Teksa tensionet në Ballkan mbeten të larta, Serbia duket se po i hedh më shumë “benzinë” zjarrit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka njoftuar ditën e sotme se brenda dy ditëve Serbia do të nënshkruajë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikazë. Ai u tha gazetarëve në Abu Dhabi se ai “shpreson” që pas pesë deri në gjashtë muajsh, dronët e parë kamikazë do të arrijnë në Forcat e Armatosura serbe.
Pas vizitës së Panairit të Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake 2023, ai shtoi se në ditët në vijim pret përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë, që sipas tij, do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën e Serbisë.
“Ne po përballemi me një periudhë sfiduese, dhe nga deklaratat e presidentit [rus], Vladimir Putin, duket qartë se ai do të vazhdojë me shumë ashpërsi luftën në Ukrainë. Për disa ditë, pres ndryshime të mëdha në fushëbetejë dhe në veprime të mëtejshme politike ndaj Serbisë nga perëndimi dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë”, tha Vuçiç.