rrugë dhe bishta cigaresh sikur shikoje në disa vende të Lindjes si dhe në Shqipëri. Shëtita dhe pa tjetër u futa në një librari të vogël dhe mora një libër të poetit spanjoll Lorka, me poezi në dy gjuhë, italisht dhe spanjisht. Ishte kënaqësi e vërtetë të lexoje në gjuhën italiane poezitë e Lorkës. Librarja e kuptoi që isha i huaj dhe më pyeti se nga isha.Ju duk e çuditshme se si një shqiptar blinte libra. Të paktën ,refugjatët që ishin në atë qytet nuk blinin libra. -A keni libra të letërsisë shqiptare – e pyeta duke i përmendur Ismail Kadarenë. – Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjëherë.Nga Shqipëria nuk kam asgjë prej gjëje.- mu përgjigj si e turpëruar. Kështu kalova dy ditë dhe duhej të kthehesha në Shqipëri .Djali këmbëngulte që unë të rrija e të prisja sa të vinin Krishtlindjet. Atëhere do të merrte tre ditë pushim dhe mua më vinte keq që ai t’i kalonte me mua ato ditë, në vend që të pushonte. U nisa me trenin që arrinte herët në qytetin e Barit.Treni ishte plot dhe përplot dhe nuk kishte vend edhe të rrije në këmbë. Italianët e Jugut që punonin në Gjermani apo në vende të tjera ,si dhe në Veriun e Italisë po ktheheshin për festat në shtëpitë e tyre. As fatorinot nuk lëviznin dot dhe askush nuk na i kontrolloi biletat.Një rrëmujë kaq të madhe në tren, nuk e kisha parë kurrë, kudo kam shkuar. Ndejta në këmbë nga Bolonja në Bari.Dorën e mbaja në xhepin e këmishës . Kisha frikë se mos më vidhnin kuletën. Kur arritëm në Bari, ishte përsëri mëngjes dhe puna e parë që bëra ishta drejtimi tek klubi i stacionit të trenit.Mendova se pas një kafeje të mirë të vizitoja qytetin e Barit, gjë që nuk e bëra kur erdha në Itali sepse ishte natë. Bari ishte qyet i bukur dhe kënaqesha me bukuritë e tij. Kisha marrë për nga rruga e bregut të detit dhe po shijoja valët e detit. Papritmas nga mbrapa meje vjen një zë në shqip: -Sa e ke orën shok?- U kujtova menjëherë se në Bari ka shqiptarë që vjedhin shqiptarët , i ftojnë për një kafe , i vënë në gjumë dhe u vjedhin paratë.Duke menduar se zëri që fliste do ishte i një prej tyre e pyeta se ku e dinte që unë isha shqiptar. Ai më tregoi me sy çantën time . Unë nuk ja zgjata muhabetin dhe vazhdova rrugën time. Por ai vinte pas meje deri sa priti në stacionin e autobuzit. Kur una kalova andej ai përsëri më pyeti për orën, por këtë radhë italisht.Nuk ju përgjigja e vazhdova rrugën drejt portit. Aty pashë një të njohur dhe atë çast shqiptari që pyeste për orën shau në shqip dhe u largua me nxitim. Kushedi se ç’ka llomotitur ai bandit! E keqja e shqiptarit në qytetin e Barit vinte nga vetë shqiptarët. E kisha dëgjuar por nuk kisha besuar. I njohuri që takova në port ndoshta nuk po më kuptonte se ç’po thoja, por po më kërkonte ndihmë t’i mbaja lulet që ai po i dërgonte në Shqipëri e duhej t’i fuste në target. -Mos u fol shqiptarëve këtu në Bari , të kam thënë po kujdes lulet!- thërriste ai i shqetësuar. Në traget nuk kishte vende për tu ulur, rrinim shtrënguar . Por pasi u nis trageti vende u liruan se plot shqiptarë shkonin në bufe për të pirë ndonjë kafe apo raki. Klubi kishte raki dhe raki të mirë.Kishte dhe shqiptarë që pinin uiski po ishte shumë i shtrenjtë. Në ekranet e televizorëve jepej komedia “Pallati 176”. E kisha parë disa herë atë komedi po ashtu si dhe unë edhe të tjetrët po kënaqeshin. Trageti ishte i shpejtë dhe në mbrëmje arritëm në Durrës. Në shtëpi më prisnin edhe shokë të djalit i cili më kishte dhënë një shije pije për ta, por dhe ata e prisnin. Ata e morën dhe u larguan në punë të tyre. Djemëve u dhashë ca para duke u spjeguar se m’i kishte dhënë vëllai i tyre dhe njëkohësisht u thashë t’i