Home Slideri Shembja e Kodrës së Durrësit panik ditë pas dite, boshatisen lokalet në...

Shembja e Kodrës së Durrësit panik ditë pas dite, boshatisen lokalet në Currila

kodraNga Xhevo Gradica / Paniku i përhapur nga rrëshitjet e njëpasnjëshme të dherave dhe e masiveve shumë të mëdha nga kodra e Durrësit në drejtim të Currilave, ka ngjallë panik të madh tek qytetarët. Fenomeni ka disa vite që përsëritet por këtë herë duket se gjërat kanë shkuar për keq. Është e pamundur të bëhet llogaria se sa qindra e mijëra m3 dhera kanë marrë tatëpjetë nga kodra. Ajo që sot po vihet në diskutim është fati i dhjetra banesave në majë të kodrës dhe e shtëpive dhe lokaleve nga Brryli në Currila, zona e përfshirë në kufijtë e rriskut. Nuk ka vit që numri këtyre shtëpive e banesave të mos pakësohet ngase dherat i mbulojnë plotësisht ose i marrin me vete duke i hedhur në det. Sot gjendja është si në ditët e reshjeve shumë të dendura të shiut pasi nuk është bërë asnjë hap as nga pushteti vendor dhe as nga familjarë e pronarë të lokaleve në këtë pjesë të qytetit për të larguar dherat e baltën. Të gjitha palët presin se çfarë do të ndodhë me kalimin e ditëve duke vënë pikëpyetjen e madhe nëse mund të jetohet më në këtë zonë, apo jo. Paniku ka kapur të gjithë. Jo vetëm pronarët e lokaleve dhe kryefamiljarët e shtëpive, por edhe pushuesit. Fundjava e kaluar pati shumë pak vitizor qytetarë që frekuentuan këto lokale të shtunë e të diel dhe për të vetmen arsye që ka të bëjë me panikun e përhapur nga pasiguria e kodrës.

Gjendja
Alarmante është paraqitur nga specilistë gjendja poshtë kodrës së Durrësit e njohur si kodra e Vilës. Faqja që shikon nga bregdeti në anë të Currilave vende-vende ka krijuar gropa të mëdha si pasojë e shkëputjeve të dherave me qindra e mijëra m3. Terreni në këtë pjesë të kodrës është i thyer dhe thuajse bie pingul mbi det. Edhe ato pak pemë të mbjella e të kultivuara me pisha e shkurre janë marrë me vete dhe janë shembur në rrugë duke e lënë lakuriq të gjithë faqen. Disa shtëpi në majë të kodrës janë në zgrip të humnerës duke rrezikuar në mënyrën më serioze dhe më të frikshme jetën e qytetarëve që banojnë në to. Por jo më pak të kanosur janë bizneset poshtë faqes së kodrës. Me të kaluar universitetin “Aleksadnër Moisiu” dhe deri tek kthesa në fund të kodrës për në Currila balta, rrënjët, pemët dhe dherat kanë pushtet të plotë. Rruga është me dy korsi por që nga java e kaluar njëra prej tyre është zdhukur fare. Korsia nga Brryli për në Currila është e gjithë e mbushur me pirgje të panumërta balte e inerte duke detyruar automjetet dhe qytetarët të qarkullojnë vetëm në njërin sens. Edhe muret mbrojtëse, kabllot e energjisë elektrike, ato të ujsjellësit dhe telefonit kanë përfunduar copa-copa të shpërndara gjithandej duke bërë të mundur vetëm krijimin e imazhit se më parë ato kanë qenë në vendin e tyre. Diku dherat kanë rrethuar lokalet, në të tjera janë lëshuar para shesheve apo mbi kurriz. Shumë qytetarë e kanë pasur gati të pabesueshme atë që kanë dëgjuar, lexuar e parë në radio, gazeta e televizione ndaj kanë shkuar në Currila për të vëzhguar vet se çfarë ka ndodhur. Prej disa ditësh kjo pjesë e qytetit është kthyer në vend pelegrinazhi ndonëse me përjetime të pakëndshme. Që nga koha e ndërtimit të lokaleve buzë deti në gjatësinë e rrugës nga Brryli për në Currila asnjëherë lokalet nuk kanë pasur më pak vizitorë sesa këtë fundjavë. Automjetet kanë qarkulluar por më shumë për të parë se çfarë ka ndodhur, sesa për t’u rehatuar në ndonjërin lokal për të soditur detin. Masivet e dherave nga lokalet nuk janë më shumë se 5 m largësi dhe kjo e ka bërë të pasigurtë jetën. Disa vite më parë lokali “Lial” është përpirë nga dherat e kodrës në më pak se 20 minuta në një ditë të vështirë por jo si ajo e mesjavës së kaluar. Saktësisht ngjarja ka ndodhur tre vite më parë, me 11 mars 2010. E vetmja gjë që kanë shpëtuar nga lokali janë pronarët dhe klientët që kanë dalë me nxitim, ndërsa dëmi ka qenë në mijëra e mijëra lekë. Por ky nuk ëhtë i vemti objekt i fundosur dhe viktimë e rrebesheve me shi. Disa shtëpi u bënë të pabanuar dhe të tjera pësuar çarje duke detyruar familjarët të mendojnë për një zgjidhje tjetër. Frika është gjithandej. Pasiguria është mjaft e madhe për shkak se kodra është plotësisht e zhveshur dhe pa asnjë mburojë. Në ditë me shi llava derdhet frikshëm nga kodra e cila ka disa vite që po lëshon shumë terren.
Pasiguria
Të gjithë këtu kanë hequr dorë për të ndërhyrë. Individualisht është e pamundur, pasi për ta frenuar erozionin e shpejtë dhe në përmasa të mëdha lypsen projekte dhe strategji me kosto të lartë. Dikur, në ditë të tilla, pas pushimit të rrebeshit lokalet dhe shtëpitë nisnin të hiqnin me kamion të mëdhenj dhe fadroma dherat që u kishin zënë rrugët, kopshtet, sheshet. Tani nuk sheh këmbë njeriu. Të gjitha palët janë strukur dhe janë nën pushtetin e frikës. Askush nuk merr guximin t’u thotë më banorëve se jeta e tyre nën këtë kodër është e sigurtë. Edhe pushuesit janë rralluar aq sa nuk thuhet duke lënë të zbrazura lokalet. Ndjenja e frikës ka pushtuar të gjithë pasi e shohin se e keqja jo vetëm që nuk ka kaluar, por mund t’i godasë nga çasti në çast. Askush nuk ndihet i sigurtë dhe këtë e shprehin pa më të voglën mëdyshje. Gardhet janë fundosur nën baltë, avllitë prej hetoni janë shembur e anuar, pemët mbi lokale e shtëpi kanë përfunduar disa metra poshtë tyre, shumë shkallë të lokaleve e banesave janë nën tokë. Lart në kodër disa shtëpia kanë nisur të ekspozohen gjithnjë e më shumë ngase toka para tyre është ngrënë me kalimin e viteve dhe tani kanë mbetur vetëm themelet. Nuk janë të paktë njerëzit që flasin se kjo kodrë nuk ka të ardhme. Shembja e saj ka nisur me shumë vrap dhe harta rrënimit mund të vijë duke u zgjeruar. Janë të shumtë faktorët që kanë ndikuar për të arritur deri në këtë gjendje, por tani kjo thuaje nuk ka as rëndësinë më të vogël. Pasiguria sundon si ditën edhe natën. Jo vetëm për ata që banojnë e punojnë në këtë zonë, por edhe për ata që kalojnë për të shkuar në Currila, apo për në Durrës. Pushteti lokal, qeveria dhe të gjitha institucionet kanë dijeni se çfarë ka ndodhur këtu dhe çfarë rrezikon të ndodhë në të ardhmen e afërt. Toka ka përbërje të rëndë, nuk ka gur dhe as masiv të gjelbër dhe këto së bashku rrisin rriskun për të tjera shembje. Këtu dherat nuk rrëshqasin pak e ngapak por shkputen si blloqe të mëdha dhe krijojnë idenë e një llave që vë përpara çfarë të gjej. As banorët dhe as pronarët e bareve e lokaleve nuk kanë ndodnjë shpresë se me ndërtimin e pritave të vogla apo të mëdha, me hekur apo me beton mund të krijojnë njëfarë sigurie. Gjërat në këtë anë të kodrës kanë marrë për keq dhe çështja e shtruar sot në opinion është marrja e masave për të detyruar gjërat këtu do të shkojnë duke u normalizuar.

 

Previous articleNë këtë vend pedofili më i madh është pushteti
Next articleKryebashkiaku i Durrësit jep mesazhin e tij kundër racizmit në Ditën Ndërkombëtare kundër racizmit