harxhonin me karar e të mos i prishnin kot se do t’u bëhej harram. Një miku im që kish ardhur po shihte me habi tek më dëgjonte kur thoja se ato para ishin para gjaku.Nuk më kishte dëgjuar të flisja kështu.Dalëngadalë fillova t’u tregoja për gjithçka kisha kaluar me djalin në Itali. -Mirë e ke – më tha ai , po hajde mbushi mendjen djalit tim i cili thotë se lekët andej janë sheshit e duhet të shkojmë ne shqiptarët t’ i mbledhim e se italianët vetë nuk dinë.Po ai do të ikë patjetër në Itali,megjithëse e kam djalë të vetëm. Biseda vazhdoi deri natën vonë.Emigracionin ,miku im, e njihte shumë mirë se ishte vetë marinar. Ikja e djalit të dytë në itali u zhvillua krejt ndryshe.Ishte maturant në gjimnazin e qytetit dhe me mësime renditej te të mesmit. Vetë isha i pakënaqur por kjo ishte e përgjithshme. Nuk ishte i kënaqur me shkollën dhe shpesh më thonte se “ edhe po e mbarova shkollën , çfarë do të bëhem!Nuk e shihni ju se paraja po shkon te ata që nuk kanë shkollë por dinë të manovrojnë lekun, ja shih filanin por dhe filanin!” Prandaj opinioni i përgjithshëm për shkollën ishte negative, ishte opinion që me zor mund të luftohej.Në atë kohë u zhvillua konferenca e partisë socialiste ku una diskutova dhe fola shumë ashpër.Por sa herë që zhvilloheshin konferenca , të nesërmen do të vinte policia dhe të kërkonte që djali të shkonte ushtar.Fjala ishte për djalin e madh, Entonin, sepse i dyti ishte në provimet e maturës që asnjë ligj në botë nuk mund t’i ndërpriste.Djali rrinte brenda në shtëpi dhe përgatitej për provimin e fundit. Policia vinte në shtëpi ,herët e fundit vinin ditën, duke pyetur se ku ishte Entoni e se duhej patjetër të shkonte ushtar dhe se ky ishte urdhëri i shefit të tyre. Djali i dytë u tregua i zgjuar duke i thenë se do shkonte ta njoftonte.Por ai iku në Rrogozhinë , ku gjeti mundësinë për t’u larguar me një gomone për në Itali, tek i vëllai.Lekët i kishte marrë që atë ditë që i iku policies Më vonë morrëm vesh se udhëtimin me gomone e kishte kaluar ferr e të shkuar ferri, sepse kur i ishin afruar bregut të detit italian i kishin hedhur si qentë në mes të detit. Më vonë, shumë më vonë, kur i përmenda se a mund të shkonte prap me gomone, ai dridhej dhe kundërshtonte me forcë, duke më kujtuar se edhe po të ikte vëllai i tretë në Itali kurrë të mos shkonte me gomone se ata skafistët e poshtër s’e kishin për gjë të hidhnin e të mbysnin në det. Djali punoi aty në Itali disa muaj të mira, e pa se Italia nuk ishte livadh i pakositur e që ta kullosnim ne shqiptarët dhe u kthye me mendje tjetër. Kur u kthye, dha dhe provimin e fundit të gjimnazit që e kishte lënë që vitin kur u largua. U mbyll brenda për të studjuar në përgatitjet për t’u futur në Fakultetin juridik, në Universitetin e Tiranës. Kurrë nuk kish mësuar kaq shumë në jetën e tij, duke mos e ndërprerë studimin për katër muaj rresht Konkuroi dhe fitoi me djersën e vet. Kjo përvojë i vlejti jo vetëm për t’u pranuar në shkollë por dhe në jetën e përditshme. Shkollën e përfundoi jo ashtu siç mendoja unë por ishte seriozisht i përgatitur sidomos për të përballuar jetën. Mësoi mirë italishten dhe anglishten . Shkoi dhe dy herë të tjera në Itali, një herë për të punuar dhe perfeksionuar gjuhën dhe herën e dytë për të të vazhduar studimet e larta dhe që i kreu shumë mirë.Kur i thashë që të rrinte në Itali ,ai nuk pranoi duke më thenë se më mirë do ta përballonte jetën në Shqipëri. Dhe ashtu vazhdoi. Djali i tretë shkoi në Itali me anije të rregullt por edhe për të ishim me gjak të ngrirë sepse iku dhe u fut në anije dy ditë përpara se të plotësohej me ngarkesë (por dhe me klandestinë).Rreziku ishte kur të arrinin në portin italian , se mos e kapnin ata të policisë italiane dhe e kthenin mbrapsh.Kështu pritëm me gjak të ngrirë për tre ditë e tre netë rresht , derisa ra zilja e telefonit .Djali i madh na tha se i vëllai arriti shëndoshë e mirë.Nuk kishte patur asnjë problem ,vetëm se ishte shumë i lodhur.U qetësuam dhe filluam të jetonim lirisht. Djali kishte fjetur njëzetë katër orë rresht nga udhëtimi rraskapitës, mbasi kishte patur shumë det që kishte rraskapitur edhe vetë marinarët e jo më për udhëtarët e thjeshtë e pa përvojë deti. Por shtëpia mbeti bosh , pa fëmijë, hyrja e dilja në shtëpi si njeri i kotë e me shpirtin ,edhe atë , bosh. Meraku për fëmijtë ishte shumë i madh . Jeta në mergim është shumë e vështirë deri sa të mësohen me punën dhe me jetesën , me një jetë beqarie, kështu që mendjen e kisha vetëm te ata e mendoja çdo çast se çfarë bënin e si ia çonin.Bisedonim me telefon dhe ata thonin se ata ishin shumë mirë por unë e kuptoja se ata nuk ishin mirë. Mendja më punonte se si e si të shkoja në Itali, për t’i parë vetë me sytë e mi. Qëlloi që të shfrytëzoja Panairin ndërkombëtar të Barit , të shkoja atje, e kur mbarova punën në Panair, u nisa menjëherë për gjithë natën dhe të nesërmen në orën gjashtë të mëngjesit hyra në barin ku pinin kafe djemtë e mi. Gjeta aty vetëm djalin e madh që po nisej për në punë. Ai, u habit pa masë e më shoqëroi në shtëpi ku djali i vogël ishte në gjumë kur sapo u zgjua çakërriti sytë duke më parë mua. Kështu në befasi shkova dhe dy herë të tjera dhe jo gjithnjë i gjeja djemtë e mi ashtu siç dëshiroja unë. Italia me huqet e saj, jo gjithmonë të mira , kishte prekur dhe djemtë e mi , por jo vetëm ata. Kuptohet që dhe u shamatosëm dhe kur u ktheva në Durrës u shkrova një letër të ashpër , të ashpër sa që më dridhej dora tek e shkruaja. Letër më të vështirë nuk kam shkruar në jetën time.Por , ndodhi dhe çudia, letra pati efekt. Kurrë nuk do më shkonte në mend se një letër prindi do të merrej kaq seriozisht nga fëmijtë. Djalit të tretë i eci mbarë me punë.Kishte kapur një punë të qëndrueshme, punë që e kishte përvetësuar mire sepse e kish mësuar zanatin, kish përvetësuar gjuhën italiane shumë mirë , por i shkoi shumë ters me dokumentat. Sikur të kishte kapur tersin me dorë. Ato , dokumentet nuk bëheshin që nuk bëheshin e në punë djali ishte nën presionin e frikës nga policia. Avokatët, kurrë nuk i mbaruan punë, veçse i merrnin paratë. Por më vonë , problem u zgjidh vetëm prej lindjes së fëmijës së tij dhe regjistrimi u bë automatikisht. Me shumë gëzim erdhi të na takonte në Shqipëri. E kishte marrë malli për ne , për shokët e tij por dhe për vendin e tij. Ndejti vetëm pak ditë se e priste puna dhe nuk donte të humbte punën sidomos në kohë krize. Djemtë po mësoheshin me disiplinën e punës në kapitalizëm , e ashpër dhe e rreptë. Dalëngadalë kanë fituar disa shprehi të punëtorit italian dhe janë bërë më të ftohtë si natyrë , jo shumë llafazanë, pra jo të bisedave ashtu siç kanë qenë më parë. Nuk pëlqejnë të bëjnë vizita në shtëpitë e njerëzve të tyre ,u janë shtuar dozat e indiferentizmit në jetë. Duket se jeta e emigrantit dhe e Italisë po u futet në gjak. Në të vërtetë, kjo gjë po më dukej normale edhe për faktin se s’kisha ç’të bëja. Edhe tani kur i pyet se si janë e si i kanë hallet dhe punët, të përgjigjen gjithmonë: “Mirë, mirë jemi”.Kriza që kaloi Itali i preku dhe djemtë e mi , por i preku fare pak. Të shpresojmë se ata do të jenë mirë. I ndihmohtë Zoti por dhe ata të ndihmojnë veten e tyre.Të shpresojmë!

Previous articleHoxhaj merr mbështetjen e Turqisë
Next articleMancaku: Objektivi i vetëm janë tre pikët